Standardet e dyfishta të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë

Postuar në 23 Shtator, 2024 21:44
Jak Simoni

 

 

Pa vënë në dyshim rëndësinë e një institucioni që, nëpërmjet procesit të akreditimit, monitoron institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, lajmi që, si gjithmonë, vjen nga një dosje hetimore italiane vë në dyshim punën e tij. Me sa duket, ai ka vepruar me dy standarde.

Ndërsa institucioneve shtetërore të arsimit të lartë në proces akreditimi u kërkon thasë me dokumente, sepse nuk ka dosje që i zë, për universitetet private, gjithnjë sipas lajmeve që vinë nga Italia, është kufizuar me “çanta me dokumente”. Kërkohen thasë pa  fund me dokumente, shumë  prej tyre të panevojshëm për të verifikuar cilësinë.

Rëndon akoma më shumë fakti se është një akreditim i dyfishtë.  Akreditohet institucioni dhe pas thuajse dy vitesh e kanë radhën programet, ku kërkohen thuajse të njëjtët dokumente.  Kur një institucion ka programet e akredituara, çfarë nevoje ka për akreditim të mëtejshëm?

Natyrisht, që çdo institucion i arsimit të lartë dokumenton punën e tij dhe  ky dokumentacion gjendet në njësitë e tij.

Dokumentacioni aty është, le të vijnë e ta shikojnë, kështu që nuk ka nevojë të kërkohet duplikimi i tij. Madje, nuk u mjafton vetëm një kopje e printuar dhe as ajo elektronike.

Për t'u ndalur vetëm tek një detaj. Në mes të morisë së dokumenteve kërkojnë dhe listat pafund të maturantëve që kanë shprehur interes për një program studimi, ndonëse mund ta kenë zgjedhjen e dhjetë dhe nuk kanë ndërmend të regjistrohen kurrë në të. Nuk mjaftojnë listat e të regjistruarve!  

Megjithëse  Agjencia e Sigurimit të Cilësisë do të bëjë një raport të vlerësimit të jashtëm, çuditërisht kërkon një raport të vlerësimit të brendshëm.

Rëndon akoma më shumë situatën fakti se vetë institucionet e arsimit të lartë janë të tej mbushura me dokumente, ku shpesh ka përsëritje te të njëjtëve nene në statute, rregullore fakultetesh, departamentesh, programesh etj. Madje, dhe tek i njëjti dokument ka përsëritje të panevojshme.   

Me gjithë ofrimin e të gjithë këtij dokumentacioni nga ana e universiteteve dhe me gjithë ë vlerësimin maksimal pozitiv në të gjitha standardet nga ana e agjencisë së lartpërmendur, akreditimi nuk  jepet për maksimumin e viteve që përcaktohet me ligj.

Veprohet kështu nga ana e agjencisë për t’i lenë punë vetes dhe për të ardhmen.

Përsëri thasë me letra, për të cilat do të priten mijëra pemë kot së koti. Pemë dhe kohë e humbur që fare mirë mund të kursehej dhe aktiviteti në arsimin e lartë do ishte më shumë didaktik e kërkimor sesa formal.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.