Abuzimet e Tafajt, Veliaj: Do të paditet sapo auditi të mbarojë punë.

Qeveria shqiptare, dhe më konkretisht Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë do të dorëzojë shumë shpejt një kallëzim penal ndaj kryetarit shoqatës së të verbërve Sinan Tafaj për abuzimet që ky i fundit ka bërë me fondet e dhëna nga qeveria për këtë kategori të qytetarëve. Deklarata erdhi nga vetë Ministri Erion Veliaj, i cili i ftuar në studion e televizionit A1 Report, theksoi se kallëzimi penal do të dorëzohet sapo të mbarojë punën grupi i auditit për abuzimet e kryera me fondet e qeverisë.
Dje, gazeta “Shqiptarja.com”, publikoi faktet për abuzimet e kryera nga Tafaj, të cilit iu dhanë nga qeveria për ndërtimin e një qendre për të verbrit në Vaqarr, qendër kjo e cila nuk u hap asnjëherë. Lidhur me këtë fakt Ministri Veliaj tha se auditi i ngritur nga dikasteri që ai drejton, ka zbuluar se gjendja është më e rëndë nga sa ishte paraqitur fillimisht, ku siç theksoi ai që në ditën e parë të punës së bërë nga auditimi, u zbulua edhe një abuzim tjetër në vlerë 2.3 milionë dollarë i dhënë nga qeveria për menaxhimin e qendrës, duke e çuar shifrën e abuzimit në një vlerë rreth 3.4 milionë dollarë.
“Duhet ta pranojmë se nga media juaj morëm vesh lajmin pasi nuk ka arkivë fare, dhe ngritëm një grup auditi, por gjërat janë edhe më keq se sa është dhënë në mediat tuaja. Zbuluam se qeveria ka dhënë edhe 2.3 mln dollarë për menaxhimin. 3.4 milionë dollarë mua më duket një shumë e madhe për një vend të varfër. Auditi gjeti që në ditë të parë që gjendja është edhe më e rëndë dhe do të bëhet procedim penal. Ne kemi lëshuar procedim edhe për një mjek që ka lëshuar një recetë kempi, dhe jo më për abuzime miliona dollarësh.” theksoi ministri Veliaj
Për këtë, Veliaj tha se do të dorëzohet një kallëzim penal ndaj Tafajt në Prokurori, ku kjo e fundit sipas ministrit duhet të zbulohjë edhe rrugët e pastrimit të parave të përdorura nga kreu i shoqatës së të verbërve.
“Nuk e kam idenë dhe nuk më intereson dhe për sa kohë po vuajnë njerëz prej këtij monopoli do të bëjmë një procedim penal. Reagimi i parë është që për të mos ju hedh sy njerëzve, qartazi kjo nuk është historia e një personi që nuk ka bukë për të ngrënë. Ky me sa duket milionat e dolarëve po i ngurtëson diku tjetër dhe jo tek të verbrit. Do të pres auditin për të proceduar të plotë padinë. Unë gjykoj që ka një hapësirë në të gjitha strukturat e pastrimit të parave, por do të jetë Prokuroria që do të bëjë hetimet pasi të dorëzojmë padinë.” nënvizoi Veliaj
"33% e listës së PAK janë fiktivë, proteston kujt i shkelet kallo"
Lidhur me protestat e organizuara dje nga Persona me Aftësi të Kufizuar për kundërshtmin e projektligjit të kategorisë së cilës ata i përkasin, Veliaj tha se kjo protestë ishte sipas tij e atyre personave që siç i cilësoi ai “u shkelet në kallo.” Ai u shpreh se në listën e personave me aftësi të kufizuar janë gjetur shkelje duke shtuar se edhe raportet e Bankës Botërore kanë zbuluar se 33% e personave në listë janë fiktivë.
Ministri nënvizoi se sa për çdo shtim fiktiv në listë është lënë jashtë një perosn vertët nevojtar, dhe ligji i ri synon pikërisht të përmirësojë këtë aspekt.
"Së pari duhet të kthehem një sekondë mbrapsht, protestat nuk janë shenjë e keqe, ka reagime se është një reformë e mirëfilltë. Kjo reformë shkel në kallo të disa njerëzve, ka kosto të disa njerëzve që kanë bërë shkelje dhe abuzime. Si mbërritëm deri këtu? Po shkonim në një situatë ku skema shkon jashtë kontrollit. Vetë Banka Botërore në raport thotë se 33% e listës na rezulton fiktive. Si ka mundësi në vitin e fundit elektoral rritja e bazës u bë me 12% ndërsa në vitin tonë u ul me 2%. Kjo do të thotë se ka pasur abuzime. Për çdo njeri fiktiv që futet në skemë është lënë dikush jashtë që e meriton dhe janë nevojtarë." tha ministri
"Ligji i ri shton të drejtat, jam konsultuar edhe me tre drejtuesit e PAK"
Duke shpjeguar risitë që sjell projektligji në fjalë, Veliaj vuri në dukje se ai nuk sjell kufizime të të drejtave por përkundrazi shtim të tyre.
“Tanimë nuk ka status të veçantë por të gjithë kanë status. Një njeri që ka 30% verbëri dhe një 100% nuk mund të marrin të njëjtën pagesë. Do të bëhet edhe kjo lloj ndarje. Ligji i ri nuk i kufizon të drejtat i shton. Për kategoritë në nevojë ndihma do të shtohet. Ajo që protestohet është se ata që janë në shoqatë kanë shtuar njerëz fiktivë. Si mund të jesh kryetar i të verbërve dhe të gjykosh një të verbër kur vetë nuk sheh.” u shpreh Ministri i Mirëqënies Sociale, duke shtuar se për këtë projektligj, është konsultuar edhe me të tre drejtuesit e shoqatave të PAK dhe është sërish i gatshëm të takohet me ta.
“Edhe fakti se po bëjmë këtë debat tregon se sa ka ecur shoqëria kur po flasim për zgjerimin e të drejtave. Me të tre drejtuesit e shoqatave kemi pasur konsultime. Është njësoj si ti thuash dikujt që ka monopol do të kesh konkurencë. Procesverbalet janë aty ne i kemi pasur prezentë. Deklarata e FMN për mbështetjen e këtij ligji erdhi dy ditë para prezantimit të tij në komision. Të tre drejtuesit e shoqatave i kam takuar vetë. Abdullah Murri më mbështeti, jam gati ti pres vetë, i kemi pritur çdo javë. Natyrisht kur dikush kërkon një sjellje monopoliste unë jam për të mbështetur interesin e shoqërisë civile.” tha Veliaj
"Totozani ka qenë në konsultimet e ligjit, të qëndrojë krah personave në nevojë e jo abuzuesve"
Ministri Veliaj foli edhe për Avokatin e Popullit Igli Totozani ku u shpreh se pavarësisht deklaratave të këtij të fundit se nuk ka qenë në konsultimet e projektligjit për personat me aftësi të kufizuar, sipas Veliaj janë procesverbalet që e vërtetojnë prezemncën e tij.
Veliaj i bëri apel Totozani që të qëndrojë në krah të personave në nevojë dhe jo sipas tij krah abuzuesve.
“Avokati i popullit thotë se nuk ka qenë por është e vërtetuar nga procesverbalet se ka qenë prezent në konsultimin e këtij projektligji. Kam një pyetje për Avokatin e Popullit, e kuptoj që ndihmon të përndjekurit që nuk kanë bërë asnjë ditë burg, që ndihmon bosët e shoqatave për financimet dhe se si kanë dhënë aftësinë e kufizuar, po për njerëzit e ndershëm çfarë do të bëhet? Unë kam zgjedhur të jem me një shumicë me të drejtë morale që rri e nuk bën zhurmë se një pakicë abuzive që bën zhurmë.” u shpreh Ministri
Add new comment