Agjërimi lufton plakjen

Postuar në 10 Gusht, 2024 22:04

Agjërimi me ndërprerje, përveçse është provuar një strategji e suksesshme në humbjen e peshës, ngadalëson edhe plakjen. Një studim i kryer në Institutin e Biologjisë Molekulare dhe Bioteknologjisë (IMBB) të Fondacionit për Kërkime dhe Teknologji-Hellas (FORTH), në Universitetin e Parisit Cité dhe në Universitetin e Gracit, rezultatet e të cilit u botuan në Nature Cell Biology, përqendrohet te spermidina dhe mënyra si reagon ajo kur trupi ushqehet ne fasha të përcaktuara orare.

Studiuesit provuan se agjërimi me ndërprerje rrit nivelet e spermidinës, një përbërje kimike (poliamine natyrale), që rrit elasticitetin dhe mbijetesën e qelizave dhe organizmave, nëpërmjet aktivizimit të autofagisë.

Autofagia është procesi i riciklimit qelizor, shkatërrimi i përbërësve dhe organeleve jofunksionale/të panevojshme të qelizës. Defektet e autofagisë janë lidhur me plakjen, si dhe me shfaqjen e çrregullimeve të lidhura me moshën, si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe sëmundjet neurodegjenerative.

Zakonet dietike, të tilla si dieta me pak ose shumë yndyrë, mbiushqyerja ose agjërimi mund të ndikojnë në zhvillimin e këtyre sëmundjeve kronike, prevalenca e të cilave pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme. Ndërhyrjet dietike, të tilla si kufizimi i kalorive dhe agjërimi me ndërprerje, mund të ngadalësojnë plakjen dhe të nxisin jetëgjatësinë.

Studimi i kryer nga studiuesit e IMBB dhe kolegët e tyre, ofron njohuri thelbësore mbi mekanizmat përmes të cilëve zakonet dietike mund të ndikojnë në plakjen e njerëzve dhe sugjeron strategji të reja për trajtimin e sëmundjeve të lidhura me moshën, duke synuar të përmirësojë jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.