Evropa duhet të përshtatet ose do të mbetet pas
Mes një peizazhi të trazuar gjeopolitik dhe gjeoekonomik, Evropa ndodhet në një udhëkryq. Debati strategjik që po zhvillohet aktualisht në shumë nga kryeqytetet e kontinentit është i fokusuar kryesisht në atë nëse duhet të vazhdohet në rrugën e ndërvarësisë me partnerët e huaj, apo të farkëtohet një rrugë e re autonomie më të madhe strategjike. Por për të qenë vërtet e sigurt sot dhe për të mbetur e pozicionuar mirë nesër, Evropa duhet të zgjedhë një rrugë të mesme.
Të zgjedhësh ndërlidhjen aty ku mund ta bësh me kujdes, ndërsa ndërton autonomi aty ku është e mundur, kjo është një qasje që mund të quhet "ndërvarësi strategjike".
Sot, status quo-ja e pabalancuar strategjike është më e spikatura kur bëhet fjalë për sigurinë. Lufta kundër Ukrainës ishte një thirrje zgjimi. Ajo ekspozoi mbështetjen e tepërt të Evropës në partneritetin transatlantik. Por ky realizim nuk do të thotë se BE-ja duhet t'i japë përparësi autonomisë mbi aleancat. Parandalimi bërthamor i SHBA-së dhe partneritetet e mbrojtjes, përfshirë NATO-n, janë të domosdoshme dhe Evropa nuk mund ta marrë si të mirëqenë këtë marrëveshje mbrojtëse.
Kjo është arsyeja pse blloku duhet të bëhet një shtyllë më e fortë brenda NATO-s – si për hir të Europës, ashtu edhe për partnerët e saj. Angazhimet taktike ndaj aleancës transatlantike duhet të shoqërohen me struktura më të forta strategjike evropiane. Dhe një mënyrë e mundshme për ta bërë këtë do të ishte krijimi i një Këshilli joformal të Sigurimit Evropian, i cili do të përbëhet nga përfaqësues nga Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, për të përmirësuar koordinimin e mbrojtjes dhe për të mundësuar veprim të shpejtë dhe vendimtar.
Ndërkohë, tek energjia, mbështetja e Evropës në gazin rus zbuloi rreziqet e varësisë nga një ofrues i vetëm. Para luftës në Ukrainë, mbi 40 për qind e importeve të gazit natyror të Evropës vinte nga Rusia, gjë që krijoi një vulnerabilitet kritik. BE-ja i është përgjigjur krizës duke diversifikuar importet e saj të energjisë dhe duke rritur ndjeshëm furnizimet me gaz natyror të lëngshëm. Por, ndërsa kjo është një qasje e kujdesshme në terma afatshkurtër, qëndrueshmëria afatgjatë kërkon që kontinenti të bëhet më i vetëmbështetur në burimet e gjelbra.
Kjo do të thotë që Evropa duhet të vazhdojë partneritetin energjetik me aleatët për nevoja afatshkurtra, por duhet njëkohësisht të trajtojë mbështetjen e tepërt në burimet e jashtme për komponentët e gjelbër. Në vend që të konkurrojë në teknologjitë e maturuara si panelet diellore, ku Kina kontrollon mbi 80 për qind të prodhimit global, BE-ja duhet të synojë sektorët ku mund të fitojë një avantazh konkurrues. Fushat në zhvillim si teknologjia e baterive, ku inovacioni është ende në kërkim, janë një mundësi. Për më tepër, për të siguruar stabilitet në tranzicionin e saj të gjelbër, një rezervë e lëndëve të para kritike e ngjashme me Rezervat Strategjike të Naftës së SHBA-së mund të amortizojë goditjet e zinxhirit të furnizimit.
Kur bëhet fjalë për teknologjinë, Evropa po humbet edhe avantazhin e saj: 80 për qind e furnizuesve të gjysmëpërçuesve janë të vendosur jashtë Bllokut, ndërsa firmat amerikane dhe kineze po dominojnë AI, informatikë kuantike dhe çipa të avancuar. Për ta kthyer këtë, BE-ja duhet të rishikojë peizazhin e saj rregullator duke reduktuar burokracitë, duke eliminuar barrierat dhe duke hapur dyqane që i kanë të gjitha, në mënyrë që për bizneset të bëhet më i thjeshtë akomodimi me teknologjinë.
Për më tepër, duke futur në përdorim mekanizma që reduktojnë rrezikun, të tilla si programet e garancisë së kredisë që do të lehtësojnë investimet, Blloku duhet të sigurojë që kapitali të rrjedhë drejt industrive kritike. Për të qenë të qartë, kjo nuk ka të bëjë me mungesën e parave: BE-ja krenohet me një suficit vjetor të llogarisë korrente prej 2.5 për qind të PBB-së, të cilën e investon jashtë vendit.
Aleancat me vendet në mbarë botën do të jenë thelbësore, duke përfshirë tregtinë ku Evropa duhet të ndjekë një axhendë aktive. Tregu i vetëm i BE-së, që përfaqëson 15 për qind të PBB-së globale dhe 450 milionë konsumatorë, është karta e saj e fortë në ekonomi dhe Evropa duhet ta përdorë këtë për të siguruar burimet e nevojshme kritike për industrinë e saj dixhitale dhe atë të gjelbër.
Në mënyrë thelbësore, arritja e ekuilibrit të duhur strategjik do të kërkojë njëkohësisht edhe kapital njerëzor. Ora demografike e Evropës po troket dhe deri në vitin 2050, krahu i punës në Bllok do të tkurret me 20 për qind. Vende si Gjermania do të përballen me një hendek prej 7 milionë punëtorësh deri në vitin 2035. Kjo është arsyeja pse politikat e migracionit duhet të jenë strategjike dhe të përshtatura më mirë me nevojat e tregut. Mbështetja publike varet nga riformulimi i migracionit si një mundësi - një shtytës i inovacionit, rinovimit të tregut të punës dhe rritjes së qëndrueshme për ekonomitë e vjetra të Evropës.
Ndërvarësia strategjike është më shumë se një kornizë politikash, është një mentalitet – që liderët e Evropës duhet ta përqafojnë nëse duan të lundrojnë botën ashtu siç është, jo siç dëshirojnë të jetë. Duke investuar në mbrojtje, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër, duke nxitur inovacionin, duke thelluar lidhjet tregtare globale dhe duke reformuar politikat e migracionit, mund të garantohet vendi i Europës si një lider global. Alternativë mbetet një bllok i fragmentuar, që nuk lëviz dhe anashkalohet në rivalitetet e fuqive të mëdha.
Zgjedhja është e qartë: Përshtatu ose do të mbetesh i fundit.
Burimi: Politico
Përkthimi: Gazmira Sokoli
*Børge Brende është president dhe CEO i Forumit Ekonomik Botëror. Arancha Gonzalez Laya është dekane e Shkollës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris (Sciences Po). Mark Leonard është drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Add new comment