Shtrigat dhe shtregoneria, një dukuri universale e psikiologjisë pan-njerëzore
Nëse do pyesnim, shumica e njerëzve në Perëndim do të përgjigjeshin se shtrigat e liga që fluturojnë apo shndërrohen në kafshë, nuk ekzistojnë. Dhe sipas çdo evidence të mundshme ata kanë të drejtë. Është më e vështirë të provohet se askush nuk praktikon “shtregoneri” që konsiston në ushtrimin e riteve apo mallkimeve të rënda në një përpjekje për të dëmtuar të tjerët. Sërish, pavarësisht asaj çfarë njerëzit thonë për shtrigat, apo edhe asaj çfarë ata besojnë, Idea e shtrigës është një konstante universale që depërton kulturat që nga ishujt e Indonezisë te piceritë e SHBA në kohën tonë.
Pesëdhjetë vjet më parë, si student i diplomuar në Oxford, bashkë me time shoqe po bëheshim gati për një kërkim antropologjik në terren në ishujt e Sumbas, në Indonezinë lindore. Jo shumë pas nisjes së kërkimit, një ekspert i vjetër i ritualeve qëlloi të përmendte se një tjetër ritualisht – një nga rivalët e tij siç doli më vonë – “kishte ngrënë” një grua, të shoqen e një të treti. Kjo më kapi në befasi, pasi gruaja në fjalë ishte gjallë ende. Por mësova shpejt se ai po akuzonte rivalin e vet se ishte një mamarung, një shtrigan, që në Sumba thuhet se shkakton sëmundje dhe vdekje duke ngrënë në mënyrë të padukshme shpirtrat e njerëzve. Shtrigat sumbaneze takohen fshehurazi natën dhe kapin po ashtu shpirtra njerëzorë, i transformojnë në kafshë sakirifice dhe mandej i therin që të vrasin viktimat e tyre dhe konsumojnë trupat e tyre.
Duke menduar për të gjitha këto pas kthimit në Mbretërinë e Bashkuar, u kujtova se të njëjta akuza për vrasje rituale dhe kanibalizëm ishin ngritur gjatë “histerisë së shtregonerisë” në fillimet e periudhës moderne, në shekujt 14-17, në Europë, çka rezultoi në persekutimin dhe vrasjen e shumë prej atyre që u akuzuan. Thuhej se shtrigat europiane ushqeheshin me mish njeriu, shndërroheshin në kafshë, merrnin pjesë në takime nokturne dhe fluturonin. Shumë më vonë, më erdhi në mendje ideja universale e “shtrigës” nga Pizzagate – teoria konspirative e QAnon sipas së cilës Hillary Clinton dhe anëtarë të tjerë të së ashtuquajturës elita globale, vrisnin dhe hanin fëmijë në rite të fshehta satanike, të kryera në kuadër të një rrjeti pedofilie, në një mjedis picerish në disktriktin e Washingtonit. Lexova më tej për këtë dhe kuptova se akuzat e Pizzagate ishin një variant i riqarkulluar i hamendësimeve të bëra gjatë viteve ‘1980-1990 kundër pronarëve dhe punonjësve të qendrave të kujdesit ditor që u akuzuan njësoj se sakrifikonin fëmijë dhe i hanin.
Përtej këtyre, çfarë është një shtrigë? Për të provuar se besimi në shtrigat është me të vërtetë universal te njeriu, ne patjetër që kemi nevojë për një përkufizim. Po ashtu duhet të jemi të qartë se çfarë kemi parasysh me “universal”. Një përkufizim i zakonshëm i përdorur sot nga antropologët, historianët dhe akademikë të tjerë, përshtatet mjaft mirë. Një shtrigë është një qenie njerëzore, që e motivuar nga e liga, dëmton qëllimisht njerëz të tjerë jo drejtpërdrejt dhe hapur përmes metodave fizike, por përmes metodave të padukshme, mistike. Veprimet e fshehta të vrasje rituale dhe kanibalizmit – në thelb të trajtosh njerëzit si kafshë – janë shprehje tipike të urrejtjes së shtrigës për njerëzit.
P.sh, shtrigat mes Navahove të Jugperëndimit të Amerikës u akzuzuan për kanibalizëm, njësoj si shtrigat në Guinenë e Re. Të akuzuar me të njëjtat akte të tmerrshme, punonjësit e qendrave të kujdesit ditor në SHBA, mund të shihen si një variant i shtrigës. Duke punuar me Satanain, këta adhurues të përfolur të djallit, jo vetëm u ngjajnë shtrigave të Europës së mesjetës dhe fillimeve të modernitetit, por edhe shtrigave që përshkruhen në Afrikë, Azi, Paqësorin jugperëndimor dhe mes indigjenëve të Amerikës së Veriut dhe të Jugut. Jo vetëm sepse shtrigat vrasin njerëz dhe i janë; ato po ashtu besohet se i marrin fuqitë nga demonë të vendit. Për të cituar një nga shembujt e shumtë, shtrigat sumbaneze posedojnë shpirtra të këqinj që quhen ëàndi, të cilët i mbajnë në trupin e tyre dhe që i lëshojnë natën për të sulmuar viktimat e tyre.
Nuk ka nevojë të zihet në gojë se po flas për “shtriga të këqija” dhe jo “shtrigat e mira”, të njohura për perëndimorët nga Magjistari i Ozit, vikanët që dashurojnë natyrën, apo vajzat progresive që popullojnë faqet e “witch lit”(shtrigat e iluminuara). Shtriga të tilla të mira shpjegohen në historinë e anglishtes, specifikisht derivim i “shtrigë” nga një fjalë anglo-saksone aplikuar më tej te magjistarët dashamirës dhe shëruesit. Por pika e rëndësishme është se përgjatë historisë dhe në një numër të madh kulturash sot, njerëzit kanë imagjinuar dhe vazhdojnë të imagjinojnë në hollësi figura të liga në lidhje me shtrigat.
Kur themi që shtrigat janë universale nuk do të thotë se besimi në to është regjistruar në çdo kulturë apo se aty ku janë regjistruar, ka patjetër akuza të përhapura publike, gjueti shtrigash apo panik moral. Në dallim nga akuzat e fundit për satanizëm në Perëndim, përfshirë Pizzagate, ku evidentohen tipare të tilla, shtregoneria në shoqëritë jo perëndimore shpesh ato nuk hasen. P.sh fisi Hopi në Arizona asnjëherë nuk ka akuzuar publikisht dikë se është shtrigë, për frikë apo shpagim. Përkundrazi, ata besojnë se keqbërësit do të ndëshkohen në jetën e përtejme.
Antropologët kanë përshkruar po ashtu disa shoqëri si të pafamiljarizuar me shtrigat si të tilla – të paktën në kohën kur ato u hulumtuan. Ose ishin të familjarizuar por nuk ndiheshin vveçanërisht të kërcënuar prej tyre, ndoshta sepse mendonin se ishin mjaftueshëm të mbrojtur nga magjia kundër-shtrigane, ose kishin sigurinë e zotave dashamirës. Një shembull janë popullsia Tallensi në Gana, në botëkuptimin e të cilëe antropologu Meyer Fortes e gjeti shtregonerinë “në largësi periferike”. Ndaj Tallensi nuk besojnë në pjesën më të madhe se fati i keq rrjedh nga ligësia e njerëzve të tjerë, por nga veprimet e paraardhëse të drejtë dhe të gjithëfuqishëm, arsye se pse sëmundjet dhe vdekja interpretohen si ndëshkim i drejtë për gabimet njerëzore.
Ajo çfarë zbulon universalizmi i shtregonerisë gjithësesi, është prirja jonë këmbëngulëse dhe e gjatë, për të imagjinuar ekzistencën e njerëzve të ligj, qoftë ngjitur me derën tonë, qofë në luginën fqinje, që në mënyrë konstante luftojnë që të na lëndojnë me mënyra mbinatyrore. Kështu të njëjtat ide shfaqen herë pas here në vende që përndryshe janë kulturalisht të ndryshme dhe gjeografikisht larg.
Massachusetts(përfshirë Salem) ofron shembullin më të popullarizuar të shtregonerisë(magji e realizuar nga shtrigat). Imigrantët anglezë, shumë prej tyre Puritanë, u përballën me një jetë të vështirë në një tokë të re, rrethuar disa herë nga popuj vendas armiqësorë, të përçarë nga ndasi fetare dhe politike. Ata e gjetën veten në pozitën ku duhet të përballeshin qoftë me fatkeqësitë ashtu edhe faktin se disa ia dilnin e disa jo. Ata iu drejtuan besimeve te fuqia e magjisë, sjellë me vete nga Anglia e origjinës dhe identifikuan fqinjë të veçantë, që supozohej se ishin në lidhje me djallin, si shkaktarë të sëmundjeve të tyre. Si pasojë u ngritën akuza, u gjykuan njerëz si shtriganë dhe me dhjetëra u ekzekutuan.
Historianët shpesh përqendrohen në histeritë e hershme të gjuetisë së shtrigave që shpërthyen në shekullin e 15-të në Europë, pas një periudhe të indiferencës relative. Pse u shfaq kaq papritmas dukuria dhe mandej perëndoi me një shpejtësi po aq të madhe në shekullin e 18-të? Janë sjellë si shpjegime për këtë ndryshim qoftë Iluminizmi dhe shfaqja e shkencës moderne gjatë atij shekulli, ashtu edhe Revolucioni Industrial. Megjithatë historianët kanë dokumentuar së fundmi besime te shtrigat dhe magjia e ligë, sidomos në zonat rurale perëndimore, të cilat kanë vijuar në shekujt e 20-21-të.
Antropologët që kanë studiuar magjinë që nga ditët e para të disiplinës së tyre, përpiqen të shpjegojnë dukurinë duke u përqendruar mbi sistemet sociale. A zbulojnë akuzat për shtregoneri marrëdhëniet sociale që janë të keqpërkufizuara dhe që me gjasë u japin shkas rritjes së tensioneve? A luajnë ato një rol në rivalitetin ekonomik apo politik?(përfshirë ato mes grave në martesat poligamike). A janë përdorur ato për të shpjeguar pse disa njerëz e pësojnë nga fati i keq dhe të tjerë jo. Frymëzimi për këtë qasje na çon pas te vepra e E E E Evans-Pritchard mbi Azande-t e Afrikës Qendrore. Në librin e tij “Shtregoneri, orakuj dhe magjia mes Azandeve(1937), E-P, i trajtoi akuzat dhe rrëfimet e shtregonerisë si elementë esencialë të kozmologjisë Zande dhe një mënyrë për të ruajtur një jetë sociale të rregulluar.
Thuhej se shtrigat Zande mishëronin një substancë të ligë me fuqi mbinatyrore me të cilën dëmtonin një person të cilin shtriga, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm nuk e pëlqente. Në dallim nga shtrigat në shumë kultura të tjera, variantet Zande sulmonin vetëm me mënyra mentale. Ato thjesht duhet të ankoronin vullnetin e keq kundër një tjetri dhe nuk kishin nevojë p.sh të yshtnin apo të gjuanin me shigjeta të padukshme për të lënduar një njeri, siç është e zakonshme mes shtrigave gjetiu.
Nëse vuan nga një sëmundje apo nga fatkeqësi të tjera, sidomos nga ato që i shkaktohen vetëm një njeriu dhe jo të tjerëve(si p.sh kafshimi i gjarprit apo ndonjë tjetër ‘aksident’), një pjesëtar i Zande, mashkull apo femër(apo të afërm të tyre, nëse fatkeqësia ka qenë fatale) do të dyshojë se bëhet fjalë për veprën e një shtrige që e ka me të; me ndihmën e një fallxhori mund të konfirmohet identiteti i dyshimtë. Duke pretenduar se nuk ishin të vetëdijshëm se po shkaktonin dëm, të akuzuarit shpesh rrëfenin. Të dy palët atëherë pajtoheshin dhe viktima nuk e quante më të akuzuarin si shtrigë. Në këtë mënyrë, Evans-Pritchard i pa besimet te shtrigat si një rrugë për shpjegimin e faktit se pse gjërat e këqija u ndodhnin njerëzve, përfshirë njerëzit e mirë. Përderisa akuzat dhe rrëfimet mund të zbulonin tensione në marrëdhëniet mes njerëzve, kjo ishte edhe një mënyrë për të promovuar dhe mbajtur harmoninë sociale.
Antropologë të tjerë që erdhën pas Evans-Pritchard, ndoqën gjurmët e tij në interpretimin e shtregonerisë si diçka që ka shërbyer për të mbajtur sistemet sociale arsyeshëm në një gjendje të qëndrueshme. Kjo qasje e “luftës në paqe” gjeti mbështetje pavarësisht thyerjeve sociale, lëndimeve, palumturisë dhe disa herë dëmtimeve apo vdekjes së të pafajshmëve që mund të vijë si pasojë e akuzave se dikush është shtrigë apo thjesht nga trajtimi i tyre si të dyshuar. Për më tepër dhe në linjë me një perspektivë relativizuese që i sheh kulturat njerëzore si në thelb të ndryshme nga njëra-tjetra, studimet ndërkulturore në përgjithësi erdhën e u reduktuan në identifikimin e funksioneve sociale që mund të kryejnë besimet në shtregoneri në shoqëri të veçanta. Identifimimi i dikujt si shtrigë mund të jetë i dobishëm në zgjidhjen apo reformimin e marrëdhënieve sociale që nuk janë më funksionale, p.sh mes të martuarve apo grave të një burri. Apo më përgjithësisht, besimi në shtriga mund të shihet si promovim i sjelljes së mirë, në mënyrë që njerëzit të mund të shmangin veprimin e keq ndaj të tjerëve për shkak të frikës, ose pse mund të akuzohen për shtregoneri, apo se kanë përdorur magji kundër tyre.
Për shkak se vëmendja e historianëve dhe antropologëve ka qenë në shoqëri të caktuara, ka patur pak synim për përgjithësim. Dhe në çdo rast, u bë shpejt e qartë se lloji i njerëzve që akuzoheshin apo dyshoheshin për shtregoneri, varionte nga njëri grup në tjetrin. Kështu, nëse në rrafsh global janë femrat ato që më së shumti identifikohen si shtriga, në disa shoqëri – përfshirë Navahot e Amerikës së Veriut dhe disa shoqëri afrikane – shumica e shtrigëve janë meshkuj. Në shumë vende të tjera(përfshirë Zandeland sipas Evans-Pritchard), burrat dhe fmrat dyshohen njësoj.
Luhatje të ngjashme konstatohen lidhur me moshën, statusin social dhe pasurinë. Ndonëse femrat e kaluara në moshë dhe të varfëruara janë të dyshuara në disa vende, në disa kultura, si Tlingit dhe Kaska në Alaska dhe Kanadanë veriperëndimore dhe Bangwa të Kamerunit, shumë nga ata që akuzoheshin si shtriga ishin fëmijë. Në një mani shtrigërie që preku Kaska-t gjatë dy apo tri dekadave të para të shekullit të 20-të, u ekzekutuan duzina më fëmijë në mënyrën më të tmerrshme, shpesh nga anëtarë të familjeve të tyre, duke rralluar kështu popullsinë e kësaj shoqërie, e cila sipas gjasave nuk arriti asnjëherë më shumë 300 apo 400 pjesëtarë.
Mënyra sesi njerëzit e nxjerrin jeteesën nuk përcakton gjithashtu edhe shfaqjen e besimeve në shtrigëri. Disa shkrimtarë kanë shprehur mendimin se shtregoneria mungon apo shfaqet rrallë mes komuniteteve të vogla, nomadike, apo gjysmë nomadike të gjuetarë-mbledhësve me densitet të ulët popullsie. Por përpara integrimit të tyre në shtetet komb moderne, të sipërcituarit Kaska kishin një besim në shtrigat dhe praktikat anti-shtregoneri, siç kishin shumë gjuetarë-mbledhës të tjera indigjenë të Amerikës së Jugut dhe Veriut – përfshirë Paiute të Oregonit të lindjes.
Duke pranuar mangësitë në qasjet e hershme sociologjike ndaj shtregonerisë, ish-udhëheqësi im në Oxford, Rodney Needham propozoi një perspektivë më të mirë. Në esenë e tij “Karaktere Primordiale”(1978), Needham argumentoi se, për të kuptuar siç duhet shtrigën, ne duhet të hulumtojmë besime të veçanta rreth shtrigave që gjejnë shprehje në kultura përndryshe të ndryshme dhe kontekste të ndryshëm historik. Së bashku, këto i shtohen asaj që Needham e quajti “imazhi i shtrigës”, një tërësi e ndërlikuar idesh, asnjë prej të cilave nuk është domosdoshmërisht e lidhur me forma të veçanta të organizimit shoqëror.
Needham i quan pjesë të imazhit të përhapur të shtrigës si “përbërësi moral”: përfaqësimi i shtrigës si e kundërta absolute e moralit të qenies njerëzore. Nuk është e papritur, që nën këtë drejtim Needham përmendi të parin kanibalizmin, por ai nuk tha asgjë tjetër rreth mënyrës jashtëzakonisht uniforme për të cilën shtrigat pretendohet se ekzekutojnë bëmat e tyre të liga. Me pak përjashtime, shtrigat në mbarë botën veprojnë në mënyrë të padukshme; ato shndërrojnë viktimat apo shpirtrat e tyre në kafshë sakrifice dhe sulmojnë njerëzit duke i shpuar apo qëlluan me mjete të padukshme dhe duke u futur substanca të dëmshme në trupa.(Shpimi – piercing është një teknikë kryesore mes Kalapalo të Brazilit, që i quajnë shtrigat “mjeshtre të shigjetave”, por ajo na kujton një pretendim të kohëve të fundit të QAnon se Bill Gates, identifikuar si një anëtar i ‘elitës globale’ promovonte vaksinimin kundër CoVid-19 me synim injektimin e mikroçipave te subjekte të pavetëdijshëm për këtë gjë).
Ndonëse Needham nuk e saktësoi, një shprehje po kaq e rëndësishme e përbërësit moral të imazhit është mënyra sesi shtrigat në shumicën e vendeve veprojnë për të penguar proceset nomrale të jetës njerëzore. Më e rëndësishme, ato kundërveprojnë ndaj riprodhimit njerëzor duke vrarë bebet ende të palindura, në mitër, si dhe foshnjat pas lindjes, të gjitha këto ndërkohë që sipas asaj që besohet, ato përfshihen në praktika seksuale të pamiratuara që nuk mund të çojnë në ngjizje. Shtrigat femra në Gana besohet se janë të afta të kthejnë përmbys mitrën e një femre në mënyrë që ajo të mos mund të mbetet shtatzanë, ndërkohë që shtrigët meshkuj mund të vjedhin mitrën e një femre shtatzanë.
Në disa vende, përfshirë Europën në fillimet e modernitetit si dhe mes Yoruba të Afrikës Perëndimore dhe indianëce Mapuche në Kili, shtrigat mendohet se kanë fuqi te vjedhin penisin e meshkujve dhe të shkatërrojnë farën e tyre. Tipare të tjera të listës së Needham janë ngjashëm të përhapura në kultura të tjera. Njerëzit në botë tregojnë sesi shtrigat takohen fshehurazi në grupe për të vrarë viktimat si në klikat okulte të fillimeve të Europës moderne. Ato përshkruhen rregullisht se veprojnë natën, janë të afta të fluturojnë(apo të ngrihen pezull), të asociohen apo identifikohen me kafshë, marrin pjesë në larmi inversionesh të tjera fizike dhe jo vetëm dhe shfaqen si drita nokturne. Ndonëse qartazi një element trivial, ky tipar i fundit është i kudondodhur. Shembuj të tij gjenden kudo; Amerika e Veriut dhe e Jugut, Europë, Afrikë, Azi dhe ishujt e Paqësorit. Kështu Sumbanese të Indonezisë lindore quajnë shpesh shtriga ”ata që ndriçojnë, shkëlqejnë dhe vibrojnë”(natën). Njësoj, në Gana, fjala Twi për praktikimin e shtregonerisë ka kuptimin “të ndriçosh”.
‘Inversioni’ përmes të cilit shtrigat bëjnë gjëra përkundër nga siç duhet apo normalja, është një tjetër ide që haset thuajse kudo. Shtrigat europiane mendohej se ngulnin kryqet përmbys në tokë, ecnin së prapthi si pjesë e ritualeve, kërcenin në sens kundërorar(drejtim ters) dhe bënin me dorën e majtë gjëra që duheshin bërë me dorën e djathtë – njësoj siç thuhet për satanistët e mëvonshëm.
Përtej Perëndimit shtrigat konceptohen se janë po kaq qenie të përkundërta. Popullsia Nagé në ishujt Flores të Indonezisë, mes të cilëve kryeva punë hulumtuese në terren mes viteve 1984-2018, i përshkruajnë shtrigat sikur kërcejnë në drejtim ‘të gabuar’ gjatë vakteve festive nokturne kanibaliste. Shtrigat Nagé po ashtu flenë me kokën që sheh në mënyrë të gabuar(drejt detit më tepër sesa tokës). Njësoj, shtrigat Navaho dhe Apache të Përëndimit, bëjnë yshtje të liga duke thënë ‘lutje të mira’ mbrapsht; disa shtriga në Indi atribuohen se kanë këmbë të invertuar; në Afrikën Lindore shtrigat ecin përmbys; shtrigat në Burma flenë përmbys më shpesh sesa në shpinë; shkrimtarët e vjetër romakë i përshkruanin shtrigat si të afta për të kthyer rrjedhën e lumenjve – dhe kështu lista vazhdon.
Needham argumentonte se komponentët nuk ka pse të shfaqen njëherazi dhe unë jam dakord me të. P.sh, nëse amerikanët e akuzuar së fundmi se merreshin me satanizëm janë shembuj modernë të shtrigave, për aq sa unë di ata duhet ende të kreditohen me aftësi të tilla si të fluturojnë vetiu, të shndërrohen në kafshë apo të ecin mbi kokë. Mungesa e aftësive të tilla të atribuara ndaj tyre, që janë sigurisht të gjitha të pamundura fizikisht sipas fizikës moderne, shpjegohet lehtë me arsimin shkencor modern që ka ndikuar diskursin publik dhe me gjasë, edhe imagjinatën e edhe pjesëtarëve më të paarsimuar të shoqërive perëndimore. Sërish, çfarë mbetet në akuzat për satanizëm janë vrasjet rituale, kanibalizmi dhe pengimi i riprodhimit njerëzor(duke sakrifikuar siç thuhet fëmijët dhe duke promovuar abortin).
Mbijetesa ndaj akuzave mundet pra të reflektojë vetëm atë që është e munshme empirikisht. Edhe kështu ato janë qendrore në imazhin e shtrigës. Si fillim, kanibalizmi, të hash njerëz si ty, është në vetvete një lloj inversioni, përveçse një fyerje e skajshme morale në shumicën e vendeve. Edhe në kultura ku praktikohet kanibalizmi ritual(si në Guinenë e Re), kanibalizmi i shtrigave dallohet për aspektet e veta sekrete, të tepruara, të pakontrolluara dhe të padiskriminuara. Në të njëjtën kohë, shtregoneria moderne perëndimore, apo satanizmi, duket se është zgjeruar mbi preferencën e zakonshme të shtrigës për të viktimizuar fëmijën, duke shtuar pedofilinë në agjendën e tyre të bëmave të liga. Jo tërësisht origjinale-pasi seksi me fëmijë është një akuzë që ngrihet kundër shtrigave në disa kultura tradicionale afrikane – kjo shtesë sigurisht që pasqyron tiparet e prindërimit modern që janë specifike në mos unike për shoqëritë e masës në Perëndim.
Nga seria e ndaluar e inversioneve te manifestimet si dritat nokturne apo fluturimi i vetvetishëm, atributet e shumta të shtrigave takohen kaq shpesh, në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme historike, saqë ato nuk mund të shpjegohen në mënyrë të besueshme si vetëm rastësi, ose si diçka që origjinuan në një kulturë dhe thjesht mandej u përhapën në ato fqinje e mandej më të largëtat. Disa besime mund të jenë zhvilluar pavarësisht nga njëri-tjetri në vende të ndryshhme. Por kjo vetëm sa lyp pyetjen: pse duhet të ndodhte kjo? Nisur nga uniformiteti global i imazhit të shtrigës, ne mund të konkludojmë se ai është një produkt i psikologjisë pan-njerëzore. Needham arriti pak a shumë të njëjtin përfundim, por ai nuk u shty kurrë më tej. Duke u mbështetur në konceptin e Carl Jung, ai thjesht e karakterizoi shtrigën si një ‘arketip’, ndonëse një të tillë që është ‘sintetik’, që do të thotë që konsiston në komponentë që nuk ka lse të shfaqen së bashku dbe se disa njerëz ua atribuojnë entiteteve si shtrigat.
Siç e vuri ai në dukje, qenie pastërtisht shpirtërore si zotat apo fantazmat, mundet po ashtu të invertohen, të marrin forma kafshësh apo të jenë aktivë natën. Megjithatë këto të përbashkëta gjejnë një shpjegim të thjeshtë në një konceptim këmbëngulës të shtrigave si qenie me të njëjtat fuqi mbinatyrale si shpirtat dhe njëkohësisht, njerëzit joperfektë. Me fjalë të tjera, shtrigat rëndom ngatërrojnë çfarë filozofët pranojnë si kategori ontologjike madhore. Kjo përfshin në esencë lloje të ndryshme qeniesh, kafshë jonjerëzore dhe shpirtra të cilët njerëzit moralë i mbajnë kudo të ndarë nga njëri-tjetri konceptualisht dhe në disa mënyra edhe fizikisht. Kudo, njerëzit e ndalojnë seksin me kafshët, ndërkohë që shtrigat shpesh akuzohen pikërisht për këtë. Nagé të Indonezisë lindore thonë se transgresione te tilla mund ta kthejnë një njeri në shtrigë. Duhet pranuar se këto vëzhgime shpjegojnë vetëm pjesërisht shtregonerinë universale. Nëse shtriga është një prirje e brendshme e mendimit pan-njerëzor, atëherë rrënjët e tij duhet të gjenden thellë në psikologjinë njerëzore. Thënë kjo, shtregoneria është një dukuri komplekse, saqë disa aspekte apo komponente të saj kërkojnë shpjegime të ndryshme nga të tjerat.
Të marrim seritë e inversionit fizik p.sh. Këto janë produkte të prirjes universale për të ndërtuar metafora. Të qenit së prapthi apo përmbys janë mënyra veçanërisht konkrete, të gjalla, kategorike dhe psikologjikisht efektive të përfaqësimit të të menduarit inversiv, të ndjesh dhe sillesh në mënyra tërësisht të kundërt nga ajo e njerëzve të zakonshëm, siç shembullizohet nga inversione morale më abstrakte si sakrifica njerëzore në vend të kafshës, kanibalizmi, perversioni seksual e kështu me radhë. Por të quash inversionet fizike si metaforike nuk do të thotë të sugjerosh se ato janë thjesht figurative. Një tjetër tipar i metaforave është se me kalimin e kohës, ato mund të lindin, në mos besohen me vendosmëri, mandej të merren si të mirëqena, rrallë të vihen në diskutim dhe thjesht të pranohen si diçka faktuale nga shumica e njerëze që i përdorin zakonisht.
Çfarë kërkon një kuadër të ndryshëm shpjegues është besimi themelor në ekzistencën e qenieve njerëzore në thelb të ligj. Është kurioze që njerëzit zakonisht identifikojnë të ngjashmit e tyre si shtriga, të paktën anëtarë të grupit etnik, ose që flasin të njëjtën gjuhë. Shpesh të akuzuarit janë gjithashtu anëtarë të të njëjtit fshat apo familje dhe madje bashkëshortë e deri prindërit dhe motrat apo vëllezërit. Por duke akuzuar ata e paraqesin të dyshuarin si moralisht të huaj dhe jonjerëzor, si individë jashtë lidhjeve njereëzore dhe ndaj edhe janë saktësisht e kundërta e “njerëzve si ne”. Prandaj është tipike që në krye të listës së shtrigave të dyshuara në mbarë botën të jenë skllevërit që banojnë në komunitete(zakonisht pasardhës të robërve të luftës), persona të tjerë të nje rangu të ulët, sidomos kur ata kanë ardhur nga një fshat tjetër(siç shpesh ndodh) gratë dhe soji i tyre. E lidhur ngushtësisht me përjashtësinë e shtrigës, shtregoneria ndërtohet mbi njohjen, unike mes njerëzve, të mendjeve të tjera si tonat, gërshetuar me një bindje të përkundërt se njerëzit e tjerë nuk janë tamam si ne dhe se janë në të vërtetë “të tjerë”.
Një qasje gjurmon urrejtjen dhe frikën gjatë përvojave emocionale universale të fëmijërisë. Si e derivuar nga Sigmund Freud kjo teori e lokalizon shtregonerinë në një vetëdije të formuar te foshnjat se përkujdesësit e tij ekzistojnë ndaraz tij dhe mundet sa të frustrojnë aq edhe të kënaqin nevojat dhe dëshirat e tij – hapi i parë I të kuptuarit nga një person se “ferri është tjetri”, sa për të cituar Jean Paul Sartre. Ky arsyetim shkon më tej me idenë se meqenëse foshnjat e kanë të padurueshme për pasojë tërbimn e tyre ata e projektojnë atë te njerëz të tjerë, fillimisht te përkujdesësi kryesor(me shumë gjasë nëna) dhe më vonë te të tjerë. Vetë sugjerimi se ideja e shtrigës është e rrënjosur në fëmijëri do të ndihmonte në fakt – nisur nga roli që teoria i jep përkujdesësit të foshjeve - në shpjegimin e predominimit global të femrës mes të akuzuarve si shtrigë.
Duke e plotësuar këtë qasje, shkencëtarët konjitivë e shohin shtregonerinë si një produkt të psikologjisë evolucionare që zë fill mes të njëjtëve gjuetarë-mbledhës të Erës së Gurit prej nga ku shfaqen besimet fetare. Një besim në qenie të padukshme është po aq i vjetër sa specia jonë, në fund të fundit dhe ka një tërheqje psikologjike të pashkëputshme dhe kujtesë në idenë minimalisht kundër-intuitive – e tillë që është fantastike e sërish e thjeshtë, dhe jo aq në të kundërt me mendimin e përgjithshëm se vështirë mund të procesohet. Nëse shtrigat duhet të posedojnë fuqi mbinatyrore të krahasueshme me shpirtrat dhe angazhohen në praktika karakteristike me fenë, përfshirë vrasjen rituale dhe ushqimin e përbashkët, kjo ka kuptim.
As nuk është rastësi që perëndimorët e sotshëm që akuzojnë të tjerët për satanizëm ndodh të jenë më shumë evangjelistë ose protestanë fondamentalistë, pasi anëtarë të këtyre denominimeve kristiane, besojnë te Satanai si një qenie e pranishme dhe aktive në botë, dhe në të keqen si një fuqi reale e përqafuar nga të tjerët, të cilit në dallim prej tyre, nuk janë mes të zgjedhurve nga Zoti. Sipas psikologëve evolucionistë, besimi në shtregoneri evoluoi si një mekanizëm psikologjik që ndihmoi mbijetesën në komunitetet e vogla të Paleolitit duke i mbajtur njerëzit vigjilentë për ekzistencën e mundshme të armiqve të brendshëm apo të jashtëm me një sjellje malinje apo në mënyra të padukshme.
Njësoj si disa evengjalistë të kohës së sotme, disa gjuetarë – mbledhës të mbetur ende sot vazhdojnë të besojnë se mes tyre ka shtriga. Këto besime nuk na shërbejnë më, por specia jonë si e tërë u ka mbijetuar atyre – njësoj siç ne i mbijetuam evolucionit të trurit dhe kokës së madhe, efektet anësore të të cilave shihen te problemet kërcënuese për jetën e grave gjatë lindjes së fëmijës. Është e qartë se të izolosh shkaqet përfundimtare të shtregonerisë nuk ka për të zgjidhur menjëherë destabilizimin social dhe padrejtësinë që akuzat(të cilat në rastin e shtregonerisë mund të supozojmë se janë të rreme) mund të shkaktojnë. Por sa më shumë e kuptojmë besimin si një prirje të brendshme të kushtit njerëzor, aq më shumë shanse kemi të kontrollojmë dhe kundërveprojmë ndaj efekteve të tija më të këqija. Të paktën do të krijojmë një ide më të mirë se me çfarë kemi të bëjmë.
Burimi: Aeon
Përkthimi dhe titulli shqip: Skerdilajd Zaimi
Add new comment