Thirrje hipotekarëve të Vlorës dhe investitorëve strategjikë: Jepjani tapinë e Vunoit Qirje Edit!
Ka nja dy ditë që PD-ja e Penxheres akuzon kryeministrin se ka marrë nja 22 ha tokë në Vuno duke bërë ca ndërhyrje ligjore për të përshpejtuar apo përfituar pronën. Penxherja nuk ka thënë deri më tani nëse z. Rama i ka tjetëruar këto prona, apo i ka trashëgim dhe thjesht ka ecur përpara shpejt për t’i marrë se helbete i la 60 e i duhen ca saraje andej nga Bregu.
Me gjasë z. Rama i ka këto nga familja dhe PDP-ja ia ngop këtu një skenar nga vetja për të barazuar situatën juridike të Bilbil Gjyzarit të Penxheres me kompleksin “Partizani” me atë të kryeministrit për të pyetur mandej SPAK: Pse nuk heton po njësoj? Vetë kryeministri ka reaguar e mes të tjera thotë:
Për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete
Pra duke shpallur Tavon kryebashkiak, qirje Edi ka siguri se tani çështja e pronave në Vuno, me gjasë gjeneruar si trashëgimi që nga koha e Gjon Kastriotit, do të marrë zgjidhje.
Ajo çfarë e bën të zbërdhylët këtë gagarel që nuk rri dot pa u mburrur njëherë, është mënyra sesi kërkon të shesë sapunin për djathtë. Qeveria e këtij bëri investitor strategjik lloj e soj njerëzish me projekte nga më të pakuptimtat, tjetërson prona publike në mes të Tiranës; biznesmenë të fuqishëm pranë këtij sillen në Jug sikur të jenë para Iliadës dhe ky po pret që Vangjeli pa Vetulla t’i japë çertifikatën e pronës së stërgjyshit. Aq sa i bie, 7000 m2 mes dyzinës së trashëgimtarëve.
Le ta shtrojmë kështu: sistemi që ka ngritur ky person a ia bën të lehtë këtij që hektarët e Kolekëve t’i marrë kur të dojë? Për atë që bredh edhe për një kredi për shtëpi, apo për një leje punimesh, e di shumë mirë se çfarë bën paraja në këtë vend. E lëre më, të vijë Qirje Edi që kaq shumë ka bërë për Atdheun. Që kaq shumë djersë derdhi për vegjëlinë!
Amani more njerëz, amani o hipotekarët e Vlorës, jepjani çertifikatën e pronave të stërgjyshit këtij, se ka bërë për këtë vend sa nuk ka më! Jepjani çertifikatën edhe pse në Breg dihet se prona ka qenë e pa regjistruar. Jepjani, shpikni kufij e kodra që të fusë kokën ky derërbardhi pa katandi se u telendis nga batakçinjtë e Penxheres ndërkohë që i shkoi jeta nga njëra vepër madhështore te tjetra.
Po një thirrje i shkon edhe biznensmenëve me përvojë në investime strategjike dhe hipotekarllëqe: Samir Mane, Dulak, Papul e Carapul! Ndërhyni që Qirje Edis të marrë pronën se do ja marrim valles të lumtur pastaj aty te Kisha e Shën Thanasit.
Ka dinjitet ky vend apo jo!? Bredh tjetri për 22 ha dhe zero mundësi! Pse edhe ky në Strasburg do e çojë Shqipërinë për pronat?! A ka lezet: Rama kundër Shqipërisë!? Ky kundër Shqipërisë, që ka qenë jetë e mot Pro saj!
s.zaimi
Add new comment