Ksenofobia kineze/ Çfarë fshihet pas agresionit ndaj të huajve

Postuar në 11 Tetor, 2024 15:30
Federico Rampini

 

Kina nuk është një vend i rrezikshëm. Atje ka rend publik kudo dhe krimi është më pak i pranishëm se këtu në Perëndim. Ky është një nga avantazhet që legjitimon një regjim autoritar. Autokracitë kanë të meta të mëdha dhe të pafalshme, por ata e mbajnë gjithmonë parasysh se stabiliteti dhe siguria janë vlerë për shumicën e qytetarëve. Megjithatë, kohët e fundit disa ngjarje po e dëmtojnë imazhin e Kinës si një vend ku mund të lëvizësh vonë natën pa frikën se do të grabitesh apo sulmohesh. Nga njëra anë, vetë regjimi ka nisur një fushatë kundër krimit dhe kjo ngre dyshime se ka të tilla: ndoshta një nënprodukt i stanjacionit ekonomik dhe papunësisë së lartë të të rinjve. Në një front krejtësisht tjetër, ka raportime për "krime urrejtjeje" të lidhura me ksenofobinë. Në këtë fenomen, dora e Xi Jinping është qartësisht e pranishme.

Në katër muajt e fundit, të njëjtat media zyrtare janë detyruar të raportojnë tre sulme masive me therje, ku viktimat ishin japonezë dhe amerikanë. Ndoshta episode të tjera të ngjashme nuk janë pasqyruar. Është hapur ndërkohë një debat publik – gjë e rrallë – në vetë mediat sociale kineze, ku disa zëra kanë guxuar të akuzojnë propagandën nacionaliste për përhapjen e ksenofobisë dhe urrejtjes ndaj të huajve. Ka lindur një neologjizëm në këtë drejtim, për të përcaktuar "edukimin për urrejtjen".

Një nga akuzat lidhet me një video që është bërë virale në mediat sociale kineze: tregon një mësuese në klasë, që me tone agresive nxit nxënësit e saj që të mos i falin kurrë mizoritë dhe krimet e luftës të kryera nga japonezët gjatë okupimit në Luftën e Dytë Botërore. Në kohën e përhapjes së saj, ajo video ishte shumë e suksesshme për arsyet e gabuara: sjellja e acaruar e mësueses u vlerësua dhe u konsiderua si një model shembullor i entuziazmit patriotik. Pas sulmeve të fundit me thikë, disa guxuan të vënë në dyshim përfitimet që mund të sjellë ky lloj edukimi.

Një studiues i nacionalizmit kinez dhe japonez, Wang Ke, nga Universiteti Kobe, e shpjegon kështu fenomenin: “Urrejtja  është një pjesë integrale e kurrikulës së shkollave kineze. Partia Komuniste kërkon t’i mbajë të hapura plagët e historisë”. Tekstet shkollore, të mbytura me propagandë nacionaliste, anti-japoneze dhe antiperëndimore, u rënduan akoma më shumë me të pasi Xi Jinping erdhi në pushtet. Udhëheqësi që drejton vendin – te i cili ndërthuret pushteti i presidentit dhe sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste - i ka kushtuar disa fjalime zyrtare edukimit të rinisë. Ai ka denoncuar shpesh infiltrimin e ideve, vlerave dhe modeleve perëndimore të jetesës, duke i kërkuar shkollës që t'i kundërshtojë ato. Ai ka folur për "shëlbimin e Kinës nga shekulli i poshtërimeve" duke iu referuar Luftërave të Opiumit të fituara nga Anglia në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Xi u ka bërë thirrje të rinjve, të cilët përballen me papunësinë, të mos përçmojnë punën bujqësore apo atë në fabrika: “Mësoni të përtypni hidhërimin”. Krenaria nacionaliste luan një rol themelor në këtë etikë të ashpër dhe luftëtare, të rrënjosur që në moshë të re në shkollë, si dhe në trajnimin e detyrueshëm ushtarak për studentët e vitit të parë të universitetit.

Pasojat janë të tilla që dikush rebelohet. 18 shtatorin e kaluar, në përvjetorin e pushtimit japonez të Mançurisë (1931), një djalë dhjetë vjeçar japonez u godit me thikë për vdekje në Shenzen ndërsa shkonte në shkollë. Dy juristë të Pekinit, Chen Bi dhe Zhao Hong, kanë nisur një apel kundër përhapjes së ksenofobisë në platformën më të njohur sociale, WeChat: “Dhuna nuk duhet të legjitimohet në emër të patriotizmit. Nëse historia mësohet në emër të urrejtjes, do të kemi dhunë të re dhe vdekje të reja”. Por qasja e tyre ishte e dukshme vetëm për pak kohë; pasi shumë përdorues e shpërndanë, autoritetet e fshinë fare.

Një tjetër rast i ksenofobisë anti-japoneze ndodhi vitin e kaluar, pasi autoritetet japoneze autorizuan lëshimin e ujit radioaktiv nga termocentrali bërthamor Fukushima. Niveli i radioaktivitetit në ato ujëra ishte shumë i ulët, shumë më i ulët se ai në afërsi të centraleve të shumta bërthamore kineze, dhe operacioni i lëshimit ishte autorizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Për më tepër, probabiliteti që ato ujëra nga Japonia të arrinin në brigjet e Republikës Popullore Kineze ishte i vogël. Megjithatë, Pekini ngriti akuza të ashpra dhe vuri sanksione ndaj Tokios. Menjëherë pas kësaj, në një shkollë të mesme në Zaozhuang, studentët organizuan një shfaqje teatrale në të cilën, me entuziazëm, i këndonin himn vdekjes së kryeministrit japonez të vrarë në vitin 2022, Shinzo Abe. Autoritetet nuk morën asnjë masë, duke u kufizuar në përcaktimin e shfaqjes si "jo fort e përshtatshme", por ia atribuuan atë entuziazmit patriotik rinor.

Rreziku nuk është vetëm ai i nxitjes së ksenofobisë ndaj armiqve të vjetër, si Japonia, por edhe përgatitja e opinionit publik kinez për të konsideruar si legjitim të gjithë agresionin e vazhdueshëm nga Republika Popullore kundër vendeve fqinje. Tekstet shkollore gjithashtu indoktrinojnë gjeneratat e reja mbi legjitimitetin e pretendimeve territoriale kineze ndaj Indisë, Vietnamit dhe Filipineve. Kur Ushtria Çlirimtare Popullore (forcat e armatosura të Kinës) nis sulmet kundër fqinjëve, media shtetërore hedh poshtë të gjitha akuzat.

Një rast më vete është Tajvani, ishulli është konsideruar që nga viti 1949 si një provincë rebele, e cila nuk gëzon asnjë të drejtë dhe as nuk mund të pretendojë autonomi, ndaj shkeljet e vazhdueshme të qiejve dhe ujërave të tij territoriale konsiderohen si çështje të brendshme.

/ Corriere della Sera /  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.