NATO mbetet ende karta më e fortë e negociimit të paqes apo armëpushimit në Ukrainë për SHBA

Postuar në 18 Shkurt, 2025 21:08

Dëmi është bërë tashmë: SHBA nuk është më një partner i besueshëm në Europë, aq sa siguria e kontinentit të shihet pazgjidhshmërisht me ish-aleatin atlantik. Veprimet e fundit të liderëve europianë, kanë vënë në lëvizje së paku impulsin e një organizimi fillestar për mbrojtjen e BE-së jashtë suazës së garancive të ushtrisë amerikane.

Pyetja që shtrohet sot është nëse aleanca perëndimore do të vazhdojë apo jo? Nëse NATO ka më një vlerë efektive apo jo. Nëse shohim konkluzionin e parë të bisedimeve në Riad, ka një shenjë se retorika e Donald Trump mund të jetë një lëvzije e maksimizimit të kërkesave dhe politikës amerikane por jo më shumë sesa kaq.

Në një prononcim të vetin, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pas takimit në Riad, ka bërë të qartë se për Rusinë, dislokimi i trupave të huaja, nga vendet anëtare të NATO-s në Ukrainë, është i papranueshëm. Edhe nëse këto trupa do të jenë si paqeruajtës nën flamuj të tjerë, si ato të BE-së.

Ky qëndrim merr edhe më shumë rëndësi nëse mbajmë parasysh se Polonia, një vend me marrëdhënie të ndërlikuara historike me Rusinë, ka deklaruar se nuk do të dislokojë trupa. Me gjasë ky qëndrim lidhet me idenë e trupave amerikane në Ukrainë në eventualitetin e ruajtjes së minierave që presupozohet se do të administrohen nga pala amerikane. Vetë përmendja e NATO-s nga Lavrov, sugjeron se deri në këtë moment SHBA nuk e ka përjashtuar aleancën nga agjenda e vet politike, përderisa edhe një ndër propozimet e propaganduara është që Ukraina të mos jetë anëtare e NATO-s për 10 vjet.

Thënë kjo, duket se Donald Trump ka dhënë një shkundje Perëndimit dhe Europës, por deri në këtë moment, dhe deri në çastin e shpalosjes së propozimeve për paqen në Ukrainë, nuk ka një ide të re, transformuese që e sheh sigurinë jashtë suazës së garancive të vazhdueshme në kohë. Ideja e presidentit amerikan që “unë mbyll marrëveshjen, kurse ju mbani rendin”, nuk funksionon edhe për faktin e thjeshtë se Rusia në momentin aktual nuk ka asnjë arsye që të lëshojë diçka të tillë në Ukrainë, në kushtet kur paqartësia strategjike qëndron nga Perëndimi.

Për më tepër që planifikimi i inkursionit rus në Ukrainë ishte pikërisht perceptimi se Aleanca po zgjerohej dhe synonte të zgjerohej në drejtimin jugor dhe qendror drejt Rusisë duke krijuar kushtet e një kërcënimi afatgjatë startegjik ushtarak, por edhe duke kthyer shoqëri si Ukraina në klimën gjeopolitike të para Bashkimit Sovjetik.

Thënë ndryshe, NATO mbetet për momentin karta më e fortë negociuese e Trump që herët apo vonë do të duhet të zgjohet, ndërkohë që edhe Rusia nuk po di të sigurojë Europën se parimi i pandashmërisë së sigurisë që aq shumë trumbeton aplikohet edhe në Ukrainë. Sidomos në Ukrainë, si shenjë e vullnetit të mirë, por edhe si premisë për arkitekturën e re të sigurisë në kontinent që duam nuk duam do të konsiderojë të dy aktorët.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.