Vangjel Tavua është grek. Thuaje një fjalë o derëbardhë!

Postuar në 09 Korrik, 2024 00:03

Fredi Beleri doli nga gara e Himarës. Me Pazar, e pa Pazar, doli. Zhurma rreth tij ilustroi tribalizmin e një pjese të shqipfolësve që janë reduktuar në apologjetë të një nacionalizmi sektar. 

Fredi Beleri kishte megjithatë një garanci për depresivët e shqiptarisë Xhufi, Hila, Koçollari, Krisafi&co. Ai sipas tyre ishte një tepelenas nga Nivica i bërë grek për interes. Pak a shumë si Vasil Bollano, origjinën e të cilit e nxirrnin po nga Tepelena. Me origjinë nga Nivica ka edhe në Borsh, e për ata që nuk e dinë, edhe në UNESCO. Entitet që mbron çdo larmi. 

Xhufi vetë – kuturisësi kryesor kundër helenizmit kallp(sipas tij) të Himarës, është vetë nga Progonati i Tepelenës. Fshat ngjitur me Nivicën, ose afër. Fshat me vulë dikur. Dikur. Ka një rrëfim të zonës që i bën progonatasit jo shumë të dashur për fshatrat fqinj; i quajnë si jo mikpritës dhe ironikë. Por këto janë rrëfenja e thashetheme që kurrsesi nuk shpjegojnë mërinë e z. Xhufi me Belerin nga Nivica, pasi në fakt z. Beleri nuk duket fare si tepelenas në sjellje. Atë me z. Xhufi e bashkon vetëm dendësia e vetullave, tipar që e qarkulloi si element identifkues etnik së fundmi z. Rama. 

Me një nevojë organike për të bërë gaztorin elektoral, kryeministri donte të bënte cilësimim grek duke u kapur te vetullat që dallojnë Vangjel Dulen, në dallim nga mesatarja e shqiptarëve që janë më të çelur. Vetëm se doli huq lumëmadhi pasi u kujtua që Vangjel Tavua nuk ka fare, ndërkohë që është grek prej vërteti ndaj edhe e pagëzoi Vangjeli për Punë. Po a nuk u bë lëmsh ky po në Himarë kur talli pa mendje shijaksit? Po hajd, Edi Rama hesapi!

Tani çështja është sqaruar: iku Fredi nga Nivica, sollën Vangjelin nga Dropulli që është çun i mirë. Por Himara nuk u bë shqiptare siç e ka bindje z. Xhufi dhe idhujtarët e tij që përmendëm më sipër. Madje z. Tavo është aty vetëm si Grek, sepse kjo është Alibia: kur nesër të ankohen se pakicës greke në Himarë i shkelen të drejtat, z. Rama do nxjerrë para Vangjel Tavon e do ta tundë si flamur! Ngjyrat dhe shtetësia, nuk i dihet. 

Si vallë nuk thonë një fjalë këta intelektualët? Po si nuk e vë në punë karotiden ai arkivisti Bido që e ka bukë e djathë komplotin grek kundër Jugut? Si ore gjithë ky historian nga Progonati me vulë nuk flet që Himara i shkoi një dropulliti?

Po nuk ka Krahina e Himarës – krahina jo 7 fshatrat – njerëz që ta drejtojnë? Si do u thuhet njerëzve në Kuç e Vranisht: votoni Vangjelin për Himarën shqiptare? 
Çohu z. Xhufi! Çohu se po vjen fundi! Ka kufi. Një fjalë të paktën nuk e thua ti dhe kolegët patriotë?! Apo ja të vijë shtatori e flasim se atëherë është sezoni?!

Po si nuk zhgarravisin ndonjë gjë edhe këta titanët e publicistikës, pena e të cilëve është Vatra e shekullit të 21-të? 

Para disa ditësh një tjetër nga aradha e të Ndriturve, Fatos Tarifa, pyeste në një shkrim: kur do marrë fund kjo energji destruktive, kjo urrejtje mes shqiptarëve? 

Atëherë kur secili të shohë mirë veten në pasqyrë. Ja se kur. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.