Perëndimi është i dënuar të përsërisë në Rusi gabimet e luftës në Irak

Postuar në 13 Tetor, 2024 13:41
John Gray

 

Pushtimi i Irakut jehon kaq fort, njëzet vjet pas, sepse prej tij nuk është nxjerrë mësim. Shumë kritikë e kanë parë këtë pushtim si orvatje për të zhvatur naftën apo komplot i errët a diçka e tillë. Në fakt, kryesisht ai u nxit nga ideologjia. Përveç se si masë e kufizuar me qëllim pengimin e përkeqësimit të dhunës, mesazhi i luftës kundër Irakut është: ndërhyrja ushtarake e liberalëve është një projekt vetëmbrojtës. 

Rrëzimi i diktaturës shekullare të Sadam Husejnit u ndoq nga lindja e Shtetit Islamik, një teokraci e egër që në kulmin e vet kontrollonte rreth 40% të vendit, dhe ndarja prej Irakut e territoreve kurde. Forcë sunduese sot në politikën e Irakut është Irani fundamentalist. Edhe pse pati për qëllim të vendoste në Irak një regjim demokratik, miqësor me Perëndimin, pushtimi i Irakut ka qenë një prej dështimeve më spektakolare në historinë moderne.

Megjithatë, fantazia për të ndryshuar regjimet nuk u shua as gjatë viteve të trazuara pasi Iraku u pushtua më 2003-shin. Ajo u ripërtëri me rrëzimin e despotit libian, Muamar Gadafi, më 2011 dhe solli dy dekada me përpjekje të kota të amerikanëve për të ndërtuar shtet në Afganistan. Tetëmbëdhjetë muaj pas tërheqjes me turp të trupave amerikane dhe aleatëve, Perëndimin duket se e ka pushtuar një fantazi e re edhe më bëmëmadhe.  E konceptuar fillimisht si ndihmë karshi Ukrahinës për t'u vetëmbrojtur ndaj operacionit special ushtarak barabar të Putinit, qëllim i politikës së Perëndimit u bë më pas ndryshimi i regjimit në Rusi.

Sipas një klisheje të lodhshme, misioni amerikan në Irak dështoi për shkak të planifikimit të gabuar të paspushtimit. S'ka dyshim se kanë ndodhur gabime që mund të ishin shmangur, mirëpo sikur edhe 10 minuta të ishin shpenzuar duke u përsiatur për origjinën e këtij vendi, pothuaj me siguri të plotë pushtimi s'do kishte nisur. Demokracitë janë produkt i zhvillimeve historike të gjata në kohë dhe s'mund të krijohen me një të rënë të lapsit. Iraku, i formuar në epokën koloniale dhe i qeverisur nga grupe dhe klane etnike të ndryshme dhe sektare, nuk është formuar për t'u vetëqeverisur. Arkeologia dhe emisarja politike, Gertrude Bell (1868-1926), bash arkitektja, më shumë se kushdo tjetër, e shtetit modern të Irakut, e ka patur të qartë se ky vend do copëtohej po të bëhej ndonjëherë demokratik. Dikur, vite pas kaosit që shpërtheu me pushtimin e Irakut, i përmenda Bell-it, njërit prej neokonservatorëve që orkestroi luftën, ai më pa i habitur. Jam i sigurt se s'kish dëgjuar kurrë emrin e saj.

Për koalicionin e neokoservatorëve, liberalëve mujsharë dhe burokratëve ushtarakë që nisën pushtimin, çdo njohuri e detajuar mbi njerëzit që po pushtonin ishte shpërqendrim. Ishte e qartë si drita e diellit se irakianët, si të gjithë njerëzit e kësaj bote, me zor po prisnin demokracinë alla-amerikane. Vlerat liberale ishin universale. Për ta mjaftonte të zhdukej tirania.

Por për të tjerë, Amerika e shek XXI ngjan me një eksperiment të dështuar. Të pakta janë vendet që duan të importojnë tensionet e ndërsjella etnike, kulturën e luftës, paligjshmërinë urbane dhe rrezikun për luftë civile të këtij vendi (nëse rezultatet zgjedhjet presidenciale nuk pranohen nga pala humbëse). Modeli që neokonseravatorët kanë dashur të eksportojnë përherë ka qenë i idealizuar. Sot ai nuk ekziston më.

Megjithëkëtë, sot në Uashington ka një gjeneratë liberalësh në favor të dhunës, që e shohin Ukrainën fushëbetejën kryesore në betejën botërore për përhapjen e demokracisë. Nuk është më e mjaftueshme të frenohet Rusia. Rusia perandorake duhet shpërbërë. Ndaj ka një grimë të vërtete në pretendimet e Putinit kur thotë se perëndimorët kanë dashur të komplotojnë kundër Rusisë vitet e para pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Për këtë, lëvizjet e fundit në politikat perëndimore kanë pohuar frikërat më paranojake të Putinit.

Njëlloj si në Irak, fundi i shtetit rus do të pasohej me anarki, Çeçenia, Dagestani dhe Ingushetia mund të shkëputen, dhe shanset për luftë të plotë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit do rriteshin. Pesë "stanet" e Azisë Qendrore do të synonin rritje të autonomisë në zonën e influencës ruse. Përfitues kryesor do të ishte Kina, që do të përmbushte ambicien që prej kohësh e ruan duke shtënë në dorë burimet e begata të Rusisë. Shteti rus i rrudhur që doli nga rënia e perandorisë së vet pas gjase është drejtuar nga nacionalistë antiperëndimorë. Si në Irak, ideja se shumica në Rusi dëshiron demokracinë ala-perëndimore është e pathemeltë.

Për Evropën, të shkaktuarit humbje dërrmuese Rusisë do të thotë përhapje më e madhe e luftës. Putini do bëjë ç'të mundet që konflikti të zgjasë shkurt duke përdorur armë bërthamore, përfshirë një luftë rrufe të përgjithshme mbi qytetet e Ukrainës. Nëse forcat ajrore aleate do përpiqen ta ndalojnë fushatën terrorizuese të Rusisë, lufta rrezikon të përhapet në tërë vendet fqinje me të. Polonia, që po ngre me shpejtësi ushtrinë më të madhe në kontinentin evropian, efektivisht e sheh veten të përfshirë në luftë. Nëse Kina dhe Irani si kundërpërgjigje e rrisin ndihmën për Rusinë, ky konflikt i gjerë evropian do i vërë zjarrin botës.

Lufta në Ukrainë është bërë jetike si për Kievin, edhe për Moskën. Perëndimi nuk mund të tërhiqet pas për shkak të frikës së Rusia mund të marrë kurajë e të përparojë në Moldavi, Gjeorgji, Serbi dhe vende të tjera. Ndërsa Putini s'mund të ndërmarrë asnjë hap pas që mund të rrezikojë kontrollin mbi Krimenë – një imperativ gjeopolitik kryesor për të dhe çdo lider tjetër rus. Rreziqet janë më shumë se kurrë në pikun e tyre.

Rrjedha e ngjarjeve në muajt që po vijnë është tejet e paqartë, por në këtë errësirë mjegulluese ca gjëra janë të qarta. Po dëshmojmë fundin përfundimtar të rendit botëror të Pasluftës së Ftohtë, dhe fillimi i këtij fundi ishte pushtimi i Irakut.

/ Newstatesman /

Përkthimi: Respublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.