Kultura pas "motiveve të dobëta"

Postuar në 03 Janar, 2025 10:19
Skerdilajd Zaimi

 

Arrestohet një 38 vjeçar pasi goditi dy të tjerë në sende të forta për motive të dobëta.

Motive të dobëta. Drejtim i paditur. Grupi hetimor po kryen veprimet.

Janë këto disa fraza që kanë zëmë vendin e tyre në jetën tonë e të cilat në të vërtetë nuk kanë patur atë kuptim që pretendojnë të kumtojnë.

Cili mund të jetë motivi i dobët që dikush të marrë një levë e të godasë dy të tjerë. Një borxh, një sharje, një konflikt “i vogël” në pallat, parkimi? Të gjitha mund të jenë. Dhe këto janë kaq dendur si motive saqë duhet të pyesim nëse janë vërtet ashtu siç I përkufizon kuadri penal: pra motive të dobëta.

Mund të supozojmë se ata që kanë hartuar legjislacionin penal – ky yni është i kopjuar – në frymë udhëhiqen nga premisa e motiveve në ndëshkimin e një pasoje mbi pronën apo jetën e personit, për shkak të boshllëkut që ekziston përherë mes dinamikës së jetës dhe angazhimit apo aftësisë për rregullim ligjor dhe ekzekutim të tyre. Njeriu ka asimiluar thellë nocionin e ligjit, por ka përherë diçka poshtë ligjit, subliminale që nuk mund të rregullohet veçse në konstatimin e pasojës.

Shkallëzimi i sanksioneve ndoshta lidhet me rrezikun progresiv: ka më shumë rrezik një grup që planëzon diçka sesa dikush që aty për aty merr një hu e godet dikë. Ky ka motive të dobëta?

Por a është kështu? Kjo kërkon shumë diskutime.

Motivi  i dobët në kuptim të peshës së vogël që zë në politikën penae dhe në punën e policisë – ka policim në komunitet këtu thonë – duhet parë në diakroninë e vet lidhur me kapacitetet e një individi për të ekzekutuar akte me pasoja të mëdha. Legjislacioni vepron mbi motivet duke konsideruar natyrën njerëzore, por edhe mundësitë e shpaloajes së një akti antiligjor.

Një levë, një hu, apo një thikë, mbeten mjete me potencial të kufizuar dëmtimi edhe pse jeta e njeriut është Unike.

Në kohën  tonë, një individ i vetëm ka eventualisht në dispozicion një arsenal mjetesh me të cilat mun të shkaktojë dëme masive ndaj një grupi të tërë. Një video e caktuar që çon në konflikt dy familje apo dy fise, një foto që qarkullohet globalisht, persekutimi online. E kështu me radhë. Motivi është më shumë se kurrë i Dobët.

Kudo. Nëse lexojmë për aktet e shumta individuale si ai kamioni në Gjermani apo tani në ShBA, motivet janë të dobëta në atë kuptim që e thotë legjislacioni penal.

Por pas këtij termi me denduri përherë e më të  madhe në titujt e komunikatave policore qëndron një kulturë që po fermenton raportet përmes dhunëë dhe mllefit. Kjo nuk duhet injoruar. Është një kulturë bullizimi, segregimi, përjashtimi, diferencimi, injorimi, përçmimi e cila detyrohet të organizohet në ngushticën e madhe të bashkëjetesës. Të kemi parasysh se njerëzit ndahen edhe për erën e trupit, për gërrhitjen, ose të paktën bëhen të huaj për këto “motive të dobëta”.

Për këtë kulturë të ashtuquajtur Nën, nuk është folur asnjëherë. E megjithatë ajo shpjegon më mirë këto që ndodhin, e të cilat kalojnë me raportimin monoton të një ngjarjeje që ka lindur për t’u harruar.

Është një kulturë që tani po kalon në sprovën e re teksa vihet në pasqyrën e “kulturës së showbizit”, të shfaqjeve bullizuese si Big Brother, ku luksi dhe kotësia manipulojnë psikologjinë e turmës televizive që kërkon aty arratisjen nga motivi i dobët që është jeta e vet.

Po harrojmë të gëzojmë, të hidhërohemi, të duam nuk kemi ditur kurrë, mësuam vetëm ta shtyjmë, mërzitemi e të argëtohemi. Followers përherë.

Dhe sërish ky term që është shpikur për të injoruar përditmërinë tonë, për ta degdisur kulturën e shumicës në katakombet e parëndëshishme të legjislacionit penal është po ai që sot ka zënë kryet e vendit. Edhe ministrat apo kryebashkiakët vjedhin për “motive të dobëta”; një pjesë e tyre ka histori të vetën në komunikatat policore. Kanë ndërruar veshjen dhe kanë mësuar të qeshin para kamerës. Për motivin e vetëm se kanë neveri nga ajo që janë.

Nuk e teprojmë të themi se jemi një shoqëri e motiveve të dobëta, për aq sa ka kuptim kjo frazë. Një shoqëri e cila është zhytur në to dhe ka harruar Zakonet e Mira. Neni 159 i Kodit Civil përcakton shumë qartë por fisnikërisht se:

Ka diçka prej statuteve mesjetare, por sërish nuk qëllon në shenjë. Jo vetëm sepse në një Kod Civil, madje në një nen të vetëm janë adresuar pjesa më e madhe e "motiveve të dobëta", që gjenerojnë pasoja Pene, por edhe sepse Zakonet e Mira lidhen dhe burojnë nga Qyteti dhe komunitetet që nuk i kemi. Ndaj ta shtyjmë me motive të dobëta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.