Ylli i Vankuverit eklipson Supernovën e Doganave?!
Paskësh mbajtur një fjalë Elisa Spiropali në Universitetin Europian, e cila qenka edhe ministre, kupton ti? Mes të tjerave kjo zonjë ka thënë:
…Ashtu edhe ju, të dashur të diplomuar, si gjithë të mëdhenjtë, ndiqni yllin që mund të jetë: shoku, miku, i dashuri, e dashura, ëndrra, pasioni, vokacioni, talenti, profesioni. Yjet nuk ndiqen duke zbatuar rregulla. Ylli me rregulla nuk është yll, është zvarranik, është kërmill, është breshkë, është bretkosë. Yllin e ndjek pa kanune, pa rregulla, në mënyrë kaotike. Nuk thonë kot: nga kaosi lindin yjet.
Me drojën e madhe që kurrsesi të mos ua lodh kokën duke tingëlluar autoreferenciale, por gjithsesi me dëshirën për të ndarë diçka nga vetja, ju them se në moshën 16-vjeçare u bë shkak një bursë gjimnazi në një nga kolegjet e botës së bashkuar, që fluturimi im të niste. Fluturimi fizik e kam fjalën, siç i thoni ju të mijëvjeçarit të ri, Tiranë- Vjenë- Frankfurt- Montreal- Vankuver- ishulli i Vankuverit, dy ditë udhëtim zhytur brenda një ëndrre për të ikur nga Shqipëria e vitit 1999, ku fitimi i një burse studimi konsiderohej fat i madh dhe lotari e rrallë. Kolegji kishte 200 nxënës, nga 80 vende të botës. Të gjithë ndryshe nga njëri-tjetri, jo vetëm nga prejardhja. Siç shkruante hyji Kadare, duke cituar Heraklitin: “Të zgjuarit janë bashkë në botë, kurse të fjetur janë veç”.
Më shumë se kombësia, prejardhja, gjendja socio-ekonomike, përkatësia fetare, orientimi seksual, vihet re se përkatësia në një nga këto kategori përcakton fatet e njerëzve. Të zgjuarit janë bashkë në botë, kurse të fjetur janë veç.
Vini re dhe do të më jepni të drejtë! Fluturimi im në Kanada dhe pastaj në SHBA për në universitet, nuk ishte pa andralla, nga ankthi i fitimit të bursës, pa mundur ta paguaj vetë, te vetmia e të përballuarit gjithçka fillikat, si shumë e shumë studentë shqiptarë nëpër botë, të duket sikur më e lehtë është të rrish aty ku je, të ecësh me këmbë në tokë, siç thotë një thënie që ia kanë mveshur popullit.
Por sa e mërzitshme do të ishte jeta pa andralla, pa ëndrra, pa zhgënjime, pa beteja, pa dëshpërime, pa fluturime. Mos bini rehat! Mbaroi ajo pjesë e jetës gjatë së cilës ju morët dhe ju dhatë. Filloi tjetra, kur para se të merrni duhet të jepni. Vetëm duke dhënë më tepër, do të ndizeni, do të ndriçoheni, do të digjeni, do të shkëlqeni.
Për të luftuar korrupsionin, thonë se SPAK ndjek paratë. Për ta begatuar Shqipërinë, ti ndiq yllin. Ndiq yllin dhe bota është e jotja
Qartë. Vetëm një shënim pak i vockël: Zonja Spiropali pas yllit të Vankuverit qëlloi në një xhuxh të bardhë: Doganat Shqiptare. Thjesht për kujtesë. Apo ishte supernova ajo e Doganave?!
Add new comment