Fillimet e Reaksionit, deputeti Xhafaj flet për Populizëm Gjyqësor

Postuar në 16 Korrik, 2024 13:11

Ka folur në seancën e djeshme parlamentare edhe Fatmir Xhafaj, një ndër njerëzit më aktivë në realizimin e reformës në drejtësi, ish-ministër i Brendshëm dhe I Drejtësisë dhe një njeri i koniunkturave në Partinë Socialiste. Në fjalën e tij, gjatë një seance ku raportonin përfaqësues të sistemit të drejtësisë, z. Xhafaj u shfaq gati si një lektor mbi puën e përfaqësuesve të sistemit dhe parimet e saj, duke vendosur një listë të gjatë kritikash që kapën majën me akuzën për Populizëm Gjyqësor.

Në listën e kritikës kanë kaluar dy këshillat, ai gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, ndërkohë që z. Xhafaj ka vënë në dukje mungesën e punë kontrolluese nga një autoritet i veshur me shumë pushtet si Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Ajo që tërheq vëmendjen është jo kritika si e tillë, të cilën z. Xhafaj u kujdes ta ndërlidhte me gjetjet e raportit të Këshillit të Europës, por fakti se në kontesktin e saj, deputeti socialist ka akuzuar institucuionet e reja të drejtësisë për masa disproporcionale, të pabarabarta sigurie, për sjellje të diferencuar në çështje të ndryshme, duke folur drejtpërdrejt për politikë penale që rast pas rasti ndjek axhendën e portaleve mediatike.

Asgjë konkrete, asgjë e qartë për publikun, pakkush mund ta kuptojë ku e ka fjalën ky përfaqësues i zgjedhur i popullit, duke lënë në errësirë një marrëdhënie që ka nisur të kontaminohet. Ajo çfarë mund të nuhatet pa ekuivok në këtë fjalë, është fakti se veprimet e institucioneve të drejtësisë kanë shqetësuar shokët socialistë, jo thjesht për veprimin e tyre, por për jo-ortodoksinë e veprimit, çka i bën të paparashikueshme, nxit keqkuptime dhe mesa duket dëmton kohezionin politik brenda vetë PS-së. Sepse në rrjedhën e besimit se “Rama të mban”, pakkush do të kuptojë apo analizojë veprimet e dallueshme të SPAK për njërën çështje apo tjetrën.

Pakkush do të gëlltisë si të pranueshme që z. Rama të investohet për mbrojtjen e Olta Xhaçkës dhe të ngrejë akuzën kundër SPAK për bazat e Limjonit dhe Shëngjinit, ndërkohë që nuk e hap gojën për kënd tjetër. Në këto kushte leksioni i z. Xhafaj përmbledh në thelbin e vet jo thjesht një kritikë, por manifeston edhe një lloj reaksioni ndaj punës së organave të reja të drejtësisë mbi të cilat mesa duket ka humbur kontrolli.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.