SHBA, kritika Kurtit: Po përkeqëson partneritetin me ne

Postuar në 30 Gusht, 2024 22:17

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e kritikoi operacionin e sotëm të policisë së Kosovës në veri të vendit, ku janë mbyllur pesë institucione paralele serbe. 

Në një reagim, Ambasada Amerikane shprehet se Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Operacioni i sotëm sipas Ambasadës Amerikane shënon një përkeqësim të mëtejshëm të partneritetit me Kosovën.

Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Pesë institucione paralele serbe në veri të vendit u mbyllën sot gjatë një operacioni të policisë së Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.