Ne nuk e dimë se çfarë duhet të bëjmë!
Situata është cinike sa nuk ka më. Një ditë pasi kryeministri mburrej në Parlament se Shqipëria është në ditët e veta më të mira të historisë së saj, në Tiranë ndodhën dy vrasje. Njëra në shkollë, tjetra në rrugë. Një djalë 14 vjeç i qëlluar me thikë nga moshatarë dhe djali i një gjyqtari u qëllua me silenciator.
Sigurisht që nuk mund të vendoset një lidhje fajësie mes njërës ngjarje dhe tjetrës. Por një lidhje përgjegjësie ka. Nuk ka një lidhje fajësie sepse akte të tilla kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin në çdo kohë. Nuk ka një lidhje direkte fajësie, sepse faji nis në familje, nis me injorancën e përgjithshme që kemi në raport me fëmijët, me ushqimin e një fryme përfitimi dhe parazitimi në vend të një fryme konkuruese dhe kërkimi.
Marrëdhënia jonë me fëmijët si prindër, si mësues po të duam apo edhe si të afërm, është e ndërmjetësuar tashmë nga autoriteti i sendeve, i suksesit të tyre në iluzionin e një mirëqenieje që jep status. Që zgjidhin me magji një gjendje të papraueshme dhe që fillimisht riparohet rrufeshëm në rrjetet sociale.
Pole materiale të këtyre koordinatave ku lëviz imagjinata dhe ambicia e vanitetit që nuk ka asnjë kuadër moral ku të moderohet, jemi të gjithë. Me menunë tonë të fjalorit të përditshëm të fitimit, hilesë, relativizimit, kurthit, rrugës së shkurtër. E keqja që nis në çdo familje mahiset rrugës me riprodhimin në modele kyçe dhe përfaqësuesuese të kësaj kohe si kriminelë me pushtet, me para, që jetojnë dhe performojnë statusin e tyre me luks dhe shfaqje. Është një qendër gravitimi që nuk do shumë të shquhet se nuk ka nevojë për asnjë atu si puna, studimi, kërkimi, apo edhe gara për ta arritur. Drejtësia sociale nuk vepron dot në një shoqëri, individët e së cilës nuk përpiqen sadopak të aplikojnë drejtësi me veten, në shtëpi, në rrugë, me fëmijët.
Nuk është rasti për ta absolutizuar një dukuri të hershme të kanoneve tona që gjatë tranzicionit gjeti përfaqësim në majën e pushtetit, por për të kuptuar fare qartë se e drejta, etika e punës, e tashmë edhe familja po shndërrohen në entitete jopolitike në shoqëri. Ato sa vjen e po i ngjajnë arkaizmave dhe mbetjeve të një kohe që nuk e kupton do më kush. Dhe këtu do kërkuar përgjegjësia e atij që deklaronte se sot Shqipëria është më mirë se kurdo herë më parë.
Cilin kriter zbaton ky zotëri kur e deklaron këtë? Të ardhurat për frymë, punësimin, aftësimin, integrimin në shekullin që jetojmë? Ka rëndësi përgjigja sepse me vlerësimin “Shqipëria ka ndryshuar shumë” është marketuar një realitet vizual që fsheh një krizë të thellë.
Le të na thotë ky zotëri sot, meqë shpesh deklaron se merret edhe letra: në çfarë besojnë sot shqiptarët? Ai vetë? Vetëm në Paranë. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Sidomos në një shoqëri që sa vjen e bëhet fare e qartë se nuk ka asnjë kapacitet për t’iu përgjigjur sfidave që po vijnë, të botës ku jetojmë. Sfida të cilat as nuk do t’i shohë, dëgjojë, e lëre më t’i kuptojë. Ne po sundojmë pasigurinë tonë permanente me sigurinë e rreme të pasurimit të shpejtë, që ndërtohet mbi një pikë rëndese që kontrollohet gjetiu dhe që argëtojmë veten me krenari të sajuar dhe artin e inskenimit të vetes në qindra lakuriqësi të pavenda. E bën këtë krimi, e bëjnë pasanikët e rinj, e bën politika dhe e bëjnë edhe akademikët që ndërrojnë lëkurë sa hap e mbyll sytë.
Një shoqëri që të funksionojë do disa hierarki që krijojnë mandej parime organizative dhe kodifikojnë vlerat në funksion të një marrëdhënieje që është ekonomike si fillim. Por pa e injoruar Njeriun si të tillë, që duhet të mos relativizohet. Dhe thelbi i një morali buron kryesisht nga sjellja apo vendimet që nuk konsiderojnë përfitimin por interesin e publikes, ku mandej asociohet apo jep konsensusin çdo njeri. Politika jonë, dhe me politikë këtu do mbajtur parasysh i gjithë zinxhiri i institucioneve sociale ku jemi pjesë, e ka ndërruar paradigmën: njeriu për mallin dhe jo e kundërta. Politika e partive, e z. Rama që është tani e ka theksuar këtë prirje, e ka shndërruar atë në model absolut, i vetmi që funksionon. Ndaj vrasja që ndodhi është akuzë morale edhe për qeverisjen e tij që bazohet në performim mediatic dhe jo veprim konkret. Nuk ka asgjë që bën kjo qeverisje që të bindë kënd se diçka po ndryshon, se puna dhe e drejta e gjejnë rrugën.
Teknikisht vrasja është një tragjedi familjare dhe personale. Por për ta trajtuar atë si shembull ndërhyrjeje dhe korrigjimi, ne nuk dimë se çfarë të bëjmë. Në terma të tjerë kjo që ndodhi të kujton rastin e Onkologjikut të cilin qeveria e menaxhoi me damarët e acaruar në qafën e ministres së Shëndetësisë që mbeti duke akuzuar se “po bëni politikë me fatkeqësinë”. Po me çfarë mund të bëhet më politikë në këtë vend?
Është e tmerrshme të mendosh veten në një rast të tillë. Me siguri që të gjithë të duken fajtorë, përgjegjës, të shëmtuar, hipokritë, tradhtarë, siç me siguri i je dukur tjetërkujt dikur. Është e tmerrshme dhe helmuese të qarkohesh nga fytyra që befas marrin kuptim jo për tiparet fizike, por për Kulturën që përçojnë. Nga sipër poshtë.
Add new comment