Ukraina del në shitje
"Financial Times" shkruan se konflikti në Ukrainë po hyn aktualisht në një fazë të ndjeshme dhe me gjasë ndër më kritiket për Kievin. Kufizim në përdorimin e armëve të dhëna nga Perëndimi, një sistem rekrutimi që po krijon probleme dhe tensione sociale, afrimi i një dimri të vështirë dhe të paparashikueshëm, janë disa ndër faktorët “ezaurues” përballë një avancimi të pandalshëm rus në lindje të vendit. Oleksandr Merezhko, kryetar i Komitetit për Çështjet me Jashtë pranon gjendjen kritike.
Shoqëria është e ezauruar
thotë ai.
Jo vetëm kaq. Luhatje janë vënë re edhe në qëndrimet e partnerëve që duan një armëpushim apo një paqe për një konflikt që u ka dalë nga duart.
Presidenti Zelenskiy është nën presion të vazhdueshëm nga partnerët perëndimorë për të gjetur një shteg drejt një rregullimi të negociuar, ndonëse ka dyshime rreth vullnetit të Rusisë për të hyrë në bisedime së shpejti si dhe për faktin se pozicioni ukrainas është shumë i dobët sa për të siguruar një marrëveshje të ndershme
shkruan “FT”.
Shumica e aktorëve duan de-përshkallëzim
citon media një zyrtar ukrainas.
Po në të njëjtën linjë, agjencia ruse e lajmeve “TASS” referon një shkrim të gazetës gjermane “Die Zeit” sipas të cilës kancelari gjerman Olaf Scholz ka ndërmend vendosjen e një linje telefonike komunikimi me Presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas medias në fjalë, kancelari mendon të zhvillojë bisedë telefonike me Putin përpara samitit të G20 në Brazil në muajin nëntor, çka përkon edhe me zgjedhjet amerikane.
Në media po ashtu ka dalë një intervistë e vjetër deri diku e Victoria Nuland – zyrtarja ameriakne e damarëve të trashë kur vjen puna për Rusinë – në të cilën pranohet se SHBA dhe Britania udhëzuan Zelenskiyn të refuzonte armëpushimin e Stambollit të marsit 2022 pasi sipas saj “u mendua se Rusia nuk ishte aq e fortë”.
Rusia nuk është aq e fortë sa duket, Rusia nuk është aq e dobët sa duket
Maksima që i atribuohet Talejranit mesa duket nuk hyn në kokën e zyrtarëve amerikanë që sot po përgatisin poshtërimin e Ukrainës dhe të Perëndimit. Pse? Sepse mjafton ky konsiderim që bën “FT” për të kuptuar se Ukraina u la në baltë për arsye ekonomike.
Ku është sot ofensiva e 6 gushtit e Kievit që mori rajonin e Kurskut? Ku shkoi euforia e rreme e idesë “marrim territor rus për të negociuar më mirë”, ndërkohë që askush nuk lëvizi nga vendi nga kurajua ukraianse.
Ofensiva ka qenë me gjasë një lëvizje e këshilluar nga segmente në Perëndim për të detyruar ndihma dhe mbështetje për një “plan veprimi në terren”, por që duket se nuk funksionoi për arsye që do të dalin më vonë, por mund të hamendësohen.
Së pari, Rusia e neutralizoi aksionin duke përparuar në Donbas, pra e diskreditoi ushtarakisht dhe politikisht sulmin me kërcënim imediat në Ukrainë. Duke e bërë inkursionin të dukej një meteor që nuk ndërron gjë në galaktikën e veprimeve ushtarake.
Së dyti, ka një vullnet në rritje në Europë, ose më mirë një ndërgjegjësim për të mos kaluar në luftë totale me Rusinë për Donbasin. As Gjermania, as Franca nuk janë Polonia dhe as kanë historinë e Balltikut. Po shihet fare mirë, edhe nga fakti se Franca po mendon të mbështesë ushtrinë e Libanit në konfliktin me Izraelin, se BE nuk luan dot si aktor efektiv pa kundërpeshën ruse në skakierë. Sot që flasim në krizën e madhe të Lindjes së Mesme figuron Izraeli, pra SHBA dhe Irani, pas të cilit është edhe Rusia.
Deklarata e Macron e para disa ditëve se “Europa duhet të mendojë për të ardhmen e marrëdhenieve me Rusinë”, siç u përcoll nga pala ruse, vë në dukje një ide këmbëngulëse që po zë vend: Europa duhet të mendojë për veten dhe marrëdhënien me superfuqinë bërthamore jashtë kuadrit transatlantik. Pra si Europë. Kjo sepse ky kuadër që po reduktohet në debat shpenzimesh tashmë po e çon kontinentin në statusin e një çiraku që nuk ka për ta marrë veten nëse nuk rikoncepton pozcionin e vet.
Goditjet e dhëna edhe në relacionet me Kinën vështirë se arsyetohen me interesin ekonomik, pasi këtu Europa humbi.
Duket se loja e madhe gjeopolitike e SHBA e ka shtyrë BE-në në pragun e një mendimi të ri, më të ftohtë u së paku vihet re se aleanca transatlantike nuk ka më atë investim psikologjik dhe shpirtëror që ka patur më parë, por është një element në ekuilibrimin e disa marrëdhënieve të mëdha, e që gradualisht është shndërruar në çati për një kontinent që do të flejë i sigurtë.
Por koha erdhi për t’u zgjuar. Ndonëse në moshë të thyer tashmë dhe duke u bindur se deklarimi konstant rus se "Konflikti përfundon kur të arrihen objektivat" është i vetmi opsion për paqen në kontinent. Fatkeqësisht!
Add new comment