Bie koalicioni qeveritar në Gjermani

Postuar në 06 Nëntor, 2024 21:45

Koalicioni qeverisës trepartiak i Gjermanisë u shpërbë sot në mbrëmje pasi kancelari Olaf Scholz njoftoi se do të shkarkonte ministrin e Financave, Christian Lindner, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth reformave ekonomike.

Kriza në koalicionin e Partisë Socialdemokrate të Scholz-it, të Gjelbërve dhe Partisë Demokratike të Lirë të Lindnerit nisi pasi FDP publikoi një dokument me kërkesa për reforma ekonomike liberale të vështira për t'u pranuar nga dy partitë e tjera.

Një takim i tre liderëve mbrëmjen e sotme nuk prodhoi asnjë zgjidhje dhe Lindner raportohet se i tha Scholz-it se nuk shihte asnjë mënyrë për të vazhduar koalicionin, duke i kërkuar t’u hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo solli si pasojë shkarkimin e tij, citon Politico dy burime që kanë dijeni mbi diskutimin e bërë.

Megjithëse Scholz potencialisht mund të kërkojë të vazhdojë të qeverisë në një qeveri të pakicës, ai nuk ka shumicë për të miratuar buxhetit, gjë që i rrit gjasat për një votë mosbesimi dhe zgjedhje të parakohshme - potencialisht në fillim të marsit.

FDP është partia më e vogël në koalicion, me vetëm katër për qind – nën pragun e nevojshëm për të hyrë në parlamentin gjerman në zgjedhjet e ardhshme federale, të planifikuara për në shtator – që do të thotë se udhëheqësit e saj kanë menduar për një shkëputje të koalicionit me qëllim, për të shpëtuar të ardhmen e tyre politike.

Plani i propozuar nga Lindner, i cili u zbulua në media javën e kaluar, bën thirrje për ulje të taksave dhe zvogëlim të politikave klimatike në mënyrë që të stimulohet rritja ekonomike – të dyja pozicione që e vënë partinë në kundërshtim me partnerët e tij të koalicionit.

Në qendër të negociatave të qeverisë është miratimi i buxhetit të vitit 2025 nga parlamenti – në të cilin duhet të plotësohet një boshllëk prej të paktën 2.4 miliardë eurosh dhe potencialisht shumë më tepër – si dhe një marrëveshje për masat për të rinovuar ekonominë e sëmurë të vendit.

Fitorja e Trump pritet të ushtrojë presion të madh mbi ekonominë më të madhe të Evropës. Një analizë nga Instituti Ekonomik Gjerman  vlerëson se një luftë e re tregtare mund t'i kushtojë Gjermanisë 180 miliardë euro gjatë katër viteve në detyrë të Trump.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.