Berat, fituesi i kryqit akuzon mitropolinë për dallime fetare

Postuar në 07 Janar, 2013 06:17

 

Uji i Bekuar

“Meqë jam mysliman, më dhanë çmim më të vogël se të krishterëve”

Mimoza Sinanaj

Festa e Ujit të Bekuar, e cila mbahet si çdo vit më 6 janar, sivjet në Berat është kthyer në një debat për dallime fetare mes besimtarëve me fe të ndryshme. Këto akuza vijnë nga personi që arriti të nxjerrë kryqin e hedhur në ujë, rit i përvitshëm, që ka akuzuar mitropolinë, pasi, sipas tij, ka bërë dallime për faktin se ai është mysliman, duke i dhënë një çmim shumë herë më të vogël sesa çmimet që u kanë dhënë besimtarëve të krishterë.

Ceremonia

Ashtu si çdo vit, festa ka mbledhur në qytetin e Beratit mijëra të pranishëm të ardhur nga i gjithë vendi, si dhe më gjerë. E konsideruar si festa që mbledh besimtarët, pavarësisht besimit të tyre fetar, dita e 6 janarit është ndjekur dje edhe nga deputetë të këtij qarku dhe pushtetarë vendorë. Ceremonitë fetare të kësaj feste, e cila e ka zanafillën që me pagëzimin e Jezu Krishtit nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan, nisën dje në Katedralen e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit. Më pas, me kryqin e shenjtë në duar, imzot Ignati, peshkop i Beratit, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, shoqëruar nga kori i kishës dhe qindra besimtarë, ka përshkuar qendrën e qytetit për të mbërritur në lagjen “Goricë”, ku është bërë edhe hedhja e kryqit në ujë. Me gjithë temperaturat e ulëta, 11 djem beratas kanë hyrë në ujërat e ftohta të lumit, në pritje të hedhjes së kryqit. Pasi ka bekuar kryqin, imzot Ignati e hodhi atë nga ura shekullore e Goricës. Kryqin arriti ta nxjerrë nga lumi 34-vjeçari Edmond Gjeçi, i cili ndonëse i përket besimit mysliman, ai është i pagëzuar dhe për të disatën herë ndër vite ka arritur të kapë dhe nxjerrë nga lumi kryqin e shenjtë. Më pas, kori i kishës i është drejtuar sërish katedrales, ku është bërë dorëzimi i kryqit.

Akuzat

Sipas traditës, personi që merr kryqin në ujërat e lumit Osum, që rrjedhin në Berat, duhet të trokasë derë më derë dhe të marrë falënderime dhe bekime nga qytetarët, të cilët mund t’i japin edhe dhurata. Çdo vit, tradita ka qenë e njëjtë, por sivjet ka pasur disa ndryshime, që sipas Edmond Gjeçit nuk janë të rastit. Vetë poseduesi i marrjes së kryqit, 34-vjeçari Gjeçi, është shprehur shumë i indinjuar, pasi, sipas tij, mitropolia bën diferencime. Pas marrjes së kryqit, 34-vjeçari nuk është lejuar të shëtisë derë më derë me kryqin e nxjerrë nga lumi, ndërsa shuma e parave e caktuar si për çdo vit, këtë herë është tkurrur minimalisht deri në 5 mijë lekë. I indinjuar, Gjeçi është kthyer nga mediat, duke u shprehur se kjo bëhet për shkak se është mysliman. “Mitropolia po bën dallime fetare mes qytetarëve të Beratit. E them këtë, pasi shumat e parave të dhëna për personin që nxjerr kryqin nga uji kanë qenë shumë herë më të mëdha se ajo që më dhanë mua. Madje, ata nuk më lejuan të trokas derë më derë për të marrë falënderimet e qytetarëve”, u shpreh i indinjuar Edmond Gjeçi. Ai ka marrë shembull vitin e kaluar, ku vlera e parave që mori “fituesi”, ishte rreth 10 herë më e madhe se ajo e dhënë dje. Për çdo vit, festa e hedhjes së kryqit është kryer në një atmosferë festive, por sivjet, duket se këto akuza ia kanë prishur hijeshinë kësaj feste fetare.

Elbasan

Festa, dy kisha me ceremoni të veçanta

Dita e Ujit të Bekuar ose e hedhjes së kryqit ndiqet nga dy ceremoni të veçanta prej besimtarëve ortodoksë në Elbasan. Shkak për këtë është konflikti që ekziston midis famullitarit të kishës ortodokse autoqefale të Shën Mërisë në Kala dhe institucionit tjetër kishtar ortodoks, që përfaqësohet nga kryepeshkopi Janullatos. Ceremonitë janë zhvilluar në të njëjtën orë në kishën e Shën Mërisë dhe në kishën e Shën Kollit në Elbasan. Në kishën e Shën Marias në Kala, kryqi i hedhur nga atë Nikolla Marku u gjet nga 11-vjeçari Nikolla Xhufka, me banim në këtë lagje, ndërsa në kompleksin Ajek, kryqi i hedhur nga peshkopi Andon, u gjet nga 18-vjeçari Marvin Shëngjergji. Duke përshëndetur besimtarët për festën, atë Nikolla Marku u shpreh se kjo është një ditë, e cila duhet t’i gjejë të bashkuar besimtarët dhe se kisha shqiptare duhet të ketë administratën e saj me gjuhë e gjak shqiptar. Ndërsa atë Andoni i ka uruar besimtarët për një vit të mbarë me plot paqe, harmoni e mirësi të bekuar nga uji i perëndisë.

 

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.