Vizita e Burns konfirmon se ambasada amerikane në Beograd ka një problem
Ish-ambasadori serb në SHBA, Ivan Vujaçiç, ka komentuar vizitën rajonale të shefit të CIA-s, Willim Burns si të lidhur me frenimin e çdo aksioni destabilizues. Sipas tij, efektiviteti i vizitës do parë te tërheqja e Milorad Dodik nga deklarimet për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës, ndërkohë që praninë e tij në Beograd, Vujaçiç e ka lidhur me qartësimin mbi pasojat e çdo aksioni që destabilizon Bosnjen dhe Kosovën, çka qartësohet më së miri me mesazhi që sipas tij i është dorëzuar Kurtit: çdo veprim i njëanshëm do të ndikojë negativisht mbi qëndrimin e SHBA dhe BE-së ndaj Kosovës.
Konflikti i armatosur në Banjska vitin e shkuar me gjasë ka theksuar përfshirjen e shërbimeve amerikane në monitorimin e rajonit
citohet Vujaçiç.
Nëse e marrim komentin si një analizë të afërt me atë që supozohet se ka ndodhur, mund të konfirmohet se në hullinë e të gjitha qëndrimeve të mbajtura deri më tani, i vetmi që mbetet në fuqi dhe qëndrimet e të cilit përkojnë me ato që citohen si mesazhe të Burns, është ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. I cili ka qenë përherë në krah të Prishtinës por kritik, të paktën që nga sulmi i Banjskës kur për amerikanët mesa duket u bë e qartë se Prishtina mund të jetë problem, por asnjëherë kundërshtari.
Vjen këtu në një tjetër optikë diplomacia e ambasadorit amerikan në Beograd, Chris Hill, i kritikuar jo rrallë si amabasador me sjellje lobisti, i cili brenda të gjitha parametrave mesa duket nuk ka arritur të bindë Aleksandër Vuçiçin për leximin e situatës së sigurisë ballkanike në SHBA. Duke preferuar politikën e paqëtimit dhe miqësimit, duke toleruar veprime që në fund të fundi sollën sipërmarrjen arrogante serbe të Deklaratës Panserbe për të ardhmen e botës serbe. Një lloj riciklimi i Programit nacionalist të Beogradit që nuk do të kishte shanse të artikulohej nëse SHBA do të kishte peshën që ka patur dikur. Dhe Hill ësht diplomat me njohje të vjetra të Ballkanit.
Ndaj vizitën e Burns, nëse duam ta shohim me një sy kritikë, apo të gjejmë elementë të kritikës, me shumë arsye këto shkojnë për ambasadën amerikane në Beograd, ku edhe është problemi për Ballkanin.
Add new comment