"Rëndësia strategjike" si provë e potencialit destabilizues të Ballkanit

Postuar në 11 Korrik, 2024 13:19

Samiti i NATO-s në Washington, ka emetuar edhe një deklaratë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Detit të Zi.

Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi janë me rëndësi strategjike për Aleancën. Ne mbetemi fuqimisht të angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e tyre

citohet ndër të tjera deklararta.

Sigurisht që siguria dhe stabiliteti nuk janë të dhëna të mirëqena dhe të pacenueshme. Por aktualisht jashtë Aleancës në rajonin tonë mbeten Kosova, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Serbia ka zgjedhur neutralitetin ushtarak, ndërkohë që Kosova dhe Bosnja de facto menaxhohen nga forca të NATO-s. E megjithatë këtu dy pika cilësohen si më delikatet dhe me potencial gjenerimin e një lufte në Ballkan, po nga SHBA.

Ka një mospërputhje mes deklarimit rajon me rëndësi strategjike dhe destabilizimit endemik të Ballkanit Perëndimor. Në 30 vjet angazhim diçka duhej të ishte zgjidhur, diçka duhej të ishte tejkaluar, që të mund të eliminohej kjo frazeologji. Ky ekuacion që lidh rëndësinë strategjike me destabilizimin, ose stabilitetin e paqëndrueshëm, nuk është i ri në fakt në Ballkan. Me rëndësi strategjike ishte Ballkani për Austro-Hungarinë, për Rusinë Cariste, Italinë dhe Perandorinë Osmane në fillim të shekullit të 20-të. Por kjo rëndësi nuk ndaloi askënd që të ulej në tryezë e të vizatonte kufinjtë që mendonin se ishin të vlefshëm, apo ta blinin paqen ndërkombëtare me shpërbërje entitetesh në rajonin tonë.

Ky cilësim ka përcaktuar deri diku edhe autonominë tonë të të menduarit mbi rajonin, apo shtetin tonë, është shndërruar në premisë për vetëperceptimin. Dhe në rrjedhën e interpretimeve të tilla të forcës së njërës fuqie apo tjetrës, është luajtur edhe e ashtuquajtur “Politikë Kombëtare” në Ballkan.

Një arsye për këtë pardoks formal është fakti se me Rëndësinë Strategjike duhet nënkuptuar së pari cilësia e të qenit Periferi, një lloj Limes romak që vepron prej kohësh në planëzimin e qendrave të mëdha. Mu për këtë arsye mori rëndësi Danubi dikur, e mu për këtë arsye ai mbeti përjetësisht rajon i destabilizuar. Të qenit periferi si status inferior në rendin ndërkombëtar, konkurohet vetëm nga shndërrimi i periferisë në pol qendror politik: u provua kjo me Komonuelthin Lituano-polak, apo edhe në mënyrë më të shkurtër me Federatën Jugosllave, që synoi të inkuadronte mbarë Ballkanin në një njësi politike. Ajo që mungon në kësi rastesh është narrativa imanente, që nuk zbehet apo eklipsohet dhe këtu mesa duket Ballkani nuk ka asnjë rol për të luajtur. As edhe në ndonjë të afërme të perceptueshme.

Në këtë kuptim, rëndësia strategjike e rajonit duhet konsideruar si konfirmim i një angazhim të qendrave politike të Perëndimit, por edhe si dëshmi zyrtare e faktit se rajoni është i pasiguruar, ai është lëndë e parë e tensioneve mes fuqive rivale dhe se fati i tij nuk është i qartë dhe përfundimtar.

Ballkani dhe me të as rajoni i Detit të Zi nuk përfaqësojnë zona me rëndësi jetike për Perëndimin, jo vetëm në karakterizimin strategjik, por edhe as atë të modelit perëndimor dhe qytetërimit siç përkufizohet ai. Nëse do të duam të nxjerrim mësime nga ajo që po shohim është e qartë se edhe Ukraina është mall shkëmbimi, në këmbim të sigurisë se lënia e saj nuk nxit një proces kaskadë nga Rusia. Po kështu mënyra ambigue me të cilën SHBA flet për sigurinë e Kosovës, sesi megjithëse KFOR është i angazhuar në Kosovë, Serbia shihet si fuqi që mund të bëjë luftë.

Nga ky fluiditet përkufizues pason mandej edhe mënyra sesi qeverisen vendet tona, se pse tolerohet e ashtuquajtura stabilokraci, korrupsion masiv, pra në finale dështimi përfundimtar i qeverisjes me bazë të drejtat. Të mos i gëzohemi pra në asnjë rrethanë një deklarate si kjo që është asgjë më shumë sesa shenja e paqëndrueshmërisë dhe papërcaktueshmërisë gjeopolitike dhe qytetërimore tonës.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.