BE: Do vazhdojmë mbështetjen për SPAK

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë garanton mbështetjen e BE-së për SPAK përmes programeve të saj.
Pak ditë më parë, Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgoi një notë diplomatike të gjithë institucioneve më të larta shqiptare, përmes së cilës njoftohej ndërprerja me efekt të menjëhershëm e fondeve, deri në një rishikim të dytë pas 90 ditësh, pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja. Kjo ngrirje e fondeve mes institucioneve të tjera prek edhe SPAK-un.
Interesimit të MCN në lidhje me vijimin e mbështetjes për institucionet e drejtësisë së re, pas këtij vendimi të presidentit amerikan, Delegacioni i BE në Tiranë, EEAS, iu përgjigj përmes një deklarate.
Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve”.
Zyra e BE në Tiranë thekson se mbështetja buxhetore do të vijojë, ndërsa thekson se SPAK ka prodhuar rezultate të prekshme.Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformave për Ballkanin Perëndimor. Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë
Add new comment