Pakica e zhurmshme kundër drejtësisë së amerikanëve

Postuar në 24 Shkurt, 2025 18:21

Tani dolën sheshit të gjithë të pavarurit e varur. Sepse të tillë janë. Disa gazetarë, disa avokatë, mandej njerëz të jetës publike, apo më mirë me emër publik, por që kanë parë gjithë kohës rehatin e vet; të gjithë të shqetësuar për standardin e procesit ndaj Erion Veliajt.

Do të uronim sinqerisht që ky investim në energji, statuse, deklarime, komente, debate, të ishte me të vërtetë për standardet. Për të drejtën. Por është e qartë për këdo që jeton në këtë vend se nuk është kështu, se ky investim është për deformimin e së vërtetës, për ruajtjen e standardit të njëanshëm të barazisë së pabarabartë para ligjit dhe në fund të fundit për xhepin e atyre që sado që tunden si lirshëm, diku janë të varur megjithatë.

Kemi të bëjmë padyshim me një agresion të organizuar ndaj interesit publik, që për të gjithë është: të dalë e vërteta. Dhe e vërteta do dalë në rrugë penale, sepse ky është sistemi të cilin na e mësuan se është më i miri i mundshëm.

Nëse palët në proces do të ishin në të kundërt, pra nëse z. Veliaj sot do të ishte jashtë, por i akuzuar, siç ka qenë i akuzuar qëkurse hyri në jetën publike I katapultuar, këta që sot flasin do të ishin më të qetë, më të shtruar. Dhe me gjasë vetë z. Veliaj do të fliste për pakica të zhurmshme që dallojnë nga shumica e heshtur që padyshim mbështet punët e mëdha të kryebashkiakut dhe partisë së lavdishme të socializmës.

Puna është se sot pakica e zhurmshme është në ballë të avokatisë së Veliajt dhe kjo pakicë e zhurmshme nuk ka asnjë lidhje me atë shumicën e heshtur e me gjasë të frigur nga një humbje e pushtetit. Një shumicë e heshtur që hesht sepse e di fare mirë se çfarë ka ndodhur. Dhe e ka pranuar faktin si të tillë pasi nuk përfaqësohet, por përpiqet vetëm të akomodohet.

Si erdhën pra punët kështu? Si vallë kjo shumicë e heshtur nuk ngrihet për tribunin e punëve të mëdha të Tiranës? Si vallë nuk proteston, bërtet, e të bëjë grevë për këtë padrejtësi? Dhe pse ky person që sot gjendet në qeli, mjaftohet me pakicën e zhurmshme që është mbërthyer nga një histeri grupi e stimuluar nga detyrimet që ka, e jo nga sensi I drejtësisë?!

Ne nuk jemi si këta. Ne duhet ta respektojmë pakicën e zhurmshme, por edhe pakicat e heshtura. Sepse mirë apo keq, këto provojnë rotacionin e nevojshëm të debatit publik, që kësaj radhe është i sforcuar: askush nuk është me Veliajn se beson pafajësinë e tij. Këtë e kuptojmë të gjithë. Por edhe brenda kësaj logjike, zgjedhja e kësaj pakice të pëllasë për interesin e vet është legjitime. Ndaj forca!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.