Turizmi është edhe çështje sjelljeje

Postuar në 21 Korrik, 2024 15:48

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka nisur dhe madje ka autorizuar një lloj fushate unike për turizmin shqiptar. Apo më mirë për sezonin veror në Shqipëri.

Sipas tij dhe njerëzve që ka emëruar nëpër institucione, kritikat e ngritura ndaj shërbimeve të operatorëve turistikë si dhe evidentimi i rënies së numrit të turistëve këtë vit, janë në vetvete një fushatë e sponsorizuar nga jashtë për shkaqe të asaj që quhet lufta ekonomike.

Vetë kryeministri sot deklaronte përmes një statusi se sipas të dhënave ndërkombëtare, numri i turistëve hyrës është rritur me 86%, krahasuar me një vit më parë. Paralel me këto të dhëna, qeveria ka promovuar shumë në media investimet e reja infrastrukturore, duke parë te këto me optimizëm një stad të ri për sektorin. 

Lufta megjithatë ngjan të jetë e kotë dhe jashtë objektivit. Dhe madje nuk kuptohet mirë se kujt i adresohet.

Së pari, qeveria nuk mund të propagandojë Shqipërinë te shqiptarët, që e njohin tashmë vendin e tyre shumë më mirë se më parë. Një shoqëri si jona që e sheh kryesisht argëtimin te fundjavat jashtë kryeqytetit me shpenzim kryesor hoteleri – ushqim, është vetiu e informuar mirë se “ku kalohet mirë dhe ku hahet mirë”.

Ndaj përballja me kritikën e tanishme kërkon diçka më shumë sesa një kundërsulm propagandistik që gjen armiq. Patjetër që është shumë acaruese hipokrizia e njerëzve të opozitës që shfaqen si të shqetësuar për çmimet, apo shërbimet, kur të gjithë pothuajse e dinë që këta kanë vilat e tyre, mund t’ia lejojnë vetes të kalojnë pushime kudo pa u prekur nga problemet e turizmit masiv.

Kërkon diçka më shumë sepse duhet kuptuar që me çmimet që rriten sipas gjendjes hormonale të operatorëve, shfrytëzimi i hapësirave publike në ekstrem, intensiteti i ndërtimeve në breg, mungesa e transportit publik efikas, higjena dhe sidomos varfëria e dukshme e ofertës turistike kulturore dhe sociale në Shqipëri, e bëjnë këdo që ka një mundësi ekonomike të shohë përherë të pushojë jashtë vendit.

Të mos harrojmë këtu se vlera kryesore e një vendi janë Njerëzit, ata që pushojnë dhe komuniteti. Nuk është sekret dhe as shpifje të thuash se në vendet kryesore të turizmit bregdetar të Shqipërisë, jo vetëm e ke të kushtueshme të shkosh, por siguria aty është variabël i paparashikueshëm. Njerëzit e krimit, të politikës, showbizit, pleksen në një të vetme duke kantonizuar një hapësirë ku çdo njeri normal do të ndjehej i huaj. Shumë i huaj.

Është mënyra sesi është vepruar me hapësirat publike, si janë zaptuar ato  e kështu me radhë, klima toksike e marrëdhënieve tona që transferohet edhe në bregdet, që e bën shumë të padëshiruar shpenzimin e atyre pak ditëve në Jugun e të pasurve, në Lalëzin e po të pasurve dhe Durrësin e zhurmshëm.

Në Jug çdo shqiptar merr edhe njëherë atë leksionin e përditshëm të Tiranës: suksesi, mirëqenia dhe pasuria në këtë vend u takon vetëm disave dhe jo vetëm kaq. Aksesi në to kushtëzohet vetëm nga ndërveprimi me këtë kategori dhe jo detyrimisht nga aftësitë e njërit apo tjetrit.

Kështu që çokush që kërkon që pushimi të jetë pushim dhe jo stres, patjetër që do ta kërkonte daljen jashtë. Askush deri më tani nuk ka një recetë sesi mund të kontrollohet kjo pasi e vetmja recetë është përmirësimi i shërbimeve dhe ndryshimi i sjelljes sonë si qytetarë. Por edhe i institucioneve që do të detyrohen të reflektojnë nëse ka një presion ekonomik pozitiv në këtë drejtim. Nuk menaxhohen mbetjet me fushata në Facebook, as ofrohet siguria me praninë e një ministri. Sikundër standardi i perceptimit do korrigjuar urgjent: të dëgjosh ende se nuk ka ujë, se është me orar, pa folur për trafikun, është një kundër-investim psikologjik shumë i dëmshëm.

Nga ana tjetër beteja për shifrat e turistëve të huaj është dyfish më e kotë. Urojmë të jemi 100% gabim, por suksesi turistik i Shqipërisë në Europë ka për të qenë sporadik. Ne rrethohemi nga superfuqi turistike në çdo drejtim dhe e vetmja konkurencë që mund të bëjmë në masë është çmimi. Dhe edhe atë po e humbasim në të vërtetë ndonëse është ende herët për ta thënë.

Të mos jemi naivë apo hipokritë: nuk konkuron dot kush me Italinë apo Greqinë që janë etalone të një ekzotizmi të përjetshëm, të një bukurie natyrore të pakrahasueshme dhe një variacioni turistik të rrallë.

Nuk ka konspiracion turistik ndaj Shqipërisë që edhe për nga sipërfaqja nuk konkuron dot, as sa Mali i Zi, që është në ndërgjegjen e një europiani shumë më i ngulitur sesa Shqipëria.

Në vend se të shohim problemet pa i fryrë ato kot, qeveria kërkon grupin armiqësor. Turizmi shqiptar, nëse do të ishte më i organizuar dhe do të respektonte më shumë llogjikën, se hapësirave ua ka marrë erëzin, ndoshta do të fitonte një pjesë të mirë të buxhetit të atyre shqiptarëve që udhëtojnë jashtë dhe me gjasë stresi i mungesës vjetore nuk do të shfrynte me “golin e verës”.

Dhe së fundmi, e mira e punës e do që aksesi në më të mirën e këtij vendi të mos i jepet vetëm krimit dhe parasë së tij, as njerëzve me pushtet që parakalojnë, parkojnë e hyjnë ku duan e si duan, sepse përçmimi dhe urrejtja mesa duket kanë edhe kosto ekonomike.

Nuk kemi ardhur të gjithë në këtë botë e as do ikim me merakun që t’i bëjmë hosana kujt; ndaj pak qytetari dhe mirëkuptim mund të optimizonte shumëçka.

s.zaimi

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Turizmi shqiptar, qe nuk eshte gje tjeter veçse investimi i parave te droges ne pronat e vjedhura te bregut, nuk meriton me shume se deshtimin. Dhe flasim per ate qe meriton, pa llogaritur sasine dhe cilesine e mallkimeve qe mbart formula e ketij soj turizmi.

Submitted by K (not verified) on

Keto jane vitet ku njeriu i riu po sundon, fatkeqsisht disa prej tyre dhe jane shumuar.Shqiptaret ikin nga njeri tjetri, ketu ka ngelur ndonje fatkeq dhe shumica jane "te rregullum".
Eshte pak hipokrite te mendosh qe sjellja e mire dhe optimizmi rregullojne situatat qe lidhen me kompromisin qe ne kemi bere me injorancen, genjeshtren, vjedhjen, shkaterrimin e familjes, shoqerise apo dhe institucioneve!
Pastaj kjo qe po na sulmojne nga ajri toka bari kari, lidhen me mbimerat qe mbajne dhe problemet mendore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.