Fundi i Kushtetutës së 1998-s, fundi i tranzicionit/ Projekt për shkrirjen e KLSH-së

Postuar në 27 Korrik, 2024 13:26

Këto ditë ka bërë disi zhurmë mosdepozitimi në seancë plenare i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, me arsyen se kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Eduard Shalsi e ka bllokuar atë. Vetë Shalsi ka deklaruar se i ka drejtuar disa pyetje KLSH-së se pse ka kërkuar shkarkimin e Mimoza Dhëmbit, një funksionare e lartë e Ministrisë së Financave.

Në media është përfolur një lidhje e shkurtër e Shalsit me Dhëmbin, por ende nuk ka diçka që të japë të kuptojë arsyet e vërteta të këtij qëndrimi. Ndërkohë Shalsi ka qenë prej kohësh në vëmendje për disa sjellje që më shumë i ngjajën atij të një lobuesi sesa parlamentari: të njëjta manovra bënte ai në diskutimin për ligjin e lojërave të fatit, mandej për çështjen e mikrokredive duke dalë hapur në mbrojtje personale të një Guvernatori të matufepsur me dëshirë dhe së fundmi me KLSH-në.

Duket se ka diçka më të madhe nga pas. Në një prononcim për MCN Tv, deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Edmons Spaho thonë se shumica po përgatit ndryshimet për të likujduar KLSH-në dhe të kalojë në krijimin e një Gjykate Auditi, duke supozuar se kështu merret kontrolli mbi një institucion që duket te jetë arkaizmi i fundit i një Kushtetute që nuk ekziston më.

Për të bërë këtë gjë, do të nevojiten ndryshime kushtetuese, por është e qartë se shumica nuk ka më kapacitet asimilues për raporte kritike, rekomandime dhe denoncime penale që nuk i lënë radhë njërit skandal të tjetri. Kështu ka menduar ndryshimin e formulës përtë asgjësuar kritikën dhe akuzën. Njësoj siç meku Komisionerin për të Drejtën e Informimit, i cili ka kohë që ka shpikur marifete administrative për të penguar dhënien e informacionit: që nga vërtetimi apo autorizimi për të kërkuar informacion e deri te konformimi me përgjigjet e institucioneve pavarësisht pyetjeve të bëra.

Padyshim që nëse një ditë do të dhet të flitet për fundin e tanzicionit në Shqipëri ai do të duhet të konsiderojë si kriter Kushtetutën e vitit 1998 dhe dënimin e saj me vdekje. Sepse asgjësimi i atij kuadri përfaqëson kalimin në kapitalizmin personal dhe tribal që kemi sot, që funksion me dekrete dhe urdhëresa.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.