“Epidemi” e tumorit në vend

Në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Shëndetësisë, shefi i pavionit të onkologjisë në QSUT, doktor Agim Sollaku dha alarmin e rritjes së numrit të pacientëve me 6 mijë raste çdo vit.
Zoti Sollaku ka kërkuar vëmendjen e deputetëve për problemet që hasin specialistët në trajtimin e të sëmurëve me kancer, ku më kryesori janë mungesat e theksuara të barnave dhe mungesa e onkologëve në spitalet rajonale.
Zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahiu ka deklaruar se që nga viti 2005 e deri më sot është 5-fishuar buxheti për citostatikët, medikamentet bazë të trajtimit të pacientëve me tumor. Sipas tij, prioritet i ministrisë është fuqizimi i spitaleve rajonale me aparatura diagnostikuese bashkëkohore si mamografitë, skaneri dhe rezonanca.
Opozita ka kërkuar sqarim nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë mbi zhvillimin e tenderave të barnave për të sëmurët me tumor.
Drejtori ekonomik në ministri, Sajmir Kadiu ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar qeverisë të ndryshojë ligjin për prokurimet për të lehtësuar proçedurat e blerjes se barnave nga ana e spitaleve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së shëndetësisë rritja e shpejtë e tumoreve në Shqipëri erdhi pas viteve ’90 kur ndryshoi edhe mënyra e jetesës së shqiptarëve.
Mënyra e të ushqyerit, ndotja dhe jeta sedentare janë disa prej faktorëve që rendisin specialistët, por sipas tyre, tumorët në të gjithë botën janë vrastarët më të mëdhenj të njerëzve pas sëmundjeve kardiovaskulare.
top-channel.tv
Nga ana e saj ministria ka deklaruar se një hap për parandalimin e tumorëve është futja në kalendarin e vaksinimit të vaksinës kundër hepatitit B e cila parandalon kancerin e mëlçisë. Ndërkohë po punohet për futjen në kalendar dhe të vaksinës kundëer kancerit të qafës së mitrës tek moshat 13 vjeç.
Add new comment