Skandal hakerimi në Itali, të përfshirë Vatikani dhe Izraeli
Një skandal hakerimi që ka përfshirë Italinë mund të shtrihet përtej kufijve të saj, duke përfshirë Izraelin, Vatikanin, Mbretërinë e Bashkuar dhe Lituaninë.
Përgjime të policisë italiane, të cilave u referohet Politico, kanë ngritur dyshimet se fuqi të huaja kanë përdorur një kompani investigative me bazë në Milano për të depërtuar në bazat e të dhënave të sigurisë shtetërore. Synimi mendohet se është mbledhja e informacionit sekret në lidhje me aktivitetin financiar, transaksionet bankare private dhe hetimet policore.
Në qendër të skandalit është kompania italiane e inteligjencës Equalize, e cila dyshohet se ka hakuar informacione për mijëra njerëz, duke përfshirë politikanë, sipërmarrës, atletë dhe madje edhe muzikantë. Ky operacion mendohet se është bërë për llogari të inteligjencës izraelite dhe Vatikanit.
Nunzio Samuele Calamucci është emri i akuzuar për orkestrimin e skemës. Sipas përgjimeve, ai është takuar me dy agjentë izraelitë në zyrën e firmës në Milano në shkurt 2023 për të diskutuar një detyrë me vlerë 1 milion euro.
Puna ishte një operacion kibernetik kundër objektivave ruse, duke përfshirë "krahun e djathtë" të paidentifikuar të Presidentit Vladimir Putin dhe zbulimin e gjurmëve financiare që çonin nga llogaritë bankare të figurave të pasura te grupi mercenar rus Wagner. Më pas supozohej se informacioni do t'i kalonte Vatikanit.
Mbetet ende e paqartë se pse inteligjenca izraelite dhe Vatikani janë të përfshira në këtë skemë dhe cilat janë arsyet për të cilat kanë kërkuar informacion mbi objektivat ruse.
Sipas përgjimeve, izraelitët sugjeruan një partneritet për të shkëmbyer informacione, duke ofruar "të gjitha dokumentet origjinale" nga i ashtuquajturi skandal i Katargate i BE-së, i cili ekspozoi zyrtarë të Parlamentit Evropian.
Ata gjithashtu i ofruan firmës italiane informacione që mund të ndihmonin një nga klientët e pretenduar të Equalizer, gjigantin italian të energjisë Eni, me informacione mbi "trafikimin e paligjshëm të gazit iranian me kompanitë italiane".
Vetë kompania Eni konfirmoi në një deklaratë se kishte punësuar Equalize për "një detyrë hetimore për të mbështetur strategjinë dhe mbrojtjen e saj në çështje të ndryshme penale dhe civile", por tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë aktiviteti të paligjshëm nga kompania.
Vende të tjera mund të dalin të përfshira gjatë hetimit.
Kompania Equalizer rezulton se ka përdorur serverë në Shtetet e Bashkuara dhe Lituani, ku ata mendonin se ishin më pak vulerabël, sipas dokumenteve të zbuluara.
Prokurorët kanë urdhëruar sekuestrimin e një serveri në Lituani dhe po vlerësojnë nëse do t'u bëjnë një kërkesë hetuesve në Mbretërinë e Bashkuar, sipas raportimeve në mediat italiane.
Katër të dyshuar që janë aktualisht në arrest shtëpiak në lidhje me këtë çështje, kanë dalë dje para gjykatës në Milano.
Add new comment