Belgjikë, ndalohen smartfonët në shkollat frankofone
Shkollat frëngjishtfolëse të Belgjikës do të ndalojnë telefonat inteligjentë. Qeveria e re e Valones, në marrëveshjen e saj të koalicionit ka përfshirë edhe një plan për të ndaluar telefonat inteligjentë në shkollat e rajonit jugor të Belgjikës, si dhe qindra shkolla në Bruksel.
Plani parashikon ndalimin e plotë të tyre në shkollat fillore, ndërsa në shkollat e mesme kjo do të bëhet gradualisht brenda tre viteve.
Qeveritë dhe grupet politike në të gjithë Evropën kanë diskutuar kufizimin e përdorimit të smartfonëve dhe rrjeteve sociale nga fëmijët, duke e argumentuar nevojën me varësinë dhe rreziqet që paraqesin ato për shëndetin mendor.
Holanda i ka ndaluar smartfonët në shkollat e mesme në janar, ndërsa nga shtatori ky ndalim do të shtrihet edhe te shkollat e saj fillore.
"Duke marrë parasysh ndikimin e ekraneve mbi shëndetin, përqendrimin, frikësimin, qeveria do të vendosë një politikë vigjilence," thuhej në tekstin e koalicionit të qeverisë së re Valone. Fëmijët do të lejohen të përdorin mjete digjitale vetëm si pjesë e kurseve.
Ndalimi do të hyjë në fuqi sapo të kthehet në ligj nga qeveria e ardhshme.
Belgët zgjodhën parlamentin e ri federal, parlamentet rajonale dhe anëtarët e Parlamentit Evropian më 9 qershor dhe partitë politike po negociojnë një qeveri të re federale si dhe qeveritë rajonale në të njëjtën kohë.
Partitë frankofone ishin të parat që arritën një marrëveshje qeveritare këtë javë, e përbërë nga Lëvizja Reformiste liberale e qendrës së djathtë (MR) dhe centristët Les Engagés (Të Përkushtuarit).
Këto dy parti do të formojnë një qeveri rajonale të Valones për të trajtuar çështje si strehimi dhe bujqësia, si dhe një qeveri frëngjisht-folëse për të trajtuar politikat përfshirë arsimin dhe kulturën.
Add new comment