Unë tani kam tunelin!...Nis vajin kallogre Llogaraja!

Postuar në 11 Korrik, 2024 15:29

Rruga Vlorë – Sarandë është ndërtuar së pari në vitin 1917 nga robërit austriakë, të kapur prej italianëve në Luftën e Parë Botërore. Një rrugë e ngushtë, e rrezikshme, e ndërtuar kryesisht për qëllime ushtarake. Ashtu mbeti ajo deri në fillim të këtij shekulli, kur vuri dorë ushtria jonë dhe u zgjerua e u përmirësua. E kam bërë atë rrugë për dyzetë e tre vjet, ashtu siç ishte në dimër e verë, në akull e në zheg. Sarandë – Vlorë dhe Vlorë - Sarandë, qëkur rashë dhëndërr në qytetin e (pa)varësisë. Ajo rrugë i kishte të gjitha, të gjitha. Kur i dola tunelit të ri matanë, nga ana e Palasës, hodha edhe një herë sytë nga rruga e vjetër plot kthesa legjendare, të frikshme, imponuese, kërcënuese, të rrezikshme. Psherëtiva i lehtësuar: Lamtumirë kthesa!

Tani nuk kam më nevojë të shkoj andej. Vetëm amatorët e turizmit malor do të vazhdojnë të shkojnë nëpër të. Qafa e Llogarasë do të vazhdojë të mbetet tërheqëse për turistët e maleve. Le ta gëzojnë ata. Është nga pjesët më të bukura të vendit tonë. Unë nuk kam më kohë për aventura të tilla. Po më mblidhet lëmshi i jetës. Boll më me malet. Tani kam tunelin. Ky është një vepër arti më vete, e nivelit më të lartë, në tërë kuptimin e fjalës. Përulje të thellë para atyre që e ideuan dhe e realizuan. Kur e dëgjova për herë të parë kryeministrin të thoshte se do të hapet tuneli i Llogarasë, nuk e besova. E quajta shashkë elektorale. Por ja që u bë, e pashë me sytë e mi

Kinostudio 1960? Jo. Ndonjë pjesë e ripunuar nga filmi “Kur Hidheshin Themelet”? Jo. Hamdi Jupe, në të dalë të Tunelit 2024. Pikë e Vapës. Ja pra si ndihesh vetëm, si fati të braktis. Ai nga tuneli, ti nga qafa. Njeriu inovator shkon në të kithët me konservatorin. Mjerë ne që nuk do shkëmbehemi me këtë në rrugë se do i biem nga Qafa që paska bëjë të vuajë shumë këtë popull zotnilerësh. Mjerë ne që nuk e kuptuam se çfarë kishim hequr nga Qafa e Llogarasë, me ato kthesa të rrezikshme.

O perëndi si na ke ruajtur, si nuk na ka marrë peropia kaq vite xhanëm? Kemi shpëtuar në qime për të rënë nga maja e Llogarasë e direkt te vilat e Samir Manes, apo më tutje në vilat e ministrave në Dhërmi. Do kish rënë edhe Hamdiu, po mëshira jote e ka shpëtuar! Tani Hamdiu ka tunelin! Vepër arti. Po edhe tuneli ka Hamdiun dhe ata autobuzxhinjtë e lumtur që hynë e dolën duke hedhur një hap të vogël për ta, por një hap gjigand për të tjerët. Se a mundet ai tunel të qëndrojë për atë që është bërë? Jo. Ai është monument.

Po ç'a faji ka Hamdiu? Asnjë. Po asnjë për be. Ashtu ka shkruar ai gjithë jetën. Nuk ka faj se edhe kryeministri – kryetar i tillë është: edhe kur bëri një ndërhyrje kozmetike te Tuneli në Vlorë e bëri të madhe: Tani shpëtuat se hynit e dilnit në vrimë. E pa edhe ai me sytë e tij, si Hamdiu, tunelin e rregulluar në Vlorë…Çfarë drame!!! Ballë për Ballë me progresin! 

Vendosni një pllakë aty në dalje: këtu ka kaluar Hamdi Jupe! Shtoni më poshtë: Këtu mund të kalonte edhe Çezari...po të jetonte Edi Rama në ato kohë!!! Me siguri do nisë vajin Llogaraja! Si në kohët mitike. He ç’na bëre kështu more z. Hamdi me tunelin e Akrokerauneve! 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Tani qe behet tuneli mire eshte, po mos i ve shume faj Hamdiut. Ne kete republike ke akoma qytete qe per te vajtur nga njeri te thetri me makine duhet te dalesh jashteshtetit. Nuk jane nga jugu fatmiresisht, jane nga keta maloket, ketej siper. Si cdo qeveri e dale nga 43 e ketej, ne mbete ndonje karroce zift pa e vjedhur, e hedhin nga tunelet e jugut. Si gjithmone dmth.

Submitted by X (not verified) on

Edhe zborin te kishte bere Hamdiu sdo ish gezu kaq fort per tunelin.
Askush nuk eshte kundra zhvillimit te veprave inxhinerike, fundja dhe ne jugun e Francez ka plot zgjidhje te tilla. Tunele qe shkurtojne kohen por askush nuk i ben kete publicitet qe ngjan si ereksion. Se problemi eshte qe pak me tutje se tuneli te levizesh sheh plehrat qe digjen, planifikimin urban te palases qe ngjason me godina konvikti.
Me pelqeu sarkazma e perdorur Z.Skerdi.

Submitted by Komshiu (not verified) on

Ky ore ka telendisur nje te moshuar per nja dy llafe qe ka thene, ti thua sarkazem apo sarkzem dhe ky X, qe ka shku deri ne France.
Fakti qe duhet ti japim rendesi infrastruktures sepse jeton me ne dhe na sherben eshte objektive, tani se po e ben Rama, Doktori, Hamdiu apo Cezari eshte ceshtje kalimtare njeri do e bente.
Ia te liruan dhe ty trafikun e Llogarase, sdo te duhet te paraklosh Hamdiun.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.