Veshi i fashuar “importohet” nga partia e Orbanit
Në Hungari, trendi i nisur nga republikanët pro Trump pas atentatit që iu bë këtij të fundit dy javë më parë, ka ngjitur më shumë se kudo tjetër. Fasha mbi veshin e djathtë në Konventën Kombëtare të Republikanëve gjashtë ditë më parë ishte një mesazh mbështetjeje për ish-presidentin që kërkon një mandat të dytë.
Trendi i veshit të fashuar ra në sy menjëherë edhe në një event vjetor që mban Fidesz, partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit hungarez dhe organizatori i kampit vjetor politik në Rumaninë fqinje, Zsolt Nemeth, u solidarizua me ish-presidentin amerikan Trump në hapjen e eventit pesë-ditor më 24 korrik.
Nemeth dhe David Campanale, bashkëthemeluesi i Festivalit të 33-të vjetor Tusvanyos, mbanin secili një drejtkëndësh letre të palosur pranë veshit të djathtë.
Në letrat me ngjyrat e flamurit të Hungarisë shkruhej “Forca Hungari”.
Nemeth e krahasoi tentativën për të vrarë Trump me atë ndaj kryeministrit nacionalist sllovak, Robert Fico.
Festivali Tusvanyos është një ngjarje vjetore që Orban e përdor shpesh për të paraqitur synime dhe politika strategjike dhe për t'u bërë thirrje hungarezëve etnikë jashtë vendit, përfshirë edhe shpalljen e mbështetjes së tij ndaj kandidaturës së Trump në 2016.
Rreth 1 milion hungarezë etnikë jetojnë në Rumaninë veriore, qindra mijëra prej tyre me shtetësi të dyfishtë që kur Orban bëri një përpjekje të madhe për të shtrirë të drejtat e votës dhe përfitimet e tjera të kombësisë hungareze në diasporë.
Nacionalizmi hungarez është një temë e ndjeshme në Rumaninë veriore dhe në Ukrainën e afërt, ku Orban ka bërë presion për autonomi më të madhe për hungarezët etnikë dhe ku mediat në gjuhën hungareze janë lehtësisht të disponueshme.
Orban dhe partia e tij nacionale populiste Fidesz kanë dominuar politikën hungareze që nga viti 2010. Orban dhe Trump janë bërë aleatë transatlantikë të së djathtës politike për çështjet nga imigracioni dhe pushtimi rus i Ukrainës deri te multilateralizmi që nga momenti kur Trump shpalli kandidaturën në 2016.
Orban ishte lideri i parë i huaj që miratoi fushatën e suksesshme të Trump në vitin 2016 dhe ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij përpara garës së vitit 2024.
Komentet e Orban kanë shkaktuar reagimin e ambasadorit të SHBA në Budapest nën administratën e Presidentit Joe Biden, David Pressman.
Add new comment