Basha: Rama sulmoi Europën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cilësoi të dështuara 100 ditët e para të qeverisjes së kryeministrit Rama.
Gjatë një konference për shtyp në selinë blu, Basha tha se Rama humbi përballë rinisë kundër armëve dhe ligjit kundër aktit normativ, e mbi të gjitha dështoi në marrjen e statusit.
“Statusin nuk na e dha. Fajin, sipas kryeministrit, e kishte opozita dhe Britania, Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka, etj. Të akuzosh partnerët europianë si ekstremistë, apo nën diktatin e ekstremizmit, kjo nuk është gjë tjetër veçse papërgjegjshmëri. Deklaratat e partnerëve tanë që pasuan qëndrimin e kryeministrit ishin më të ashprat, që kemi dëgjuar ndonjëherë. Opozita dhe shqiptarët u distancuan menjëherë nga retorika e papërgjegjshme. Miqtë dhe partnerët europianë e dinë, madje e kanë provuar këto vite, se ky nuk është qëndrimi i shqiptarëve. Ndaj, i bëj thirrje sot kryeministrit të vendit, në emër të çdo shqiptari, që e sheh integrimin europian si projektin më të madh të Shqipërisë, t’iu kërkojë ndjesë miqve tanë”, tha Basha.
Basha u shpreh se kryeministri Rama po cënon marrëdhëniet e mira me shtetet e rajonit.
“Marrëdhëniet me partnerët tanë të përhershëm në rajon kërkon t’i personalizojë dhe t’i kundërvejë me partnerët e tjerë strategjik, duke ngatërruar konceptet dhe ligjësitë në hapësirë dhe në kohë. Ne e dimë, se nuk ka as patriotizëm dhe as vizion, por vetëm ego për pushtet në këtë marramendje. Ndaj dhe premtimet e tij të bujshme për bashkime doganore dhe heqje kufijsh i shkeli me këmbë, siç ia vuri në dukje së fundmi Oda e Tregtisë së Kosovës, lidhur me akcizat e importeve nga Kosova”, theksoi më tej Basha.
Sipas kreut të opozitës, qeveria bën vetëm propagandë.
Top Channel
Add new comment