Balla:Erdha në Gjykatë, por nuk gjeta paditësin. Jamarbër Malltezi: Mos u fshih pas gënjeshtrave

Procesi gjyqësor i nisur pas padisë së ngritur nga Jamarbër Malltezi ndaj Taulant Ballës, ka shërbyer si objekt akuzash në distancë mes dhëndërrit të Berishës dhe deputetit socialist. Ky i fundit, pas shtyrjes së procesit gjyqësor në ngarkim të tij, ka akuzuar se Gjykata e Tiranës është kthyer në një ankesë të oborrit të Kryeministrit. Balla ka deklaruar se është paraqitur në seancë, por aty ka munguar paditësi, Jamarbër Malltezi.
“Erdha sot në Gjykatën e dhëndrit të vajzës së vjehrrit Kryeministër, por nuk e gjeta paditësin. Sigurisht nuk kam asnjë iluzion te kjo ndërtesë, e cila tashmë është kthyer në një aneks të kuzhinës së Saliut,por kjo nuk do të thotë që ne do të heshtim dhe nuk do të vazhdojmë të denoncojmë e të kërkojmë shpjegime nga ky pushtet, për rryshfetet shumë milionëshe që merr”, tha Balla. Deputeti i PS-së, ka theksuar se nuk do të heqë dore nga akuzat për familjen e kryeministrit.
Menjehërë pas publikimit të lajmit ka reaguar dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Ai u shpreh nëpërmjet një njoftimi për shtyp se ka qenë në gjykatë ndërsa akuzoi Ballën si mashtrues.
“Disa media pasqyruan sot reagimin e deputetit Balla, i cili me paturpësi i tha publikut se pala paditëse nuk kish qenë sot në gjykatë e për pasojë ishte shtyrë seanca. Mashtruesi nuk heq dot dorë nga vesi i tij edhe kur faktet janë publike nëpërmjet faqes se internetit të Gjykatës së Tiranës nga e cila provohet lehtësisht se përfaqësuesi ligjor i paditësit, Jamarbër Malltezi sot ka qenë prezent dhe pjesëmarrës në seancën e procesit kundër Taulant Ballës për shpifje. Seanca është zhvilluar normalisht në prezencë të të dy palëve ku z. Balla është njohur zyrtarisht me padinë për shpifje. Pjesëmarrja e përfaqësuesit ligjor në proces mund të verifikohet nga kushdo në proces-verbalin e seancës i cili afishohet në faqen e internetit të gjykatës.
Deputeti Balla ka qenë prezent së bashku me avokatin e tij dhe është përballur me avokatin e Z. Malltezi dhe për rrjedhojë është fare i ndërgjegjshëm për gënjeshtrën që artikulon para shqiptarëve. Por, as kjo gënjeshtër dhe as të tjerat që thotë, nuk i bëjnë përshtypje sepse gënjeshtra është në natyrën e tij dhe të shefit të tij. I bëjmë thirrje zotit Balla të vijojë të vijë në çdo seancë të këtij procesi dhe të mos fshihet pas gënjeshtrave të tij”,- shprehet Malltezi në një njoftim për shtyp.
Në padinë e ngritur nga zoti Malltezi ndaj deputetit socialist Taulant Balla kërkohet një dëmshpërblim prej 2 milionë lekësh për akuzën e shpifjes.
SHQIP
Add new comment