Blerim Çela: PD, në gjendje të vajtueshme. Rivjen në pushtet pas 12 vjetësh pa Berishën

Postuar në 10 Dhjetor, 2013 09:14

Një ndër themeluesit e PD-së dhe ish-kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Blerim Çela flet për gazetën ‘DITA’ në 23 vjetorin e Lëvizjes studentore dhe themelimit të Partisë Demokratike. Çfarë përfaqëson sot PD-ja dhe cilat janë arsyet e humbjes katastrofike të saj në 23 qershor? A është vetëm Berisha shkaktar i humbjes dhe pse nuk mund të ringrihet PD-ja pa zhdukur frymën berishiste brenda saj? Pse Basha është krejtësisht i pafuqishëm për ringritjen e PD-së duke pasur tutor Berishën.

- Zoti Blerim, u mbushën 23 vjet nga themelimi i Partisë Demokratike. Si një nga themeluesit e saj, mund të në thoni se a është sot PD-ja në lartësinë e misionit të saj, domethënë sa demokratike është ajo aktualisht ?

- Për fat të keq PD sot vetëm emrin ka demokratike, pasi ka vite që nuk funksionon si e tillë. Formimi i PD-së në dhjetor të vitit 1990, ishte një ogur i mirë për shoqërinë shqiptare sepse ajo u bë pionierja e rrëzimit të regjimit feudo-komunist dhe krijimit të institucioneve demokratike, hapjes së rrugës të ekonomisë së tregut, fjalës e mendimit të lirë, hapjes me botën dhe ecja përkrah Europës Perëndimore e SHBA-së që na kanë mbështetur e mbështesin në rrugën tonë të demokracisë e të integrimit europian. Këto arritje të mëdha nuk mund të mohohen nga askush, por ato do të ishin edhe më mbresëlënëse, nëse PD do të vazhdonte rrugën e saj demokratike, ashtu si i pati objektivat në Dhjetor të vitit 1990. Pse e them këtë? Sepse demokracia e brendshme në atë parti pushoi së ekzistuari kur filluan të përzgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së saj me votime të manipuluara sipas dëshirës së kryetarit të saj Sali Berisha. Shtrembërimi i votimeve çoi në shuarjen e funksionit legal të institucioneve që nga Këshilli Kombëtar si organi më i lartë vendimmarrës , që me statutin e 2009 mblidhej vetëm me dëshirë të kryetarit e deri në organet e tjera të saj. Pra Këshilli Kombëtar nuk pyetej më për kandidaturat e funksionarëve të partisë,deputetëve dhe pozicioneve të tjera të rëndësishme. Emrat e tyre mësoheshin nga ne anëtarët e Këshillit Kombëtar vetëm kur kryetari i publikonte ato në televizion. Që nga viti 2009 e deri më sot PD-ja nuk ka sekretariat dhe nënkryetarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, por vetëm njerëz të emëruar nga Ai në kundërshtim me statutin e partisë, përjashto vetëm kryesinë e partisë e cila, për hir të së vërtetës zgjidhet me “votim të fshehtë” sipas emrave që ka paracaktuar kryetari.

Kjo që sapo thatë, zoti Blerim, duket si tendencioze, ngaqë aktualisht PD është në fushatën zgjedhore të strukturave dhe drejtuesve të saj nga baza në qendër…

Jo, ky pohim që bëj nuk ka të bëjë me fushatën e PD-së. Prej vitesh në PD funksionon parami stalinist se nuk ka rëndësi kush voton, por kush i numëron votat. Kjo fillon me konferencat e degëve në rrethe ku të dërguarit e kryetarit monitorojnë zgjedhjet që ato të përfundojnë me emrat që ka paracaktuar Ai. Më pas farsa zhvendoset në kongresin e partisë ku delegatët e zgjedhur në konferenca janë të përzgjedhurit e kryetarit e të klanit të tij të vogël që drejtojnë qarqet. Këta delegatë “zgjedhin” komisionin numërues të paracaktuar nga kryetari,dhe pastaj fillon votimi i fshehtë që do të zgjedhë anëtarët e Këshillit Kombëtar. Pasi mbaron votimi fillon numërimi i votave nga komisioni, që, megjithëse i parazgjedhur nga kryetari, përsëri monitorohet nga një i deleguar i kryetarit qe nxjerr atë listë që ka urdhëruar Ai. Me këtë rrugë antidemokratike janë larguar me qindra e mijëra demokratë nëpërmjet “votimit” nga organet drejtuese të partisë vetëm se ata kanë qenë kontestues dhe kritikues të procedurave antidemokratike jo vetëm në zgjedhje, por edhe në mosfunksionimin e organeve drejtuese në qendër e në bazë sipas statutit që është KUSHTETUTA E PARTISË. Prej shumë vitesh, në PD është kërkuar të kryhej votimi sipas parimit një anëtar një votë, por nuk është pranuar se duhej një regjistrim perfekt i anëtarësisë.

- Ky rregull duket se nuk funksionoi në zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së pas humbjes që kjo parti pësoi në 23 qershor, apo jo?

- Pas dorëheqjes së kryetarit pas disfatës në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, u vendos krejt papritur që PD-ja të futej në rrugën e demokracisë nëpërmjet zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar, një votë”. Pavarësisht nga kjo e papritur, kjo mënyrë votimi ishte një përparim në rrugën e demokracisë, por nuk qe e thënë që demokratët të gëzoheshin. Votimi u përçudnua dhe u deformua, duke hequr nga listat emrat e mijëra demokratëve që do të votonin për zotin Olldashi, pasi i ndjeri Olldashi nuk ishte i përzgjedhuri i kryetarit. Pavarësisht nga ky deformim i votës që është krim politik i dënueshëm, nën përgjegjësinë e atij që i projektoi dhe realizoi këto zgjedhje, fitorja e zotit Basha ishte e sigurt. Kjo për arsye se ideatori i kësaj skeme kish shpërndarë pëlqimin e tij në anëtarësinë e gjerë të PD-së, që zoti Basha duhej të ishte kryetari i ardhshëm, apo zëvendësuesi. Tani, pyetjes suaj nëse PD është a po jo demokratike, po i drejtohem me këtë kundër pyetje: – A mund të quhet demokratike një parti ku nuk funksionon sistemi i votimit,ku anëtarët e organeve të zgjedhura paracaktohen nga kryetari,ku statuti nuk zbatohet ,ku fryma e kritikës dhe e mendimit të lirë është eliminuar dhe ku kryetari i partisë dhe një grup i vogël njerëzish të preferuar nuk luajnë nga vendi në kryesi e në poste të larta qeveritare prej shumë vitesh, ndërsa kryetari zgjidhet pa kandidatura alternative, se kushdo që e provoi e kuptoi që ndërmarrja ishte e pamundur? Pra, një parti pa rotacion elitash brenda saj, duke filluar nga kryetari etj., është e dënuar të ndryshket, të plaket, të mpaket, të dembeloset, të korruptohet e të shkatërrohet. Është për të ardhur keq, por sot PD-ja është në një gjendje të vajtueshme dhe jo për faj të anëtarësisë së saj që ka qenë vazhdimisht në mbrojtje të demokracisë e të kryetarit që i la rrugëve të papunë, e të varfër, për t’i lenë vendet e punës LSI-së që Ai të mbretëronte së bashku me klanin e tij të mykur për 8 vjet.

- Si e shpjegoni faktin që nga themeluesit e PD-së, tashmë kanë ngelur pak, për të mos thënë asnjë?

- Në fakt themelues të partisë ka edhe sot në rolin e konformistëve,por udhëheqës si Azem Hajdari nuk ka më, intelektualë me vizion të gjerë demokratik dhe profesional si Aleksander Meksi ,të përndjekur politikë me shpirt të madh dha aspak hakmarrës si Pjetër Arbnori, Leka Toto, Tomorr Dosti, Bedri Blloshmi etj., nuk janë më në radhët e PD-së. Intelektualë dhe veprimtarë të fillimeve të PD-se , si Rexhep Uka, Uran Butka, Mitro Cela, Agron Çika, Merita Zaloshnja, Omer Stringa, Margarita Qirko, Aleksander Biberaj, Lili Dhame, Sotir Qiriaqi, Nermin Basha, Emanuel Heba, Franko Kroqi, Maksim Konomi, Menduh Derguti, Petraq Kolevica, Pjeter Pepa,Tonin Alimhilli, Rushen Golemi, Antoneta Malaj, Hasan Halili, Albert Karriqi, Alfred Serreqi, Petrika Minga, Bashkim Kopliku, Sadedin Balla, Tomorr Malasi etj., nuk figurojnë më në PD. Po kështu dhe studentë e pedagogë të grevës së urisë që sollën 20 shkurtin e 1991 si Arben Lika, Afrim Krasniqi, Aleksander Biberaj, Alfred Çako, Arjan Manahasa, Andi Krroqi, Andi Buxhuku, Arben Broci (Deshmor i Demokracisë), Arben Mece, Alfons Zeneli, Bardhul Ukcamaj, Bardhyl Reso, Bashkim Sala, Besnik Jaku, Dritan Shano, Gazmend Oketa,Ilir Kaduku, Kreshnik Spahiu, Myftar Gjana, Omer Stringa, Osman Stafa, Pal Serreqi, Rexhep Karapici, Robert Budina, Romeo Karaj, Shenasi Rama, Tefalin Malshyti e të tjerë emra që janë në librin tim “Deformimi i PD-së”, nuk janë më në PD, megjithëse u futën në grevë të urisë për të sakrifikuar jetën e tyre në emër të lirisë e demokracisë. Kurrë nuk kam qenë kundër as unë dhe as miqtë e mi, që partia të rifreskohet me të rinj e të reja, por jo duke na hedhur poshtë ne të tjerëve, aq më tepër studentë të dhjetorit 1990 që tani janë në moshë 45 vjeçare, pra në kulmin e pjekurisë. Kur them duke na hedhur poshtë , nuk presupozoj se na kanë dëbuar me shkelma.

- Po si ju kanë dëbuar?

- Ne na kanë dëbuar nëpërmjet votimeve të manipuluara, sepse siç e thashë më lart, një pjesë e ka ngritur zërin për mosfunksionim të partisë sipas statutit, të tjerë kanë kërkuar të vendosej parimi i votimit ‘një anëtar, nje votë’, të tjerë kanë ikur me vullnetin e tyre duke mos duruar mungesën e kritikës e të fjalës së lirë, të tjerë janë larguar se jo vetëm në parti, por edhe në shtet u vendosën në poste drejtuese njerëz të pa aftë me diploma fallco, pa parime dhe me qëllim zhvatjen e taksapaguesve shqiptarë dhe shtetit. Të tjerë nuk kanë duruar trysninë që i bëhej për të votuar ata njerëz që ishin paracaktuar nga njëshi dhe klani i tij, të tjerë shihnin korrupsionin në parti, përkrahjen e njerëzve të padenjë për arsye klienteliste të kryetarëve të grupeve të punës së qarqeve që ishin bërë si agallarë të PD-së, gjë që ndikoi edhe në përçarjen e saj nga intrigat, mungesa e transparencës sidomos në përzgjedhjen e kandidaturave lokale në organet e drejtuese si deputetë,kryetarë bashkish e komunash dhe këshilltarë, por edhe në emërime zyrtarësh jo në bazë të arsimit, aftësisë e kontributeve, por në bazë të miqësisë e servilizmit ndaj kryetarëve të grupeve të punës së qarqeve. Ata ishin zoti,ata vendosnin për çdo gjë duke mbajtur pas vetes një grup servilësh që i ushqenin me spiunllëqe dhe me lekë.

- Cilat janë shkaqet e humbjes së PD-së më 23 qershor të këtij viti?

- Shkaqet e humbjes së PD-së në 23 Qershor dolën edhe nga ato që thashë më lart, megjithatë do të them disa që unë mendoj se e çuan PD-në , jo vetëm drejt humbjes së një palë zgjedhjesh,por edhe në dobësimin e saj deri në atë shkallë sa që ajo duhet reformuar në themel jo nga qendra, por direkt nga baza. Ky reformim, nëse bëhet mirë, do të duhen të paktën 12 vjet që PD apo një parti e djathtë e reformuar, të vijë në pushtet. Por nuk është çudi që kjo PD edhe kështu e dërrmuar të vijë në pushtet në 2017 nëse e majta qeveris keq sipas modelit të Berishës. Kur them PD,unë nuk nënkuptoj PD-në,por Berishën. Pra Berisha vjen në pushtet nëse e majta ecën sipas rrugës së berishizmit.

- Ç’është berishizmi, sipas jush?

Berisha në ditën që dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, pas humbjes më 23 qershor 2013
- Berishizmi është mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit autokratik, për të drejtuar e sunduar partinë dhe shtetin jo sipas ligjeve, por sipas interesit e ambicieve personale e klanore, duke shkelur mbi besimin e anëtarësisë e të popullit pa asnjë skrupull moral, me bindjen autosugjestionuese se po i shërbehet popullit dhe demokracisë. Pra shkaku kryesor i humbjes së zgjedhjeve të 23 Qershorit nuk është Partia Demokratike, por kjo mënyrë drejtimi e kryetarit dhe klanit të tij. Vota e 23 Qershorit ishte një kundërshtim i hapur mbarëpopullor anti-Berishë dhe jo anti-Parti Demokratike. Kryetari dhe udhëheqja e partisë u nda nga baza e partisë. Baza e partisë shërbente si fasadë e demokracisë,por aspak si pjesë përbërëse e zgjedhjes se drejtuesve që dëshironte. Masa e gjerë e anëtarësisë demokrate është manipuluar në vazhdimësi pak e nga pak, duke rritur dozën e mashtrimit nga viti në vit në përpjesëtim të drejtë me rritjen e pushtetit personal të kryetarit, që vinte si pasojë e largimit të demokratëve idealistë që ngrinin zërin për praktikën autokrate të drejtimit në shkelje të plotë të statutit të partisë. Gjithashtu kompetencat e bazës së partisë dmth të konferencave e kryesive të degëve ishin të uzurpuara nga kryetarët e grupeve të punës së qarqeve. Këta kryetarë grupesh, ishin anëtarët më influentë të kryesisë së PD-së me mandate ministrash e deputetësh, të cilët mbanin lidhjet e kryetarit me bazën e partisë në mënyrë jo korrekte duke e dezinformuar Atë për zhvillimet në parti, problematikën e saj, goditjen e kuadrove të partisë që ishin kritike ndaj dukurive negative të drejtimit klanor, e mos marrjen në konsideratë të kontributeve të demokratëve. Në krye të partisë në rrethe nuk viheshin të kandidonin figurat me reputacion, me kontribute e të ndershëm, por njerëz që ishin kthyer në beniaminë të kryetarëve të grupeve të punës, në saje të spiunllëqeve , të servilizmit dhe të klientelizmit. Shumë pak demokratë të ndershëm kishin shans të futeshin në kryesitë e rretheve apo në administratë si drejtues, por edhe në këto raste, ata liheshin në hije, nuk pyeteshin për asgjë dhe përçmoheshin në mënyrën më të paturpshme nëpër dreka, darka e takime kulisash nga kryetarët e grupeve të punës dhe servilët e tyre.

- Sa negativisht ka ndikuar berishizmi në PD?

- Ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Anëtarët e grupit të punës që kishin dëshirë të punonin e të mbanin të bashkuar partinë duke promovuar njerëz të ndershëm në drejtim,u duhej shumë punë që të arrinin diçka në interes të partisë. Nëse PD-ja u mbajt deri këtu,ka qenë puna e madhe e demokratëve të ndershëm dhe e anëtarëve të grupeve të punës që nuk u përzien në pisllëqet klanore e klienteliste të kryetarëve, por gjithsesi besimi i demokratëve në ndershmërinë e udhëheqësve të tyre filloi të venitej. Ata e kishin kuptuar tashmë që shkaku i kësaj mënyre drejtimi nuk ishin vetëm kryetarët e grupeve të punës e ndonjë anëtar i tyre që u bënte fresk, por vetë koka drejtuese e partisë që kish vendosur këtë mënyrë veprimi e drejtimi. Anëtarësia filloi të mos shkonte as në mbledhjet e seksioneve, sepse ata nuk kishin asnjë ndikim mbi drejtuesit e partisë. Demokratët nuk pyeteshin për asgjë, ata duheshin vetëm për votime dhe si anëtarë të komisioneve të votimit e numërimit. Sapo mbaronin votimet, nuk interesohej më njeri për ta. Në krye të punëve nuk viheshin demokratë kontribues e të shkolluar, por njerëz të padenjë që ndërronin ngjyrat sipas interesit pa patur asnjë lloj bindje demokrate. Aktivet e partisë që duhej të mblidheshin ndërmjet dy konferencave për të diskutuar punën dhe problemet e partisë e të anëtarësisë së saj, mblidheshin shumë rrallë në mënyrë formale ku fliste kryetari i grupit të punës dhe anëtarët e aktivit mbanin shënime pa patur të drejtë të ngrinin probleme. Edhe kur në ndonjë rast ngriheshin probleme, ato trajtoheshin si të parëndësishme dhe personi që i ngrinte shënjestrohej si grindavec dhe me pas nëpërmjet të votimit të manipuluar largohej nga detyra si anëtar kryesie i degës apo kryetar seksioni. Moszbatimi i statutit të partisë dhe anashkalimi i forumeve të saj në qendër e në bazë u bë diçka e zakonshme. Partia demokratike, si parti e qendrës së djathtë, nuk punoi seriozisht për kthimin e kompensimin e pronave, nuk trajtoi me përparësi integrimin e dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë,nuk punoi për dekomunistizimin e vendit, përveç slloganeve antikomuniste të Berishës. Korrupsioni gjithnjë në rritje filloi të bëhet i padurueshëm veçanërisht pas mandatit të dytë 2009- 2013. Askush që nuk kishte përkrahje, nuk mund te siguronte një vend pune pa paguar, plagë kjo shumë e përhapur veçanërisht në arsim. Z. Rama thotë me të drejtë që drejtorët e gjimnazeve e arsimtarët nuk duhej të nxirrnin nxënësit në mitingjet e PD-së,por ai nuk ka parasysh që pjesa më e madhe e tyre i kish blerë vendet e punës dhe ishin të gatshëm të bënin gjithçka që u thosh punëdhënësi në krye të drejtorisë arsimore. Unë nuk i vë faj arsimtarëve, por shkeljes së ligjit nga funksionarët e PD-së dhe kryetari i saj, i cili gjithmonë bën të paditurin për këto ndodhi. Kjo mënyrë rekrutimi e arsimtarëve me para uli në mënyrë të ndjeshme cilësinë e mësimdhënies. Në arsim u futën njerëz me diploma të falsifikuara apo të blera dhe niveli i përparimit të nxënësve në shumë shkolla filloi të bjerë. Megjithatë ka dhe shumë arsimtarë të ndershëm, të ditur e profesionistë që pavarësisht bindjeve të tyre politike, kanë ndikuar në mbajtjen gjallë të arsimit. E majta duhet të jetë e kujdesshme me largimet nga puna të arsimtareve se jo të gjithë janë të paafte. Arsye tjetër ka qenë rekrutimi në administratë, në shumë raste, i njerëzve të pa arsimuar, por që kishin diploma me nga 2-3 fakultete në një kohë që nuk kishin mbaruar as 8 vjeçaren. Kjo e dobësoi rregullin,disiplinën e ligjshmërinë shtetërore. Njerëzit që nuk kishin të njohur në pushtet, nuk mund të kryenin asnjë punë pa paguar qoftë edhe për një shërbim të vogël. Shërbimi ndaj popullit në pjesën më të madhe të rasteve vlente për të dëshiruar, duke i sorollatur nga zyra në zyrë e mërzitur aq shumë sa që ata u bënë armiq me partinë në pushtet që nuk po vinte rregull në administratë. Krahinarizmi , klientelizmi , nepotizmi dhe dukuri të tjera negative në rekrutimin e nëpunësve në administratën fiskale dobësoi biznesin që tmerrohej nga gjobat e padrejta. Evazioni fiskal ishte një dukuri që çoi në mosrealizimin e të ardhurave buxhetore sepse nuk kryheshin kontrolle veçanërisht në biznesin e madh ku punohet akoma me 2 bilance. Mospagimi i punimeve e shërbimeve të kompanive private nga shteti i asfiksoi ato dhe çoi në pezullimin e ndërtimit të rrugëve e objekteve social-kulturore në afatet e planifikuara megjithë prerjen e shiritave në fillim dhe në gjysëm të punimeve vetëm për populizëm. Shqipëria është vend i vogël dhe çdo gjë mësohet shpejt duke rritur pakënaqësinë në çdo cep të vendit për këto kllounada. Ka edhe shumë faktorë të tjerë,por është detyrë e PD-së të bëjë analizën dhe të shikojë realitetin drejt në sy që të reformohet realisht nga poshtë e jo nga lart.

- Berisha e mori përsipër gjithë përgjegjësinë e humbjes. Po të tjerët në krye të asaj partie, a kanë përgjegjësi?

- Sigurisht që përgjegjës për gjithë këtë humbje ishte zoti Berisha dhe ai dha dorëheqjen. Mendimi im është që dorëheqja e kryetarit duhej bërë pas një analizë të shpejtë e të thelle të të gjitha këtyre shkaqeve duke përcaktuar përgjegjësitë nga poshtë – lart. Z. Berisha ka përgjegjësinë kryesore,por ai nuk është i vetmi faktor negativ ne keq qeverisje te shtetit dhe organizim te administrates partiake e shtetërore. Fill pas tij vine kryetaret e grupeve te punës së qarqeve që dolën më dobët se në 2009. Përgjegjësi kanë kryetarët dhe kryesitë e degëve të partisë në rrethe , kanë përgjegjeësi të gjithë ata drejtues të administratës shtetërore të emëruar nga qeverisja e PD-së që abuzuan me detyrën dhe ngjallën pakënaqësi në popull. Kanë përgjegjësi drejtuesit kryesorë të shtetit që nuk luftuan aq sa duhet korrupsionin, por një pjesë e mirë e tyre u bënë bashkëshoqërues të zyrtarëve të korruptuar.

- Në një libër botuar para tre vjetësh të titulluar “Deformimi i Partise Demokratike” ju i kini bërë një skaner të thellë PD-së që nga themelimi i saj. Mirëpo zërat kritikë brenda Partisë Demokratike ose nuk dëgjohen, ose shmangen nga diskutimi. Pse ndodh kështu?

- Libri im i “Deformimi i Partisë Demokratike” i botuar në janar të vitit 2010 është një shqetësim për eleminimin e demokracisë së brendshme në parti, në shmangjen e saj nga statuti dhe mos funksionimi i organeve të zgjedhura, largimi i mijëra demokratëve të ndershëm nga partia nëpërmjet votimit të manipuluar për të shmangur fjalën e lirë dhe kritikat e tyre. Aty trajtohet problemi i kalimit të partisë në kahun e majtë, megjithëse është një parti e sanksionuar si e qendrës së djathtë. Ajo u kthye në një parti të njëshit ku pozicionet e saj politike ktheheshin sipas interesave pushtetore të kryetarit, pa marrë mendimin dhe vendimin e Këshillit Kombëtar. Nuk ka patur asnjë reagim nga PD-ja ndaj këtij libri se nuk kanë dashur ta faktorizojnë atë dhe autorin. Ka reaguar e majta që i interesonte mendimi kritik i një demokrati ish themelues.

- Sidoqoftë, PD-ja është përtërirë me gjak të ri, sikurse thoshnim dikur. Pas dorëheqjes së Berishës, pas humbjes së 23 qershorit, në krye ka dalë Lulzim Basha. A beson se PD-ja do të përtërihet dhe ringrihet me zotin Basha?

- Mendoj se zoti Basha nuk ka mundësi objektive te shkëputet nga zoti Berisha i cili është bërë një figurë e papëlqyeshme në shumicën e popullit,por edhe në një pjesë të mirë të së djathtës. Për sa kohë të jetë z. Berisha në krah, para ose pas z. Basha, PD-ja nuk do të ketë mundësi të rimarrë veten. Nëse PD-ja do të ngelet vetëm në dorë të zotit Basha dhe të një Këshilli Kombëtar dhe kryesie të re, pa atë pjesë të drejtuesve që humbën në qarqet e tyre,shpresoj që PD-ja të reformohet e të marrë veten pas të paktën 8 vitesh. Zoti Berisha është një politikan i zoti,por pa skrupuj moralë e politikë dhe pa ndjeshmëri ndaj anëtarësisë e elektoratit shqiptar,prandaj qenia e tij në krah të zotit Basha, apo përdorimi i zotit Basha si kukull, nuk do t’i shërbente PD-së. Spostimi real i zotit Berisha nga drejtimi i partisë dhe lënia liri veprimi Bashës dhe kryesisë së re të zgjedhur me votim të ndershëm, do të ishte hapi i parë i tij në favor të ribashkimit të PD-së,ndryshe, PD-ja e ka mbaruar një herë e mirë misionin e saj dhe nga viti në vit do të rrudhet.

- Vitin e fundit doli dhe një parti e re e djathtë, Frymë e Re Demokratike nën drejtimin e Bamir Topit. Cili është mendimi juaj për atë parti dhe a duhet të shpresojnë demokratët se FRD është një forcë e së ardhmes për ta?

- Formimi i partisë Fryma e Re Demokratike (FRD) ishte një protestë ndaj mbytjes së mendimit e fjalës së lirë në PD, ishte një reaksion ndaj eliminimit të demokracisë së brendshme në PD dhe i uzurpimit të saj nga një njeri e një klan rreth tij që nuk pyesnin as për statut e as për forume të partisë, që zgjidheshin me vota të manipuluara dhe thurnin intriga deri në largim të demokratëve të ndershëm e idealistë me bindje të qendrës së djathtë , të cilët kërkonin që morali politik të udhëhiqte veprimtarinë e partisë me një drejtim kolegjial, të ndershëm e demokratik me rotacion pas dy mandatesh të kryetarit të partisë. FRD-ja është parti e qendrës së djathtë me një program thellësisht demokratik në funksionet e saj, dhe me një vizion për shtetin e qytetarin si njeri i lirë në jetën sociale, politike e ekonomike. Gjatë një viti jetë, kjo parti mundi të grumbullojë rreth vetes mijëra demokratë ç’ka u finalizua në 23 qershor me fitimin e 30 mijë votave, rezultat shumë i mirë, por jo brenda parashikimeve për marrjen e disa mandateve në parlament. Çdo fillim është i vështirë, aq më tepër kur partia nga e cila lindi iu kundërvu me shumë forcë sikur FRD-ja të ishte një armik politik dhe jo një aleat i ardhshëm, sigurisht pa Berishën. Për sa kohë të jetë influent zoti Berisha në PD, për aq kohë FRD-ja nuk do të bëjë aleancë me PD-në. Mendoj se pas 4 vjetësh kjo parti do të thithë në radhët e saj demokratët e larguar nga PD-ja, duke u kthyer në një force reale e qendrës së djathtë. Unë nuk kam dhënë ndonjë kontribut në këtë parti për një sërë arsyesh, më shumë vetiake. Për këto arsye nuk do të aktivizohem më në FRD, megjithëse do te mbetem simpatizant i udhëheqjes së saj qytetare dhe intelektuale. Nëse zoti Basha do të ishte i lirë të pranonte koalicion me të, besoj se FRD-ja do të bashkëpunonte me PD-në. Por nëse zoti Berisha do të qëndronte pas zotit Basha si njeri influent, do të bëhej shkak për mos arritjen e këtij bashkëpunimi. Anëtarët e PD-së që do të largohen prej saj nuk shohin strehë tjetër të qendrës së djathtë përveç FRD-së. Pse them përveç FRD-së? E them për arsye se partitë e tjera të qendrës së djathtë që janë aleate të PD-së, do t’i futnin këta demokratë përsëri nën sqetullën e Berishës për shkak të të cilit ata ishin larguar. E vetmja parti e qendrës së djathtë që nuk pranon bashkëpunim me Berishën është FRD-ja. Me sa kam parë në TV,edhe Partia e Legalitetit me kryetarin e ri kane shfaqur mendimin e largimit nga tutela e Berishës. Edhe kjo mund të jetë një strehë e idealistëve të djathtë. Mënçuria e PD-së dhe sidomos vullneti politik i Berishës për të mos u bërë pengesë e aleancave të djathta, duke qëndruar në krye të PD de facto, do të ishte një katarsis për të dhe ndihmë për rimëkëmbjen e PD-së. Të pranosh përgjegjësinë e rrokullimës së PD-së dhe të qëndrosh përsëri në hije në krye të saj, madje edhe ta pengosh në iniciativat reformuese, është një faj i pafalshëm.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.