Protesta serbe kundër litiumit, shpresë për një fitore të vockël demokratike në Ballkan
Duket se opozita serbe ka gjetur një kalë beteje përballë presidentit Aleksander Vuçiç pas humbjes në zgjedhje dhe pasi Bashkimi Europian i mbylli sytë përpara kërkesave për hetim elektoral. Protestat e para kanë nisur kundër projektit të minierës së litioumit, Rio Tinto, të cilën siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç ia premtoi kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Në një deklaratë me shkrim, deputet opozitar serb, Srdan Milivojeviç, shkruan se “Miniera nuk do të lejohet të funksionojë” dhe se me vendimin e marrë presidenti Vuçiç ka shkuar përtej autoritetit kushtetues. Sipas tij, Vuçiç, e ka kthyer Serbinë në një koloni minerare duke e futur politikisht vendin në një gjendje të “monologut të autoritetit”.
Ndërkohë kryetarja e Parlamentit, Ana Brnabiç, ka njoftuar ngritjen e një komiteti bipartizan, të cilën opozita ka deklaruar se do ta bojkotojë, kurse kryeministri Millosh Vuçeviç ka bërë të ditur se “asnjë nuk është aq i çmendur sa të helmojë vendin e vet”.
Situata në fjalë të kujton protestën e armëve kimike në Tiranë, e vetmja që dha rezultatin për të cilin nisi, ardhur kjo edhe si pasojë e paaftësisë së qeverisë për të sqaruar projektin dhe pasojat e tij. Edhe qeveria serbe, Vuçiç vetë, nxitoi të nënshkruante një marrëveshje për litiumin pas zgjedhjeve problematike, me iniciativë personale duke shitur gjerësisht idenë e “një marrëveshjeje të re me Perëndimin”.
Në këto kushte opozita serbe ka sot shansin të dëshmojë suksesin e protestës si instrument demokratik kontrolli mbi regjime hibride të solidifikuara edhe nga një mbështetje ndërkombëtare shumë e sëmurë dhe që në themel të vet ka perceptimin e Ballkanit si periferi ku mund të ndodhë çdo gjë. Shikoni sesi Bashkimi Europian miratoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Serbia për shtetasit kosovarë. Shenjë e qartë sesi tregtohet çdo gjë nën vellon e parimeve dhe demokracisë. Apo edhe standardeve. Me këto standarde po mbrohet edhe miniera në Jadan që kontestohet se do të ketë pasoja serioze.
Nuk dua të më tregojë qeveria gjermane se një kompani e huaj do të respektojë standardet ekologjike dhe ligjet e vendit tim sovran, Serbisë. Të na tregojnë si fillim sesi bëhet kjo në vendin e tyre, punë tona i rregullojmë vetë
vijon Milivojeviç.
Mbetet për t’u parë se nga do të shkojë kursi i kësaj proteste që ka nisur dhe opozita serbe duket kategorike. Nga mënyra sesi ajo shprehet, mbështetet kryesisht te sovraniteti si parim, por ne kemi dëshmuar se cilidoqoftë në krye, sovraniteti i kthehet në barrë kushtëzuese dhe barrierë psikologjike, në një botë të ndërlidhur ekonomike dhe ku çdo luhatje nga stabiliteti reflektohet menjëherë në shoqëri. Thënë ndryshe, koha e sotme nuk është koha e shoqërisë së sakrificës apo reflektimit, por e konsumit dhe risigurimit të tij si e vetmja premisë për status quo.
s.zaimi
Add new comment