Vuhani i Shqipërisë

Një takim i kryeministrit në detyrë, Edi Rama, me kandidatë të Partisë Socialiste në Qarkun Vlorë, ofron një shembull të mirë për të kuptuar distancën përherë e më të madhe mes pushtetit dhe një pjese të qytetarëve. Në raportimin e bërë me këtë rast, Agjencia Telegrafike Shqiptare veçon p.sh këto komente të z. Rama:
Kjo skuadër ka cilësi që nuk i ka pasur asnjëherë më parë në qarkun e Vlorës. Besoj se është një cilësi që e reflektojnë edhe skuadrat e qarqeve të tjera, por këtu në Vlorë është specifike. Ka një harmonizim të shkëlqyer midis ambicies dhe qëllimeve tona, dhe shoqërisë së përbërë nga komunitete, prejardhje dhe opinione jo gjithmonë të njëjta.
Me këtë skuadër i japim qarkut të Vlorës një ofertë që nuk ja kemi dhënë më parë me këtë lloj larmie dhe me kaq shumë mundësi për të zgjedhur edhe brenda skuadrës, duke i folur të gjithë komuniteteve, duke dhënë mesazhin e qartë që askush nuk duhet të ndihet as i pa përfaqësuar, as i papërfillur”
Për cilat komunitete është fjala në një qark si Vlora, pasi është e vështirë të kuptohet tashmë ndarja klasike mes grupeve të ndryshme? Z. Rama luajti një lloj teatri politik pak ditë më parë me një kandidate nga Vlora që ishte zënë dikur me të e pastaj u kthye me PS-në, sepse iu faneps vegimi se mund ta bënte Shqipërinë dhe Vlorën më të mirë nga sa është. Por këto janë më bajate sesa Parodistët e Vlorës që mbeten asat e bajates dhe humorit banal në Shqipëri.
Z. Rama sugjeron këtu zgjidhjen e një problemi gati inekzistent më: përfaqësimin e të gjitha komuniteteve. Por cilat komunitete kanë mbetur në Jugun e Shqipërisë? Kanë mbetur votues padyshim, njerëz që vegjetojnë në administratë dhe një valë e madhe të ardhurish nga fshatrat që bredhin lart e poshtë të krekosur si autoktonët e larë një herë në javë të Ardit Bidos. Që meqë ra fjala është në listë të hapur në Sarandë, me gjasë si përfaqësues i arkivistëve dhe koleksionistëve shqiptarë, diasporë kjo e përjetshme e realitetit.
Kryeministri po tund tani flamurin dhe devizën “Një Parti për Shqipërinë”, që është asgjë më shumë sesa akti i fundit i tradhëtimit tonë permanent të çdo ideje të Lirisë. Ne e urrejmë Lirinë dhe përgjegjësinë që vjen me të, ndaj mesazhe të tilla guxohen të formulohen vazhdimisht. Ne urrejmë edhe të Mendojmë me kokën tonë, ne madje po dëshmojmë se Shqipja është nën një sulm të paprecedentë dhe instinktiv nga gjallesat sociale shqipbelbëzuese që kanë një pasaportë, një identitet dhe të drejta të barabarta me ata që kanë diçka më shumë sesa detyrim ta dinë shqipen. Edhe e ndjejnë si të tyren.
Të parët kanë derën e madhe të Partisë Socialiste, një pjesë janë nxënës dixgjitalë hoxhallarësh të cilëve u drejtojnë pyetje para-gjinekologjike, të tjerë më tutje frekuentojnë shkollën e hapur të Big Brother. Çdo shoqëri ka institucionet e veta të arsimimit, të edukimit, edhe shqiptarët kanë të tyret. Shtoi kësaj pellazgologjinë e dallkaukëve dhe kështu ideologjia e re e ekzistencës krenare vetëpërmbushet si një mision mburravecësh, aritmetika e vetme e të cilëve është të numërojnë sa para kanë në portofol.
Një flet, të tjerët dëgjojnë. Çdo dialog, çdo diskutim është zhurmë e kotë. Këtë kupton njeriu – ka ende njerëz në botë – kur sheh monologun e një individi të vetëm si z. Rama përballë atyre që i quan kandidatë. Të cilët edhe pse kanë marrë përsipër siç thotë kryeministri, dy qëllime të mëdha: “Shtyrja deri në fund e procesit të negociatave me BE dhe rritja e cilësisë së jetës, atraksionin e ofertës që ka Vlora, Saranda, Delvina, Konispoli, Finiqi, Selenica, për t’i dhënë një fuqi të shtuar komuniteteve, ekonomisë vendore, jetës sociale etj.”, nuk flasin. Rrinë si të pagojë. Ne nuk e dimë çfarë dinë këta, çfarë kanë bërë.
Edhe një kamarier në restorant të shpjegon se për çfarë bëhet fjalë në “specialitetin e ditës” në menunë e vet. Ne gjellën socialiste duhet ta hamë siç na e sugjeron i njëjti individ që helmoi vendin që nga viti 2002, që nuk ka ndalur për asnjë moment korruptimin dhe kooptimin. Që shan, akuzon, pështyn, lëpin, fshihet dhe kapardiset duke menaxhuar jermin e së ligës që ka kapluar këtë vend. Nga Banaku i vet, që ngrihet majë buxhetit, mullar mbi të gjitha fekalet e mundshme, ventilator i pandalshëm i çdo virusi.
Fundja partia e z. Rama, është ai sistemi që i korrupton të gjithë, e për të cilët ai foli disa kohën më parë. Nuk ka asnjë sistem tjetër që të ketë afektuar në mënyrë simptomatike, topitëse, kooptuese dhe deformuese sesa PS-ja, që është Vuhani i përjetshëm i Shqipërisë.
Add new comment