Beleri kërkesë SPAK: A ka nisur hetimi për Olta Xhaçkën dhe Artan Gaçin?
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri ka kërkuar nga SPAK gjendjen proceduriale të Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit Artan Gaçi, për të cilët ka bërë kallëzim penal për tjetërsim pronash. Po ashtu, Beleri vë në dukje faktin se Gaçi po përpiqet të "që me anë të një shoqërie me status juridik të pezulluar, për të përjashtuar pronën publike nga sekuestro, në mënyrë që të vazhdojë të vjelin frutet e paligjshme prej saj".
Unë, kërkuesi Dhionisios Alfred Beleri në muajin mars 2024 kam paraqitur kallëzim kundër shtetasve:
Jorgo Goro, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Himarë, për veprën penale “Shpërdorimi detyrës”. “Falsifikimi i dokumentave, nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin” të parashikuar nga neni 248 dhe 183/3 i Kodit Penal;
– Foto Pavllo Mëhilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës “Falsifikimi i dokumentave”, “Pastrimi i produkteve te vepres penale” të kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal;
Artan Gaxhi, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal;
– Olta Xhaçka, deputete, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kallëzimin tim kam parashtruar që shtetasja Olta Xhaçka, në cilësinë e deputetes dhe ministres, ka përfituar të drejta reale, siç mund të jetë uzufrukti, servituti, përdorimi, mbi pasuri publike, në konflikt interesi, duke cënuar nenin 70/3 të Kushtetutës sipas të cilit: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.”
Referuar deklaratave publike të të kallëzuarës Olta Xhaçka, rezulton e pranuar prej saj që ajo dhe bashkëshorti i saj, i kallëzuari tjetër Artan Gaxhi janë në regjimin pasuror të bashkësisë ligjore. Rezulton nga njoftime nga burime të hapura, që bashkëshorti i të kallëzuarës Olta Xhaçka, si dhe familjarë të tjerë të saj, kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, duke përfituar të drejtën të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit dhe e pushtetit vendor, pasi kanë përfituar të drejtën e përdorimit të pasurive publike, një sipërfaqe toke plazh, e cila është pronë publike, pa shpërblim, dhe nga ky përdorim të nxjerrin të ardhura.
Në deklaratat e saj publike e kallëzuara Olta Xhaçka ka pranuar që ata, dmth ajo dhe bashkëpronarët e tjerë të shoqërisë së bashkëshortit të saj, kanë marrë në përdorim plazhin publik, pavarësisht se sipas saj qëllimi i marrjes në përdorim ka qënë që të mos shkonte dikush nga mali dhe t’u vendoste çadrat.
Referuar nenit 74 të Kodit të Familjes, janë pjesë e bashkësisë ligjore, pra prezumohet në bashkëpronësi të barabartë të të dy bashkëshortëve, çdo e ardhur e krijuar nga veprimtaria e veçantë e secilit prej bashkëshortëve (gërma “b”) si dhe veprimtaria tregtare, pra aksionet në një shoqëri, apo dividenti I përfituar nga një shoqëri tregtare (gërma “ç”).
GJEDNJ në vendimin Kokëdhima kundër Shqipërisë, datë 11 qershor 2024 në lidhje me nenin 70/3 të Kushtetutës është shprehur:
“61. Fillimisht, Gjykata vëren se neni 70 § 3 i Kushtetutës i ndalon Deputetët që të kryejnë një aktivitet që gjeneron të ardhura nga burimet shtetërore. Gjithashtu, neni 21, i ligjit nr 9367/2005, e bën të qartë se deputetët, ashtu si zyrtarë të tjerë publikë, e kanë të ndaluar te lidhin “një kontratë ose nënkontratë me një institucion publik”; e njëjta gjë zbatohet për cilëndo kompani tek e cila një zyrtar ka interesa pronësie (shih paragrafin 20 më sipër). Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, konkretisht vendimi i saj nr. 44 (2011) në të cilin përfshihej nje Deputet tjetër kompania e të cilit lidhte kontrata prokurimesh me subjektet shteterore (shih paragrafin 22 më sipër), ishte i qartë në këtë aspekt.”
Pra sipas interpretimit të mësipërm, deputetet e kanë të ndaluar të lidhin kontrata. qoftë edhe nëpërmjet kompanive në të cilat ata kanë interes, siç është rasti i bashkëshortit të të kallëzuarës Olta Xhaçka, siç mund të jenë kontratat për përdorimin për një afat të caktuar të pronës shtetërore pa shpërblim, qoftë edhe me shpërblim, me një institucion publik siç është AIDA. Këshilli I Ministrave, në lidhje me investimet strategjike, apo bashkia Himarë, në lidhje me pronat vendore.
Po ashtu një interpretim i nenit 70/3 të Kushtetutës është kryer në Opinionin e Komisionit të Venecias pikërisht për mandatin e znj.Xhaçka. Edhe në Opinionin CDL-AD(2024)040 datë 09.12.2024 të Komisionit të Venecias, në pikën 56 të tij shprehet se neni 70/3 i Kushtetutës duhet kuptuar që ka papajtueshmëri ndërmjet funksionit të deputetes, dhe mundësisë së deputetes përkatëse që të përfitojë të ardhura nga përdorimi i pasurisë publike, dhe në rast se evidentohet një rast i tillë, deputeti duhet të tërhiqet nga mandati, gjë që e kallëzuara nuk e ka bërë.
Nga burime të hapura, media elektronike, kam ardhur në dijeni se në lidhje me kallëzimin tim janë dërguar për gjykim disa nga të kallëzuarit, por nuk ka të dhëna në lidhje me të kullëzuarit Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.
Po ashtu kam ardhur në dijeni edhe për përpjekje gjyqësore të të kallëzuarit Artan Gaçi me anë të një shoqërie me status juridik të pezulluar, për të përjashtuar pronën publike nga sekuestro, në mënyrë që të vazhdojë të vjelin frutet e paligjshme prej saj.
Me cilësinë e kallëzuesit, kërkoj informacion, nëse ka vendim mosfillimi për këta shtetas, nëse është njoftuar Avokatura e Shtetit për të ndërmarrë hapa për kthimin e pronës publike, si dhe për gjendjen e procedimit në lidhje me kallëzimin tim për këta shtetas, në mënyrë që të ndjek hapat e tjerë procedurale sipas Kodit të Procedurës Penale.
Duke Ju falenderuar paraprakisht
KALLËZUES
DHIONISIOS ALFRED BELERI
Add new comment