Dyshime për dy raste të sabotimit të ujit në bazat ushtarake në Gjermani
Një bazë ushtarake gjermane pranë aeroportit të Këlnit u mbyll përkohësisht, pas dyshimeve për sabotimin e rrjetit të ujit. Gjithçka nisi pas zbulimit të një vrime në murin rrethues të bazës Këln-Wahn pranë objektit të ujit të pijshëm, tha një zëdhënës i ushtrisë gjermane në një deklaratë.
“Meqenëse sistemi i ujit të pijshëm po tregonte vlera të pazakonta, furnizimi me ujë të pijshëm në kazermë ishte ndërprerë”, tha zëdhënësi.
Incidenti u raportua fillimisht nga media gjermane Spiegel, e cila citoi një memo të brendshme, që udhëzonte ushtarët dhe forcat civile të mos e përdorin ujin e rubinetit në bazë në asnjë rrethanë.
Më herët gjatë ditës, gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung raportoi se edhe një tjetër një bazë e NATO-s në Geilenkirchen në shtetin e Rhine-Westfalisë së Veriut ishte mbyllur gjithashtu për shkak të sabotimit të mundshëm të furnizimit me ujë. Një zëdhënës i NATO-s, megjithatë, mohoi se baza ishte mbyllur ose se kishte ndonjë problem me ujin, ndërsa pranoi gjithashtu se kishte pasur një incident sigurie një natë më parë.
"Dje në mbrëmje, rreth orës 21:00, dikush tentoi të hynte në bazë pa leje," tha Donny Demmers, zëdhënës i bazës ajrore të NATO-s në Geilenkirchen.
Incidenti në bazën Këln-Wahn aktualisht po hetohet nga policia dhe shërbimet e kundërzbulimit të ushtrisë gjermane, raportoi Spiegel.
Rreth 4 300 ushtarë dhe 1 200 forca raportohet se janë në bazën në Këln, ku janë vendosur disa autoritete komanduese dhe departamente civile të ushtrisë gjermane, si dhe avionë të përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, raportoi Spiegel.
Ndërsa nuk ka të dhëna se kush mund të ketë qenë përgjegjës për sabotimin e dyshuar, ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, paralajmëroi në qershor për spiunazh në rritje dhe kërcënime kibernetike nga kundërshtarët e huaj, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Një sulm me zjarrvënie në një fabrikë metali të prodhuesit të armëve Diehl në Berlin ishte ndër rastet e fundit të sabotimit të supozuar. Sipas një raporti të Wall Street Journal, zjarri është vënë nga diversantë rusë që synojnë të pengojnë dërgesat e armëve dhe municioneve kritike në Ukrainë.
Baza ajrore Këln-Wahn është një qendër e rëndësishme transporti për ushtarët ukrainas të trajnuar në Gjermani.
Add new comment