11 maji, ose spektakli i fatkeqësisë

Kryeministri në detyrë, Edi Rama, ka komentuar sot në rrjetet sociale me ndjekës të vetët që i përzgjedh sipas mesazhit që do të përcjellë. Në një nga këto komente, shoqëruar me gjestikulacionin e një aktori mediokër që nuk di veçse të gjenerojë atmosferën përçmuese të shtirjes, z. Rama ka deklaruar se më 11 maj, ai dhe socialistët e tufës së lumtur do të arrijnë një fitore spektakolare.
Le të marrim si të mirëqenë se më 11 maj kryeministri në detyrë fiton zgjedhjet përkundër kundërshtarit të tij kryesor, kryetarit të PD-së. Si mund të quhet kjo një fitore spektakolare? Për shifrat, për diferencën, apo për optimizmin që përcjell?
Më tej: ky njeri që shitet me të madh se është shtetar, artist dhe vizionar, do të duhet të shoqëronte deklarimet me një sens reflektimi, meqenëse ka dy dekada në pushtet dhe njeriu edhe emancipon veten. Nuk e kupton ky se qeverisja e tij është dëm për mbarë vendin, për demokracinë në vetvete? Se çdo fitore e mëtejshme e këtij dhe Partisë së Dubait përfaqëson asgjë më shumë sesa një diferencë matematikore që ritualizon zgjedhjet si një aspekt bosh i demokracisë.
Zgjedhjet nuk janë një shkop magjik, pa ushtrimin e përgjegjësive politike dhe qytetare sidomos të atyre që janë të mandatuar për të çuar para disa punë. Edhe Ramiz Alia mund të qëndronte në politikë pas humbjes në zgjedhjet për president, pasi fundi i fundit askush nuk do ta merrte për të madhe.
Nuk ndodh kjo sot, sepse z. Rama as ka qenë një ditë të vetme në atë karrige për vendin, por për vete. Ai është investitor i suksesit dhe pasurimit personal, ndaj edhe loja e tij politik mbeti një dështim i vazhdueshëm, me dukje të madhe, ndërkohë që zullumi i tij e ka hijen të vogël, por peshën të madhe.
Fitorja spektakolare për të cilën flet z. Rama, edhe si terminologji përfaqëson katastrofë psikologjike dhe morale për Shqipërinë dhe është asgjë tjetër veç një opsion, në mos i vetmi për t’i bërë boost imunitetit të vet. Asnjë program, asnjë ide, vetëm shty të shtyjmë. Kjo është deviza dhe klima e këtij njeriu që po mban peng mbarë vendin nën alibinë e votës së shqiptarëve, kur atë e votojnë vetëm socialistët që kanë bërë të njëjtën gjë për 33 vjet rresht.
s.zaimi
Add new comment