Ajka

Postuar në 23 Korrik, 2024 15:46

Ka një farë kohe që njerëzit kryesorë të biznesit në Shqipëri, kanë dëshirë të dalin e të flasin apo shfaqen në media.

Me njerëz të biznesit mos të kuptojmë vetëm ata që zyrtarisht kanë të regjistruar biznese. Jo. Biznesmen është edhe një ministër, edhe një drejtues emisioni televiziv, edhe një drejtor tjetër, apo ndonjë guvernator banke.

Janë biznesmenë sepse në fakt pushtetin e tyre e kanë të ndërtuar mbi pasuri që nuk korrespondojnë me të ardhurat zyrtare,

Çfarë të bën përshtypje është se modeli në kokën e këtyre është vetëm një: luks, zhvatje, dukje. Dhe një nevojë e papritur për t’u thënë njerëzve “se këtë punë mund ta rregulloj vetëm unë”.

P.sh Gjergj Luca, një biznesmen, thotë i peshkut, ka kohë që shfaqet e rishfaqet në media sociale, vetëpromovohet si një lloj guruje i mençurisë së vërtetë shqiptare të cilës ia ka marrë frymën maskarallëku i politikës. E dëgjon në intervistë dhe gjëja që të vjen ndërmend është se Zoti ka mendim shumë negativ për paranë, ose ka konceptuar një botë pa politikë monetare, kur sheh se “ku shkon leku”. Flet e bërtet Gjergj Luca dhe nga aq sa mund të kuptosh nga shqipja e tij arrin në konkluzionin se e ka gjithçka nga meraku për Shqipërinë. Ndoshta është edhe kështu, fundja vendin e duan më shumë ata që fitojnë në të.

Ky nuk është vetëm në këtë dalldi. Pak ditë më parë u shfaq në një televizion Samir Mane, që është shitur për ajkën e kapitalizmit shqiptar. Teksa shoqëronte gazetarin nga Kosova Berat Buzhala në Palasë i zbulonte këtij të fundit me entuziazëm flamurin blu të plazhit. Dhe Berati patjetër që habitej e mandej shkonte në Kosovë(digjitalisht) dhe nanuriste fjalët më të mira për Jugun. Me ca pantallona të shkurtra poshtë një barku tipik të mashkullit të tranzicionit, Mane të kujtonte një barist të vetëpunësuar që teksa punon e kap edhe dielli poshtë çadrave. Biseda e tij biznesmenore me Buzhalën ka patjetër interes linguistik dhe duhet mbajtur si material i dorës së parë për studime të mëvonshme.

Shefqet Kastrati ngjan të jetë më diskreti. Ai prej kohësh shfaqet në media i mbërthyer në një kostum që duket se i merr frymën, në një shtrëngim që nuk dihet se çfarë sikleti fsheh. Në një prononcim për BIRN së fundmi shprehej se “nuk i kontrolloj se çfarë bëjnë drejtorët e mi”, patjetër maksimumi i dredhisë publike të tij.

Megjithatë këta dhe emra të tjerë të përfolur gjatë në mediat shqip janë vetëm maja e ajzbergut. Niveli i tyre i artikulimit, temat për të cilat preferojnë të flasin, atëherë kur flasin, niveli i tyre gjuhësor dhe patjetër mënyra sesi kanë vepruar në “treg” ilustron më së miri se në çfarë sistemi jetojmë.

Poshtë këtyre, gjallon e njëjta klimë dhe i njëjti tropik i zymtë smire, gare dhe anullimi tërësor etik. Sot dilte lajmi se djali i pronarit të kompanisë që tregton ujin “Lajthiza” kishte qëlluar me armë në një bar në Tiranë. Ai shëtiste me armë pa leje. E njëjta me lajmet me djalin e Tom Doshin, apo pak a shumë me lajmet e djalit të një Hysenbellit të mediave që dilte në rubrikat rozë për luksin ku jetonte.

Po djalin e ish-Guvernatorit Fullani e mbani mend? E paraqisnin në media me shuma të mëdha parash, makina apo ora luksose, pak pasi i ati u ndalua për ngjarjen në Bankën e Shqipërisë. A nuk bën kështu edhe Blendi Fevziu me atë "rrangallën e luçiduar" tjetër të mediave shqiptare, Sokol Balla? Nga gazetar dhe analist shohim pjeshka instagrami në anën tjetër. Diçka e rrallë patjetër.

Përshfaqje e luksit, e dukjes dhe një mirëqenieje që ngjan kaq shumë me atë kategorinë e trafikantëve hispanikë të cilët kinemaja I skalit si interpretë të suksesin vetëm me një gjë: luksin vezullues që pluskon mbi krime, paligjshmëri, evazion. Pa rrënjë e pa çati, kjo kategori e gjen veten duke imituar një klasë tjetër tek e cila nuk ka akses. Pavarësisht se merret me biznes, drejton një bankë, është ministër etj.. Ëndrra është e njëjtë: Të dukemi pak, të na begesin njëherë.

A nuk lëmojnë dukjen e tyre edhe ministreshat e z. Rama, ky vetë në krye me “stilin e vet” kaq unik të arlekinit të Europës? U lëmua edhe kryetarja e dikurshme e PL-së, ndërkohë që ish-presidenti ka zgjedhur zborin;  Zonja e Parë e Tiranës, në çdo dalje preferon të dominojë skenën me stilin mondan.

Patjetër që me standardin e tyre këta kanë arritur sukses. Me vete dikush edhe mund të thotë: E çfarë ka ky Macron më shumë sesa unë? Unë kam më shumë lekë sesa ky, ky thjesht është në krye të Francës? Dhe ja me këtë ide vetja miklohet e miklohet, gjenerohet një mënyrë sjelljeje dhe jetese e cila në fakt ka kontaminuar çdo marrëdhënie në këtë vend dhe që nuk përkon me asgjë reale në ekonominë tonë.

Skena ku këta pëllasin, kapardisen e kakarisin të veshur si pall-onj shumëngjyrësh krahas atyre biznesmenëve gjysmëanalfabetë miliarderë ngrihet mbi apo përballë, pak metra larg nga shitësit e gështenjave dhe misrave, në rrugët ku të qelb një erë papastërtie dhe pisllëku dhe ku çdo piedestal nis e zhuloset, humbet kuptimin që s’e pati kurrë veç pranisë fizike, njësoj si shënimet e aksidenteve anës rrugëve. Sepse nuk ka asgjë të vërtetë dhe sidomos etike e të dobishme në këtë zhurmë të hajvanëve të pasur të këtij vendi.

s.zaimi

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Barkederri Luca dhe barkederri tjeter Mane, duhet t'i kishin hyre trupit me bisturi per nje trasformim sic bene dyshja Kriemadhi dhe Metaj.
Luca kapadaioset sepse prapa tij qendron dikush tjeter nga ministria ecmbrojtjes qe ia ka licensuar te gjitha tunelet e ushtrise.
Afere kjo qe mban ere korrupsioni.

Nen firmen e S Manes ka shume drejtues emisionesh ne TV qe kane pjese ne bisnesin e tij.
Akuzat e palloshit per komplot te sherbimeve ruse e serbe kundra turizmit shqiptar, nuk jane gje tjeter vecse perpelitjet e aferisteve te korruptuar te mediave dhe te politikaneve qe nen kompanine e Manes, kane perqindjet e tyre. Kane frike se, vilat dhe ndertimet ne Jug e ne bregdet nuk do tiu shiten dot sepse te huajt po largohen.

Shume prej tyre kane syrgjynosur femijet jashte shtetit dhe kane hapur bisnese ne emer te tyre per pastruar parate sic jane cifti Meta, Gjebrea etj.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Inskenim ishte, teater majmunesh ishte, iluzion kinse si debat i lire ku nuk kishte lartesine profesionale te zanatit te gazetarit. Me demek “vetedija e pakenaqur“ e sipermarresit qe jeton e mendon per shpetimin e “Botes Shqiptare“ nje promovim banal qe nuk i sjell asgje te ,mire shoqerise. Nje inskenim ku nuk kishte manekine si ne studion skenike te gazetarit Cani, po kishte manekine te gjalle me studente te juridikut. Poshteruese per gjeneraten e re dhe per statusin e larte si persona te ligjit te nje te neserme. Kur e pashe, aq sa e pashe nja 30 minuta, prisja debat, dhe me pelqeu idea e nje qasje politike me rinine si edukim politik ku pjesmarrsit/studentet te mobilizoheshin, te aktivizoheshin si nje praktike e re, si nje koncept i ri ku shoqeria te heqe dore nga kulti duke u emanicipuar. Po jo, me keq, e njeta butafori demagogjike po jo me parudha te diktatures te drejtperdrejta, po me manipulimin e ngjyrat kohes ku ne mure kishte vizatime politike me mesazh te qarte. Ne nje gjysme ore bisede ajo qe te hyne ne menyre te dhunshme ne vetedije e nenvetedije ishte promovimi i kultit qe: Udheheqesi po shkrihet e po cfilitet per ta futur Shqiperine ne Europe i promovuar dhe nga nje dekor poshterues te Studenteve Manekine me simbolin e nje shoqeri ku e ardhmja jane “kadavra“. Dhe studente e nje statusi te larte si juridiku heshtnin ndaj kesaj demogagjije ideologjike ku fuqia i delegohet kultit dhe jo ligjit. Eshte nje skene qe me gezoj kur e pashe dhe mendova se kjo eshte nje risi e mire per te rritur cilesine e debatit politik dhe per te promovuar kulturen e mospajtimit te hapur per te trimeruar brezin e ri. Mjaft me, duhet dhe eshte koha te kemi nje perceptim politik ku rinia te kete nje mikrofon, qofte si fillim ne plan te dyte, po me edukimin dhe argumentat e pare nga perspektiva e rinise do ta ndihmoje politiken, veten, dhe shoqerine te fuse nje kulture disidente te mospajtimit dhe kritikes. Shkrimi eshte i bukur dhe me pelqeu. Ajka do te qelbet e dekompozohet nga thartira e vet, dhe mbi dekompozimin e saj do te lindin ato qe lindin gjithmone nga plehrat e dekompozimet – Kepudhat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.