Zhargoni ballkanik për demokracinë - nga Bosnja në Tiranë
Në proncimin e tij pas takimit me Milorad Dodik, presidenti serb, Vucic, ndër të tjera tha se:
Ne dimë sesi ta lexojmë Marrëveshjen e Dejtonit dhe nuk na shqetëson e ashtuquajtura Fryma e saj, pasi sapo nis të flasësh për Frymën e një marrëveshjeje, do të thotë se ke nisur të mashtrosh dhe gënjesh
Interpretimi erdhi si një replikë ndaj akuzave se Beogradi nuk po respekton frymën e Marrëveshjes së Dejtonit dhe integritetin territorial të Bosnjes.
E vërteta këtu është diçka tjetër. Vucic është i detyruar të mbrojë Milorad Dodik nga një dënim penal që mori së fundmi duke vlerësuar se pas këtij akti ka një politikë subversive që synon të çmontojë asetet serbe në rajon. Më tej akoma: duke qenë se Dodik është më tepër një aset rus dhe nuk ka marrëdhënie personale të mira me Vucic, ky i fundit duhet të bëjë edhe diçka që nuk i pëlqen; të mbrojë Dodik nga Perëndimi për llogari të rusëve që kanë si interlokutor të preferuar në Serbi, Aleksander Vulin. Por këtu rasti me Vucic na intereson për diçka tjetër. Na intereson për mënyrën sesi Beogradi mbron një të dënuar me burg, nga një gjykatë e një vendi tjetër. Analogjia këtu meriton vëmendje.
Së pari, është po ky Vucic që nuk dorëzon, apo nuk mundet të dorëzojë Milan Radoicicin që ka pranuar përgjegjësinë e ngjarjeve në Banjskë. Por Beogradi mund të mbrohet se nuk e bën këtë pasi teknikisht nuk e njeh juridiksionin e Prishtinës. Madje në kohën e ngjarjeve të Banjskës i referohej Mitrovicës si Serbia Qendrore.
Së dyti, Beogradi ka bërë thirrje dhe ka mbështetur gjykimin e liderëve të UÇK-së në Hagë, ndërkohë që këtë gjë e kanë pranuar edhe autoritetet në Kosoë. Madje për Hashim Thaçin më shumë flet Edi Rama sesa Albin Kurti apo Haradinaj.
Së treti, analogjia më flagrante këtu që ka të bëjë pikërisht me atë “frymën e marrëveshjes” të cilën Vucic e përçmon, na sjell në Tiranë, ku njerëz me pushtet pasi miratuan një kuadër të ri kushtetues për drejtësinë, ngrihen një ditë të bukur e pretendojnë se fryma e ligjit nuk e pranon arrestimin e një personi të caktuar me pushtet. Dhe sesi pikërisht kjo masë që ndjek në Gërmë ligjin penal, befas relativizohet duke iu “referuar frymës” dhe logjikës së shëndoshë.
Subjektivizimi që i bëhet normës së mirënjohur dhe mirëpranuar, përfaqëson jo thjesht një deformim për shkak të interpretimit, por një vullnet që nuk pranon më si konveniente vetë normën. Dhe kështu vijmë në momentin destabilizues kur një normë ndryshohet në funksion të koniunkturës, përmes pak njerëzve dhe duke injoruar nevojën e përgjithshme që ajo të riafirmojë autoritetin e vet përmes aplikimit të paanshëm dhe të padiferencuar.
Po kështu jemi në rastin kur politika synon të imponojë vlerë të shtuar të imunitetit të vet përmbi Drejtësinë, jo vetëm si zbatim masash penale, por edhe si kontroll dhe llogaridhënie. Duke ardhur ne këtu, konfirmojmë një rreth vicioz të disafishtë:
Së pari se demokracia me ndarje dhe balancim pushtetesh është në konfrontim me elitat në rajon.
Së dyti, këto elita kanë improvizuar pushtetin e vet në proporcion me fuqinë ekonomike, pa arritur të strukturojnë një mendim të qartë dhe bindës se cili është vizioni I tyre apo mendimi për kontratën e re sociale, apo politike
Ngjashmëria është kaq flagrante saqë mund të shihet mirë këtu një simptomë sistemike, shprehje ndoshta e një konflikti mes sistemit politik, strukturës shoqërore dhe momentumit kulturor dominues që është konsumizmi.
Dikur shoqëri si këto tonat shfaqeshin si shumë represive nën regjime si ai komunist edhe sepse provincializmi përforcon shumë aspektin shtypës që sugjerohet nga kuadri juridik dhe politik. Sot provincializmi nuk është zhbërë, ai thjesht ka zëvendësuar represionin fizik dhe penal me instrumentalizimin institucional mbi premisa grupi. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe fakti se zgjedhjet janë përherë pikë kritike në vende si tonat.
Add new comment