Republika e Lapërdhive
Qarkullon në rrjetet sociale një video e shkurtër e një diskutimi – nëse quhen të tilla këto – në studion e “Të Paekspozuarit”. Ylli Rakipi, moderatori i këtij emisioni, duke dashur të ilustrojë se në këtë vend çdo gjë është e kapur, solli si shembull koqet e dashit. Që sipas rrëfenjës së një plaku të mençur, i cili iu kujtua Rakipit në atë çast, provojnë se asgjë nuk është e pavarur.
Ja, edhe ato tunden lirshëm e duken fare të pavarura, por po të ulësh kokën poshtë, e sheh se ato diku varen.
Shembulli dëgjohet si i goditur, vetëm se ne mund të pyesim: nën vlerën e tij a mos vallë duhet të bindemi se ata që tunden e shkunden më shumë se të tjerët, në fakt janë edhe më të varurit? Ndoshta, kot edhe nuk ka dalë herët fjala “e dredh”.
Prostituimi moral është një formë e dukshme dhe e kapshme e rënies së një etike mashkullore në shoqëri, që nuk duhet ta ngatërrojmë me maskilitetin apo patriarkalitetin. Fluiditeti për të cilin flitet këtu dhe që është kaq eksplicit në kohën që jetojmë, sidomos mes njerëzve të medias, ka gjetur një lloj atributi imunitar tek Inteligjenca.
Ai e dredh sepse është i zgjuar. Ka nuhatje. Ai është politikan. E kështu me radhë menuja e artikujve të bushtrës mashkull që lëviz sa andej këndej duke ecur përherë dy hapa para të tjerëve. Kur flasim për një etikë mashkullore duhet të mbajmë parasysh një raport tradicional të perceptimit dhe të vërtetës historike të funksionimit të një komuniteti, që lidh raportin publik-privat, intim-kolektiv te simetria gjinore.
Mashkulli për shkak të rolit që fitoi në shoqëri, punëve nëse duam që bënte, u përkufizua nga Fjala dhe vepra; femra nga familja dhe shtëpia. Dhe Llafet, që janë të tilla pse murosen brenda shtëpisë. Të gjitha këto vijnë e shndërrohen nga rregullatorë etikë në stigma dhe anakronizma kur një prej entiteve ku rirprodhohen humbet atutë e veta. Ndodhi kjo me mashkullin që dikur edhe në drejtim të punëve publike, pushoi me vullnet të lirë së qeni një burrë.
Burrë nuk ka pse të jetë një fjalë e deklasuar për shkak të koineve të hiper-individualizmit dhe tranzitimit gjinor. Burrë sikundër Femër, Nënë, grua, janë shenjues të përgjegjësisë sociale që ushqehen dhe ushqejnë një psikologji të tërë. Burri me përkufizim është cilësuar “një rracë në zhdukje, një rracë e vjetër”, një “specie e rrallë”. Ndodh që në një komb llafazanësh siç na pëlqente dikur të quanim italianët, figura e Burrit të jetë skalitur në letërsi dhe kinematografi si askund tjetër: Lampedusa, Sciascia dhe Leone shkruajnë e flasin për këtë figurë qysh tani mitike dhe të zhdukur.
Këtu nuk është fjala të vajtohet një model social, apo të kundrohet në formë etno-folklorike një imazh i zhbërë. Rënia e etikës së mashkullit dhe legalizimi i metaforës së dashit prodhon probleme të mëdha edhe për sistemin politik. Prostituimi i një femre nis me trupin e saj dhe mbaron aty. Prostituimi i një mashkulli nis me besimet e veta dhe braktisjen e Fjalës.
Në Greqinë e Lashtë ky aspekt ishte kapur mirë dhe koduar juridikisht me një gjetje shumë të hollë që meriton vëmendje. Në Athinën e Lashtë, të periudhës klasike, prostituimi mashkullor penalizohej me humbjen e të drejtave qytetare. Gjen shembull kjo në një debat të Eskinit dhe Timarkut, ky ku i fundit akuzohej se në rini kishte ushtruar prostitucion. Për pasojë ai humbi të drejtat e veta si qytetar, pra të drejtën për të marrë pjesë në punët publike të qytetit.
Pse kaq rëndësi këtij aspekti që sot po kalon përherë e më shumë në syrgjynin e jetës private, të drejtave, që vijnë e marrin karakter ekskluziv? Mesa duket nga një përvojë e gjatë politike dhe një sistemim politik të marrëdhënieve që gjurmoi si paradigmë qendrore Moralin. E për pasojë edhe shquesin e tij publik: Trupin.
Kalimi i Athinës në një formë demokracie të bazuar mbi votimin mashkullor të përgjithshëm, kërkoi një varg masash të drejtuara për të mbështetur dinjitetin dhe pavarësinë e secilit qytetar(mashkull) cilado që të ishte gjendja e tij ekonomike…
Të ushtroje prostitucionin për meshkujt ishte njëlloj si të zgjidhje të ishe viktimë e asaj që do të verifikohej në rastin kur një person do kishte qenë i shtrënguar të dorëzohej kundër vullnetit vetjak: të pësoje një akt të Hybris. Ushtrimi i prostitucionit me pasojë humbjen e garancive kushtetuese ishte çnderimi më i madh që një qytetar mund të pësonte…
Kush prostituonte – nuk ka rëndësi nëse e bënte prej nevojës ekonomike, apo prej epshit – tregonte me këtë gjest se ishte i gatshëm t’ia shiste pavarësinë e vet kujtdo që dëshironte të paguante…Askujt prej atyre që prostituonin nuk mund t’i lejohej të flisnin para popullit, në kuvendin publik, pasi fjalët e tij konsideroheshin se mund të mos ishin të tijat; se ai mund të ishte paguar nga dikush tjetër për t’i thënë ato…
Më tepër se të mënjanonte prostitucionin në emër të qytetarëve athinjotë, kushtetuta DEMOKRATIKE e Athinës tentonte të nguliste papajtueshmërinë politike dhe ideologjike mes qytetarisë dhe prostitucionit, duke dashur të sigurohej në këtë mënyrë, që cilido qytetar që do të prostituonte të ishte i vetëdijshëm se hiqte dorë për këtë shkak prej të drejtave të tij të pjesëmarrjes në qeverisjen kolektive të qytetit*
Siç shihet nuk kemi të bëjmë vetëm me një përpjekje utopike për të idealizuar qeverisjen, por me një qasje praktike, koceptuale, por edhe largpamëse për kohëzgjatjen e demokracisë. Këtu ndërhyrja morale, nuk është moralizuese, sepse Prostituimi lejohet, por është rregulluese vetëm për aspektin e Publikes.
Reminishenca të kësaj zgjidhjeje hasen kudo; në çdo kod, apo Kushtetutë, flitet për Figurën dhe Imazhin si pjesë të Integritetit. E mira dhe e keqja në një kodifikim juridik në të vërtetë reflekton të moralshmen dhe të pamoralshmen. Sa larg shkuam mund të thotë dikush! E vërtetë, por koqet e dashit për të cilat flet Ylli Rakipi janë asgjë më shumë sesa një distilim folklorik i një dileme shumë të vjetër filozofike dhe ideologjike.
Dhe kjo dilemë torturon sot një shoqëri të tërë që po e përjeton sistemin demokratik nën një klimë më toksike dhe mbytëse sesa ndoshta edhe komunizmin enverist. Sistemi jonë aktual ka modeluar në qendën e vet pikërisht Burrin-Kurvë, prostitutën për të cilën cek pasazhi i mësipërm, hermafroditin moral që vepron pa horizont referues për shoqërinë. Ai nuk ofron një liman ku të ankorohet e mira, e keqja, e moralshmja, e pamoralshmja, barazia dhe pabarazia; ai pranon dhe gëlltit çdo gjë, sepse ekziston si një lloj pre-fizike, një Gollum ku etika e vetme është ekzistenca dhe mbijetesa.
Nuk ka pse të çuditemi pra kur dëgjojmë një Të Zgjedhur të popullit që thotë se "shkoj në burg për kaq lekë", apo një kryeministër që perverton detyrën duke bërë avokatinë proceduriale të përgjimeve, që shantazhon dhe blen këdo, pra duke mbarështuar pikërisht atë tufën e deshëve që tunden e shkunden!
Në Republikën e Lapërdhisë ku vegjëlia nis të qajë me lotë të shkuarën, E KEQJA Absolute, vrasja, likujdimi vijnë e metamorfizohen si simbole të heorikes. Në thjeshtimin e vet filozofik të flasësh për “burrat e asaj kohe” dhe “bythqirat e sotshëm”, është në thelb pikërisht të kërkosh eliminimin e prostitucionit nga drejtimi i punëve publike, duke rikthyer një moral funksional në komunitet.
Ndaj edhe metafora e dashit i cili dikur mbahej se printe kopenë, por sot se tund allatet, vjen e aktualizohet si himni i shqiptarisë së sotme, që ka kapur tanimë fundin e vet si nocion efektiv identifikues për këdo që ka një minimum respekti për veten dhe ka integritetin të besojë në disa gjëra. Është një shqiptari që ka marrë për burra ata që vrasin e vjedhin, por që siç po shohim edhe kur vishen me pushtet, përdorin heshtjen dhe prapaskenën si imunitet për injorancën dhe paburrërinë e tyre. Kainë unikë në kurvërimin e tyre.
*Nga "Athinë, trupi i dhunuar", autor David M. Halperin("Historia e Prostitucionit", botimet "Muzgu").
Comments
Nuk eshte se e ke gabim
Te gjitha keto qe thoni jane te sakta e te verteta. Puna eshte se eshte nje proverb i vjeter shqiptar, qe pararendon edhe komunizmin dhe qe per autorsi i njihet Mirdita (mund edhe te mos jete e sakte, po une keshtu e di) qe thote:
"I nershem asht i pamujtuni". pra nuk ka asgje te re, jemi ne vazhden e nje tradite te vjeter shqiptare qe eshte kodifikuar ne pak fjale. Po te shtojme ketu qe gjysmen e politikaneve te sotme i kemi femra te seleksionuara me kujdes, ai supozimi i "burrave etiko - morale" me rezulton nje mith rreth te cilit mund te diskutohet sa te duam, ndoshta pikerisht per te mos e pare qe mbreti ka qene, eshte dhe do te jete vazhdimisht lakuriq dhe edhe po te dale ndonje kalama i papjekur dhe bertet per lakuriqesine e mbretit, do t'iaj mbyllin gojen e do t'i thone: Rri urte se je i vogel, kur te rritesh do t'i shikosh edhe ti rrobat e bukura qe ka veshur Mbreti. Sa per bolet e dashit ato do te vazhdojne te tunden dhe te shtojne kopene.
Add new comment