Biblioteka Kombëtare dixhitalizon harta të rralla shek. XVI e XVIII

Postuar në 11 Prill, 2012 05:44

Biblioteka Kombëtare ka dixhitalizuar hartat që zbulojnë demografinë, etnologjinë por edhe historinë e trevave shqiptare nga shekulli i XVI deri XVIII. 

Tashmë 54 hartat mund të shihen në faqen online të BKSH-së dhe mund të përdoren lehtësisht nga studiuesit, të cilët e kishin të pamundur të konsultoheshin me to për shkak të kushteve fizike të këtyre antikuarëve. Hartat i përkasin hartografëve të njohur si Mercator, Gastaldo, Cantelli, Coronelli, Sanson, Ortellio, Konard etj dhe puna për dixhitalizimin e tyre ka zgjatur 3-4 muaj. Shefja e sektorit të albanologjisë Behije Luga është shprehur se dixhitalizimi i këtyre hartave siguron qasjen pa kufij ndaj tyre, në dallim nga më parë, kur studiuesit e kishin të vështirë për vetë materialin e brishtë të hartave. 

“Realizimi teknologjik ishte pak i vështirë. Pas një studimi të detajuar dhe të gjatë, pjesa e skanimit ishte e vështirë dhe na pengoi shumë, por falë ndihmës së palodhur të një të riu, ia dolëm mbanë”, tha Behije Luga në prezantimin e projektit më të ri të BKSH-së. 

Projekti do te vijojë edhe me hartat të cilat ndodhen brenda librave apo vëllimeve të caktuar, pasi procesi i dixhitalizimit ka nisur prej tre vitesh në këtë institucion. Disa prej këtyre fondeve janë dixhitalizuar dhe publiku mund t’i shikojë në faqen online www.bksh. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.