Një protestë që zbuloi se Aleksandër Vuçiç nuk është Serbia: Ka shumë gjak të derdhur në këto kodra

Postuar në 19 Gusht, 2024 12:21

E vetmja protestë e suksesshme në Shqipëri pas vitit 2013, ishte ajo kundër armëve kimike. Iste dhe mbetet një protestë të cilën askush nuk e di kush e organizoi saktësisht, si u amplifikua ashtu dhe mandej rezultati. Sot Serbia ka identikisht të njëjtin problem. Miniera e Jadarit ku britanikja Rio Tinto ka marrë koncesionin e litiumit ka provokuar një reagim që sa vjen e adopton retorikë antikoloniale. E tillë është ndjesia që ka prodhuar lajmi i mirë i miliardave që do të investohen. Gazeta amerikane “New York Times” ka raportuar nga vendburimi i supozuar i litiumit, Gornje Nedeljice, por edhe nga protestuesit në Beograd.

Ndonëse Rio Tinto ka shpenzuar deri më tani 600 milionë dollar në blerje trualli, kompensime dhe donacione, puna ka ngecur. Deri në fund, kompania që ka mbështetjen e Gjermanisë dhe SHBA-së planifikon të investojë 2.55 miliardë dollarë. Sipas gazetës, Europa ka edhe 20 projekte të tjera lpër litiumin, por projeki serb është më i madhi dhe ndihmon në arritjen e tranzicionit energjetik të vitit 2050 dhe në eliminimin e varësisë nga Kina.

Ajo që është disi paradoksale lidhet me faktin se projekti nuk ka asgjë demagogjike nga pala serbe, e cila në këtë rast ka vetëm interesin ekonomik dhe padyshim forcimin e një marrëdhënieje me Perëndimin. Ministrja e Minierave të Serbisë, Dubravka Djedoviç Handanoviç ka deklaruar se projekti sjell 20 000 vende pune, një kontribut i jashtëzakonshëm për vendin. Akuzat për orkestrim protestash tingëllojnë edhe më absurde, pasi në to po marrin pjesë të majtë e të djathtë, të helmuar nga perceptimi se nuk kanë asnjë të drejtë në vendin e tyre. Se Serbia është mall në shitje nga Vuçiç në Pazar me miliarderët e Perëndimit.

Ai shiti Kosovën por nuk ka për të na marrë ujin e pastër. Nuk kam nevojë për makina ekologjike, kam nevojë për mollë jeshile dhe bar jeshil

citon gazeta një 25 vjeçare në protestë.

Kështu pozicionet politike të Beogradit kanë kontaminuar një pjesë të shoqërisë që ndjen se është lënë në rrugë, zhveshur nga çdo e drejtë.

Ai lejoi që të tradhëtonte veten për para dhe duke bërë kështu na tradhëtoi të gjithëve

citon gazeta një emigrant serb në Gjermani, i dëshpëruar që vëllai i madh shiti shtëpinë Rio Tintos.

Nëna është krenare që dy nga djemtë e saj refuzuan të shesin te Rio Tinto

vazhdon gazeta.

Kështu një projekt që presupozohet të sillej drejt problemeve mjedisore dhe ekonomike është shndërruar në ankth nacional se Serbinë po e rrëmbejnë dhe po e blejnë. E nëse sheh vëllimin e investimeve industriale në kohën e ish-Jugosllavisë, kupton se arsyet e kësaj mërie janë pikërisht të lidhura me frikën se në tokën e tyre, serbët do të shndërrohen në bujkërobër modernë. Kështu kapur pas historisë, ata mesa duket po çojnë para një protestë të cilës nuk i mungon as histeria e që në fund të fundit sjell një goditje strategjike për pushtetin e Vuçiç: ka zbuluar kufizimet e legjitimitetit të tij. Është thjesht lojtari më i fortë, por jo serbi më i dashur.

Stërgjyshi im luftoi të ruante këto toka dhe unë tani supozohet ta shes te Rio Tinto. Në asnjë mënyrë. Ka shumë gjak të derdhur në këto kodra

shprehet një tjetër banor i zonës.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.