Ballkani Perëndimor po bëhet paradhoma industriale e BE-së
Investimet e huaja janë rritur në Ballkanin Perëndimor sidomos pas pandemisë. Një studim i ri i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare vëren se flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte (IHD) kanë tejkaluar ndjeshëm vlerat e ekuilibrit afatgjatë në disa vende.
Ky interes i shtuar shpjegohet me disa faktorë, mes të cilëve edhe afërsia gjeografike me Bashkimin Evropian (BE), fuqia punëtore e kualifikuar dhe kostot e ulëta të punës.
Këto avantazhe e kanë bërë rajonin veçanërisht tërheqës për kompanitë që kërkojnë të zhvendosin objektet e prodhimit më afër tregut të BE-së – një prirje që ka marrë vrull pas ndërprerjeve globale të zinxhirit të furnizimit të shkaktuar nga pandemia COVID-19.
“Analiza jonë identifikon raste konkrete të gatishmërisë në pesë nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi”, thotë Branimir Jovanović, autori kryesor i studimit.
Nearshoring, procesi i lëvizjes së objekteve të prodhimit më pranë tregjeve të konsumit, është bërë një strategji tërheqëse për kompanitë që kërkojnë të zbusin rreziqet e zinxhirëve të gjatë të furnizimit, veçanërisht në dritën e ndërprerjeve të fundit globale. Raporti thekson se kjo prirje është veçanërisht e theksuar në Ballkanin Perëndimor, ku një numër në rritje i kompanive të huaja - veçanërisht nga Azia - po krijojnë tani terren.
"Firmat aziatike ndjekin një qasje shumë strategjike, duke i pozicionuar qëllimisht objektet e tyre të prodhimit pranë bërthamës ekonomike të BE-së në mënyrë që të kenë zinxhirë furnizimi më të shkurtër," tha Jovanović. Kompanitë nga Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut janë ndër më aktivet në zhvendosjen në rajon, të nxitura nga faktorët ekonomikë dhe gjeopolitikë.
Hartuesit e raportit pyetën 17 investitorë të huaj në rajon, ku shumë prej tyre konfirmuan se vendosja e objekteve të prodhimit më afër BE-së ishte përparësi.
Megjithatë, raporti evidenton edhe sfida. Qeverisja e dobët, korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit, infrastruktura e pazhvilluar dhe institucionet e pamjaftueshme mbeten barriera të rëndësishme për rritjen e mëtejshme. Megjithatë, investitorët janë optimistë të kujdesshëm për potencialin e rajonit.
Krahas prodhimit industrial, raporti thekson edhe potencialin e rajonit për investime të gjelbra, veçanërisht në energjinë e rinovueshme. Jovanoviç vë në dukje projektet e mëdha të energjisë së rinovueshme që po zhvillohen tashmë në Shqipëri, Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Add new comment