Hidhet ideja e një CIA europiane

Postuar në 30 Tetor, 2024 16:26

Bashkimi Evropian duhet të hapë agjencinë e vet të inteligjencës. Ideja është hedhur nga ish-presidenti finlandez Sauli Niinistö.

Në mars, Niinistö - i cili ka qenë president i Finlandës për më shumë se një dekadë – u ngarkua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me detyrën për të hartuar një raport të detajuar mbi gatishmërinë e bllokut për luftë dhe mbrojtje civile, së bashku me propozimet për përmirësim.

Në planin e tij, Niinistö i sugjeron BE-së të zhvillojë "shërbim të plotë të bashkëpunimit të inteligjencës në nivel të BE-së që mund t'i shërbejë si nevojave strategjike ashtu edhe atyre operacionale", ndërsa shton se Unionit i duhet "një rrjet anti-sabotazh" për të mbrojtur infrastrukturën.

Nevojitet më shumë punë për të “rritur punën kundër spiunazhit në institucionet e BE-së”, tha ai pasi prezantoi planin së bashku me Von der Leyen.

Diplomatë të shumtë janë dëbuar nga kryeqytetet pas akuzave për spiunazh dhe Brukseli është kthyer në një pikë të nxehtë për aktivitetin e agjentëve me qindra institucione dhe ambasada të vendosura në qytet.

Aleatët perëndimorë e ndajnë inteligjencën – me rrjetin Five Eyes që lidh së bashku agjencitë në Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Zelandën e Re dhe Mbretërinë e Bashkuar – dhe një agjenci e tillë e BE-së duhet të fokusohet në përdorimin e mirë të informacionit tashmë funksional, tha Niinistö.

"Ne duhet t'i besojmë njëri-tjetrit," shtoi Niinistö.

Agjencitë e sigurisë duhet gjithashtu “ta bëjnë sa më të vështirë që të jetë e mundur që shërbimet e huaja të inteligjencës armiqësore të veprojnë kudo në BE”, tha ai.

Gjetjet e Niinistö-s do të implementohen gjatë mandatit të dytë të Von der Leyen, në të cilin BE-ja do të ketë komisionerin e saj të parë të Mbrojtjes, i cili do të ngarkohet me hartimin e një strategjie mbi mbrojtjen deri në pranverë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.