BE fiton betejën me Apple. Duhen paguar 13 miliardë euro taksa të prapambetura
Komisioni Evropian fitoi betejën gjyqësore me Apple, e cila do të duhet të paguajë faturën prej 13 miliardë euro taksa të prapambetura. Gjykata Europiane e Drejtësisë hodhi poshtë vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte anuluar një vendim të Komisionit Europian që i konsideronte të paligjshme marrëveshjet tatimore mes Apple dhe Irlandës.
“Irlanda i dha Apple ndihmë të paligjshme, të cilën Irlandës i kërkohet ta rikuperojë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë., i cili mbetet i paapelueshëm. Ky vendim shënon një fitore të madhe për fushatën e Komisioneres së Konkurrencës, Margrethe Vestager, kundër “planifikimit agresiv të taksave”, një fushatë që ka vënë në shënjestër kompanitë shumëkombëshe të SHBA-së, pasi rastet e mëparshme kanë dështuar në gjykatat e Bashkimit Evropian.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme t'u tregojmë taksapaguesve evropianë se herë pas here drejtësi tatimore mund të bëhet", tha Vestager në një konferencë për shtyp.
Rasti i Apple ishte pjesë e një sërë hetimesh që analizuan nga afër sesi vende si Irlanda dhe Luksemburgu ofruan trajtim të favorshëm tatimor për t’i mbajtur selitë evropiane të firmave shumëkombëshe.
Betejat e Apple me BE-në janë zgjeruar vitet e fundit. Apple u gjobit me 1.8 miliardë euro në fillim të këtij viti për rregulloret e AppStore dhe është nën hetim për shkelje të rregullave të konkurrencës digjitale. Vestager ka deklaruar pak javë më parë se raste të tilla tregojnë se “Apple kontribuon shumë, shumë pak kur bëhet fjalë për taksat, në juridiksionet ku fiton shumë".
Add new comment