Frikë nga vota e pakontrolluar!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2024/07/Edi-rama-Vangjel-Tavo-646x375_2024_07_20_12.jpg?itok=33MEZWU_)
Socialistët e Shqipërisë, e bashkë me ta edhe analistët që orbitojnë për mirëqenien e tyre të përhereshme, duket se po e kapin veten gafil si patriotë. Madje nacionalistë. I ndihmon për këtë Himara, humbja e zgjedhjeve përballë një njeriu si Fredi Beleri, dhe me gjasë edhe frika se edhe më 4 gusht, Petro Gjikuria do të rikonfirmohet. Shkruan sot p.sh një gazetar, ish-diplomat, Skënder Minxhozi:
Ndodhemi në një fazë fundore të luftës politike në Shqipëri. Në atë fazë kur përballë gëzimit të lig për ta parë të mundur kundërshtarin politik (të cilin nuk e mund dot vetë), ti je i gatshëm të sakrifikosh edhe interesa madhore të cilat kurrsesi s’do të duheshin prekur nga një politikan i përgjegjshëm dhe që e do vendin e vet. Berisha dhe Meta ndodhen në një pikë të tillë dëshpërimi, kur pafuqia ju është kthyer në një toksinë që mund të helmojë gjithçka i del përpara. Përfshirë interesat e vendit
Cilat janë interesat e vendit që helmohen këtu e për të cilat ky Minzhozi qenka shqetësuar? Petro Gjikuria është shtetas shqiptar, si Fredi Beleri dhe si Vangjel Tavo. Mes këtyre të treve ka një dallim: Vangjeli shkon ku ta çosh, dy të tjerët rrinë aty ku kanë zgjedhur që në fillim. I pari na ndihmon të mbrojmë interesat madhore, dy të tjerët janë maskarenj që favorizohen sot nga Berisha. Dhe helmokan interesat!!!
Po sërish: cilat janë këto interesa të vendit? E ka patur Bregun partia e z. Minxhozi gjatë këtyre dy dekadave dhe e pamë sesa mirë u mbrojtën interesat e shqiptarëve aty: vila ministrash në Dhërmi, vilat e Samir Manes ngado, Carapuli, Papul, Dulak e me soj e sorollop nga Tirana që plaçkitën çfarë të kishte. Mjafton të shohësh sesi është ngritur laku për Kakomenë prej vitesh, sesi u realizua në kohë rekord tuneli i Llogorasë për ta kuptuar se ai që shitet për interes të vendit, është interes vetëm i disave. Fundja kemi të gjithë të drejtën të dyshojmë se biznesmenët e Shqipërisë nuk i bëjnë të gjitha këto për filantropi, as edhe vendi nuk është se është zhvilluar nga këto investime. Është shtrenjtuar dhe kriminalizuar, po e vërtetë.
Pyetja megjithatë është e thjeshtë: Pse kanë frikë nga vota socialistllarët e Tiranës? Kanë të drejtë vote të gjithë, e do votojnë siç e mendojnë. Kësaj radhe në fshat të tij, kanë menduar t’i thonë Jo hajdutëve. T’I thuash jo hajdutëve, nuk mendojmë se bie ndesh me interesin e vendit. Pse qenka antishqiptare kjo?
Më komik mandej argumenti politik karakterial i socialistëve: Po diskreditohet Berisha dhe Meta pse mbështesin “komponentin etnik grek në Himarë”? Po a nuk janë ata të mbaruar? A nuk është Edi Rama titullar në fushën bosh? A nuk lexojmë përditë shënime si ky më sipër për aftësinë dhe zgjuarësinë e Edit në mposhtjen e armiqve?!
Projekti i PS-së për Bregun është vetëm të vjedhë pronat dhe t’i ndajë siç ka bërë në Sarandë, e në Vlorë dhe në Tiranë e Durrës. Kaq. Asgjë më shumë. Nuk beson kush se ky është interes i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe nuk ka interes tjetër. Këtë e dinë shumë mirë të gjithë. Mjafton të shohësh sesi ky flama me emrin Edi Rama bashkë me bisht-kandidatin Tavo shpërndarjnë certifikata pronësie për të kuptuar se pikërisht Prona është çështja.
Të votosh si mendon je kundër Shqipërisë. Të shkruash si mendon, je i paguar. Po edhe të thuash që sikur nuk ka shumë njerëz sivjet në plazhe, befas del që je pjesë propagandës antishqiptare dhe madje e shërbimeve të huaja. Nën cilën psikologji po jetojmë?
s.zaimi
Add new comment