“Krishti drejt qiellit” ngrihet në Jeruzalem
Një statujë e Krishtit, 10 metër e lartë, do të vendoset në lagjen historike të Jeruzalemit. Ideja është e At Ibrahim Faltas, një murg françeskan 60-vjeçar, i cili ka lindur në Aleksandri, Egjipt, aktualisht në krye të Kujdestares të Tokës së Shenjtë, një urdhër i 800 vjet më parë nga Shën Françesku i Asizit.
Statuja e Jezusit që ngrihet në qiell pas ringjalljes do të vendoset në lagjen e krishterë të Jeruzalemit, mbi çatinë e shkollës së mesme historike Terra Sancta.
Ajo është vepër e skulptorit italian Alessandro Mutto, ështe e bërë prej çeliku dhe bronzi dhe peshon 4400 kg. Në vendin ku do të vendoset, statuja reflekton rrezet e diellit në mënyrë që pamja e Krishtit të ndryshojë vazhdimisht nga agimi deri në mbrëmje.
Mutto, skulptor nga Verona, ka studiuar Liceun Artistik Shtetëror të qytetit dhe është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Bolonja. Ai ka punuar për rreth 1 vit e gjysmë për statujën e Krishtit.
Ajo që dihet është se për veprën e tij, Mutto i është referuar statujës së Krishtit Shelbues në Rio de Zhaneiro. Ndërsa kostot dhe burimi i financimit mbeten të panjohura.
Statuja pasqyron Psalmet 85:10-11. “Hiri dhe e vërteta janë takuar bashkë; drejtësia dhe paqja janë puthur me njëra-tjetrën. E vërteta buron nga Toka dhe drejtësia shikon nga qielli”, tha Faltas.
Statuja është bekuar nga Ati i Shenjtë më 18 maj të këtij viti dhe do të dërgohet në Haifa në javët në vijim.
“Shpresojmë që kjo statujë të pasqyrojë realitetin e Tokës së Shenjtë, diversitetin e saj dhe realitetin në të cilin jetojmë pavarësisht nga të gjitha vështirësitë dhe sfidat. Ai duhet të mishërojë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës, drejtësisë dhe vëllazërisë, duke zhdukur frymën e hakmarrjes, xhelozisë, zilisë dhe urrejtjes”, citon Jerusalem Post At Faltasin.
Peshkopi Domenico Pompili i Veronës theksoi rëndësinë e monumentit. “Dhurata e statujës së Jezusit që përqafon njerëzimin ka për qëllim të jetë një shenjë shprese që fillon në Verona dhe arrin në Tokën e Shenjtë dhe, më gjerë, në botë. Ai shërben si një kundër-narrativë ndaj pashmangshmërisë së luftës, duke evokuar një paqe që mund të ndërtohet çdo ditë me kontributin e të gjithëve.”
“Ne të gjithë aspirojmë të arrijmë parajsën, por kjo arrihet përmes akteve tona të dashurisë, drejtësisë, tolerancës dhe paqes. Pranimi i atyre që janë të ndryshëm nga ne dhe trajtimi i tyre si vëllezër, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, çon në paqe, duke na udhëhequr në parajsë”, thotë vetë Faltas.
Add new comment