Varreza më e madhe prehistorike e Europë zbulohet në Republikën Çeke
Një varrezë prehistorike u zbulua gjatë ndërtimit dhe zgjerimit të autostradës D35 në Republikën Çeke. Arkeologët e Universitetit te Hradec Králové (UHK) e zbuluan strukturën pranë fshatrave Dlouhé Dvory dhe Lípa në pjesën lindore të vendit.
Gërmimet nxorën në dritë një tumë prehistorike rreth 189 metër të gjatë dhe 15 metra të gjerë. Arkeologët besojnë se daton në mijëvjeçarin e IV p.e.s., çka e bën atë një nga tumat më të hershme të njohura në Evropë.
“Tuma të këtij lloji gjenden kryesisht në Boheminë veriperëndimore. Ato nuk janë dokumentuar ende në mënyrë të besueshme në Boheminë Lindore,” tha Petr Krištuf, profesor i arkeologjisë në UHK. “Përveç kësaj, ekzemplari i ekzaminuar përfaqëson tumën më të gjatë parahistorike jo vetëm në rajonin tonë, por ndoshta në të gjithë Evropën.”
Deri më tani, ekipi arkeologjik i UHK-së ka gërmuar vetëm një pjesë të sajtit. Ata gjetën dy varre qendrore, që sipas gjasave janë ndërtuar për individë me status të lartë.
Në njërin prej varreve është gjetur krahas skeletit edhe një enë qeramike. Ndërsa në varrin e dytë, krahas mbetjeve njerëzore, janë gjetur pesë artefakte stralli të copëtuara. Të dy trupat janë varrosur në anën e majtë me fytyrë nga veriu. Shtimi i një grope varrimi të mëvonshëm shqetësoi varret parahistorike.
Jo shumë larg tyre janë gjetur tridhjetë varre të tjera që ka të ngjarë t’i përkasin periudhës eneolitike (rreth 5000 deri në 3300 p.e.s.). Analiza laboratorike do t'i ndihmojë arkeologët të përcaktojnë një afat kohor më të saktë për këto varrime.
Ekipi arkeologjik i UHK-së po analizon mostrat e varreve për të kuptuar më mirë shtrirjen dhe rëndësinë historike të tumës.
Rëndësia e zbulimit të tumës së gjatë nuk qëndron vetëm në përmasat e saj. Rezultatet e para tregojnë se tuma monumentale e varrimit ka qëndruar këtu për shumë shekuj, dhe aktivitetet funerale dhe rituale të banorëve vendas janë zhvilluar në afërsi të saj. Ishte kështu një vend i rëndësishëm ritualesh dhe pikë referimi në peizazhin e asaj kohe.
Add new comment