Basha takim me vendorët: Policia ka kapitulluar përballë krimit, qeveria e paaftë

Kryetari i Partisë Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me të zgjedhur vendorë, nga ku ka lëshuar akuza për drejtuesit e shtetit si përgjegjës për situatën e rendit në vend, që sipas tij, është e rëndë.
“Krimi po godet haptazi qytetarët, zyrtarët, biznesmenët dhe komisariatet. Kjo situatë është para së gjithash produkt i kapitullimit të policisë përballë krimit, jo si përgjegjësi e punonjësve të forcave të rendit, por si pasojë e vullnetit të mbrapshtë politik. Policia sot ka kapitulluar përballë krimit”, tha Basha.
Basha i kërkoi të zgjedhurve vendorë, që të bëjnë gjithçka për të vendosur interesin publik mbi interesin personal dhe të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre në shërbim të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike.
“Në emër të të zgjedhurve dua të bëj një apel ndaj zyrtarëve të policisë së shtetit. Dua t`ju them që në punën e tyre ka vështirësi për shkak të një presioni të paprecedentë politikë dhe në detyrën e tyre në mes të kësaj katrahure nuk janë vetëm. Se ne pushteti vendor vendosim interesin e qytetarëve tanë dhe do të vazhdojmë t’i japim gjithë mbështetjen tonë. Ne e dimë që s`ka asgjë më të çmuar sesa paqja sociale, ndaj mos u trembni dhe mos u tërhiqni, zbatoni ligjin. Viroza politike që ka kapur shtetin nuk është e përhershme, por mund të bëhet shumë shpejt e djeshme. Mos iu nënshtroni presionit politik. Bashkëpunoni me të zgjedhurit vendor, bashkëpunoni me qytetarët”, shtoi më tej Basha.
Basha nga ana tjetër theksoi se gjendja ekonomike po ashtu është e vështirë dhe se drejtuesit e vendit nuk kanë politika për të nxitur zhvillimin, dhe as politika për rrije pagash dhe pensionesh.
Shqip
Add new comment