Filani që po u poftiset edhe fëmijëve tanë
Ka dhënë një intervistë kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, për “Zëri i Amerikës”. Mes komenteve të shumta që tashmë janë të mirënjohura, z. Rama ka paralajmëruar shqiptarët me një lajm të lumtur:
Besoj që nëse ka një ofertë, që ka nevojë për shumë pak shpjegime ndërkohë që mbështetet nga shumë fakte, është oferta e Partisë Socialiste. Për këtë arsye, Partia Socialiste do të fitojë në maj të vitit të ardhshëm dhe do të ketë fitoren më të thellë të të gjithë këtyre garave që i kemi fituar njërën pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, sepse jemi një forcë politike, që është e pakonkurrueshme në çdo aspekt, e nuk mundemi dot
Arsyet nuk janë aq misterioze. Janë arsye të një jete mbushur me sukses.
…arsyeja pse ne nuk mundemi dot është arsyeja, sepse ne zgjohemi të parët dhe flemë të fundit, dhe unë zgjohem i pari nga të parët, dhe fle i fundit nga të fundit, kështu që deri kur dikush tjetër, disa të tjerë, do të zgjohen më herët dhe do të flenë më vonë dhe në ditën e tyre të punës do të bëjnë punë dhe jo llafe, Partia Socialiste do të bëjë atë që thotë dhe do të thotë atë që bën, dhe shqiptarët do ta mbështesin për atë që bën dhe për atë që thotë…Ne bëjmë shumë analiza, ne bëjmë shumë diskutime të brendshme, ne bëjmë shumë anketime të opinionit, ne dëgjojmë shumë njerëz në të gjitha rrugët dhe jemi shumë të vetëdijshëm që s'jemi më të mirët, nuk jemi aq të mirë sa unë do të doja të ishim, po më të mirë se ne…
ka thënë z. Rama.
Po ku ka më mirë për një vend sesa ta ketë kaq të sigurtë të ardhmen e vet?! Që qeveriset nga më të mirët e mbetur, nga një ekip që bën punë, që zgjohet e ngryset me hallet tona në mendje dhe që janë modestisht të pasur.
Do rriten edhe fëmijët tanë me ujë me orar, me plehra rrugës dhe në majë të vendit, do shohin Shqipërinë e jetës dhe do ta krahasojnë me atë të librave. Do dalin jashtë e do kthehen dhe do kuptojnë të vërtetën e madhe që përsërit pa mbarim ky njeri. Diku e kanë parë që herët, në tv, fb, tk, x. Është Filani i përjetshëm që nuk shqitet, nuk ikën. Është kolltukofagu i mbetur me të vetët, këpushë në bythën e Shqipërisë, në barkun e saj, që thith e thith e nuk kënaqet. Po çfarë është ky pa karrigen? Asgjë.
Por dy të vërteta i thotë: është më mirë se ata që ka përballë dhe që i mban me dëshirë. Dhe që Fjala nuk i bën qeder qeverisë së tij. Atij vetë. Duhet diçka tjetër.
s.zaimi
Add new comment